Gjashtë persona janë dënuar nga Gjykata e Kurorës në Oksford të Britanisë së Madhe, pas një përleshjeje të dhunshme që la dy persona të plagosur. Mes të dënuarve janë edhe shtetas shqiptarë. Ngjarja ndodhi më 13 shtator 2025, jashtë lokalit Hank’s Bar, në Queen Street, ku një konflikt mes dy grupeve nisi pas një sherri dhe më pas u përshkallëzua në një përballje të organizuar. Gjatë incidentit të parë, një person pësoi një prerje në fytyrë, ndërsa palët vendosën të takoheshin më vonë në South Park për të sqaruar mosmarrëveshjen.
Takimi përfi në një tjetër përplasje, e cila u zhvendos në zonën e St Clement’s Street. Sipas hetimeve, Romario Qatja, 31 vjeç, drejtoi automjetin drejt një grupi personash, duke goditur njërin prej tyre, i cili pësoi frakturë në këmbë. Qatja u dënua me dy vjet e gjysmë burg për drejtim të rrezikshëm të automjetit dhe përdorimin e tij për të goditur personat e përfshirë në konflikt. Gjithashtu, atij iu ndalua drejtimi i automjetit për dy vjet e 10 muaj dhe iu kërkua të kryejë një riprovim të zgjatur. Ndërsa Arger Poleshi u dënua me gjashtë muaj burg, Indrit Ndoj dhe Armanto Tzourtzi morën nga gjashtë muaj burg, të pezulluara me kushte.
Dy të dënuarit e tjerë, Samyan Khdir dhe Eyub Hussani, u shpallën fajtorë për mbajtje të armëve sulmuese në publik. Inspektori detektiv James Mather, nga njësia e hetimeve kriminale të Oxfordshire, deklaroi se hetimi mundësoi vënien para drejtësisë të gjashtë personave për dhunën që la dy burra të plagosur. Sipas tij, njëri prej të dëmtuarve vijon të vuajë pasojat e incidentit, duke nënvizuar seriozitetin e përplasjes dhe pasojat që ajo pati për personat e përfshirë.

