Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se po ushtron presion ndaj përfaqësuesve të saj për qëndrimet që mbajnë në rrjetet sociale lidhur me protestën, ndërsa shtoi se është krijuar një strukturë për të ushtruar kontroll. Me tone ironike ai kësaj strukture i ka vënë emrin “Komisioni Balla”, e sipas tij ky i fundit po kontrollon statuset në rrjetet sociale të përfaqësuesve të qeverisëse, me synimin për të identifikuar personat që nuk kanë bërë postime kundër lëvizjes rinore qytetare, që dalin çdo ditë në proteste kundër qeverisë.
Berisha tha se “viktima e parë” e këtij komisioni do të jetë Niko Peleshi, duke shtuar se ky i fundit është konsideruar nga Taulant Balla si jo aktiv në postime.
“Ndërkohë, panik, tmerr, frikë në kampin e qeverisë. Krijohet Komisioni Balla. Komisioni Balla është komisioni që po kontrollon statuset në mediat sociale të nomenklaturës, për të identifikuar ata, të cilët nuk kanë bërë statuse kundër lëvizjes rinore qytetare dhe flamingove pra.
Viktima e parë e Komisionit Balla do jetë Niko Peleshi, i cili sipas Ballës, është treguar sylesh ndaj lëvizjes rinore qytetare dhe nuk ka statuse në mediat e tij kundër tyre. Pritet zëvendësimi i shpejtë i Peleshit me Ballën, laj e thaj, Balla i ka mbetur atij.
Me kryetarin e komisionit të vëzhgimit të rrjeteve sociale të nomenklaturës socialiste. A do ketë viktima të tjera? Do ketë, por ato janë pa emër, pa pasojë, ndaj dhe nuk ia vlen fare t’i përmendësh”, tha Berisha. Top Channel

