Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë fjalës së mbajtur këtë të hënë në takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë përcaktuese të procesit të integrimit europian. Sipas tij, anëtarësimi në Bashkimin Europian është qëllimi strategjik kombëtar dhe destinacioni i vetëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon, ndërsa e cilësoi atë si prioritetin numër një të Kuvendit të Shqipërisë. “Nga njëra anë kemi procesin e zgjerimit të BE-së, sot është në ditë të mira. Nga ana tjetër, kemi kompleksitetin gjeopolitik dhe sigurinë, paqen në rajon e më gjerë, në kontinent dhe në botë. BE mbetet faktor dhe garanci e pazëvendësueshme për zhvillimin, stabilitetin dhe sigurinë. Përballë këtyre sfidave, busulla e Shqipërisë mbetet e pazëvendësueshme. Anëtarësimi në BE, qëllimi ynë strategjik kombëtar, destinacioni i vetëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon e, për rrjedhim, prioriteti numër 1 i Kuvendit të Shqipërisë. Këto ishin momente vendimtare për ambicien tonë kombëtare, anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda 2030. Tashmë kemi hyrë në një fazë përcaktuese të procesit të negociatave, ku fokusi po zhvendoset nga miratimi i ligjeve te zbatimi i tyre”, theksoi Peleshi. Duke iu referuar progresit të bërë gjatë vitit 2026, ai veçoi avancimin në grupkapitullin e parë “Themeloret” dhe mbylljen e kapitujve të parë të negociatave. Sipas tij, sfida e radhës është e qartë: të kalohet nga miratimi i ligjeve te zbatimi efektiv dhe i matshëm i reformave. “Një ligj nuk është i mirë vetëm sepse përafron një direktivë, por kur është i zbatueshëm, prodhon rezultate dhe i shërben mirëqenies së qytetarëve”, theksoi Kryetari i Kuvendit.
