Lajme Zone
PDK sfidon në Kushtetuese procesin e konstituimit të Kuvendit, kërkon pezullimin e hapave të mëtejshëm institucionalë
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

PDK sfidon në Kushtetuese procesin e konstituimit të Kuvendit, kërkon pezullimin e hapave të mëtejshëm institucionalë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve dhe procedurave që lidhen me konstituimin e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve dhe procedurave që lidhen me konstituimin e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Kosovës. Kërkesa është dorëzuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.

PDK argumenton se gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit janë evidentuar shkelje të rendit kushtetues dhe kërkon që Gjykata Kushtetuese të japë një vlerësim përfundimtar lidhur me ligjshmërinë e procedurave të ndjekura.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deklaroi se çështja është dërguar në Kushtetuese për shkak të zhvillimeve të fundit në Kuvend.

Sipas tij, interpretimi i Kushtetutës duhet të bëhet nga institucioni kompetent dhe nuk mund të përcaktohet nga kalkulimet politike.

Ndërkohë, deputeti Përparim Gruda tha se qëllimi i kërkesës është rikthimi i funksionimit institucional në përputhje me Kushtetutën.

PDK kundërshton, sipas saj, mënyrën se si është zhvilluar procesi i konstituimit dhe kërkon që rregullat kushtetuese të zbatohen në mënyrë të njëjtë për të gjitha subjektet politike.

Kërkohet masë e përkohshme

Krahas kërkesës kryesore, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe vendosjen e një mase të menjëhershme të përkohshme.

Avokati Faton Fetahu tha se masa synon të parandalojë krijimin e pasojave të mëtejshme juridike dhe institucionale deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe nuk duhet të ndërmerren hapa të rinj institucionalë që mund të ndikojnë në situatën kushtetuese që tashmë është bërë objekt shqyrtimi.

Në kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese kontestohen disa vendime të marra gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit.

Në mënyrë specifike, PDK ka kundërshtuar:

-vendimin e 9 shtatorit 2026 për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit;

-vendimin procedural të 11 shtatorit 2026 lidhur me mënyrën e votimit të nënkryetarëve;

-konstatimin e 13 shtatorit 2026 për konstituimin e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Kosovës.

PDK kërkon që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kushtetutshmërinë e këtyre vendimeve dhe procedurave, si dhe të përcaktojë pasojat juridike në rast se konstatohen shkelje të Kushtetutës.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se të mërkurën do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese edhe një tjetër çështje, që lidhet me formimin e Qeverisë së Kosovës. Top Channel