Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Patosi në këmbë, kundër bashkimit me Fierin: Qyteti i naftëtarëve nuk shkatërrohet


Banorët e Patosit kanë dalë sërish në protestë kundër projektit për bashkimin e Bashkisë Patos me Bashkinë Fier. Kjo është protesta e katërt e zhvilluar nga qytetarët, të cilët kundërshtojnë ndryshimet e propozuara në kuadër të reformës territoriale dhe kërkojnë që Patosi të vijojë të funksionojë si njësi vendore më vete.

Banorët e Patosit kanë dalë sërish në protestë kundër projektit për bashkimin e Bashkisë Patos me Bashkinë Fier. Kjo është protesta e katërt e zhvilluar nga qytetarët, të cilët kundërshtojnë ndryshimet e propozuara në kuadër të reformës territoriale dhe kërkojnë që Patosi të vijojë të funksionojë si njësi vendore më vete. Protestuesit shprehen kundër përfshirjes së qytetit në një bashki të përbashkët me Fierin, duke argumentuar se Patosi ka kapacitete për të administruar vetë territorin dhe financat e tij. Sipas tyre, bashkia është financiarisht e qëndrueshme dhe nuk mbart detyrime ndaj buxhetit të shtetit, ndërsa ndër vite janë realizuar investime të rëndësishme në raport me përmasat e qytetit. Një nga shqetësimet kryesore të banorëve lidhet me mënyrën se si do të shpërndahen investimet nëse Patosi do të bëhet pjesë e Bashkisë Fier. Ata kanë frikë se prioritetet do të përcaktohen nga qendra e bashkisë së re dhe se Patosi, së bashku me zonat përreth, mund të mbetet në një plan të dytë. “Paratë dhe investimet duhet të përdoren për të zgjidhur problemet që kemi këtu në Patos”, u shpreh një prej protestuesve, duke kërkuar që vendimmarrja për qytetin të vijojë të bëhet nga vetë komuniteti. Në protestë janë bashkuar edhe pensionistë, të cilët kanë ngritur shqetësime për të ardhmen e qytetit dhe shërbimet që do të ofrohen pas një bashkimi të mundshëm administrativ. Sipas tyre, largimi i vendimmarrjes nga Patosi mund të sjellë më pak vëmendje për nevojat konkrete të banorëve. Për protestuesit, çështja nuk lidhet vetëm me administrimin dhe financat, por edhe me historinë e qytetit. Patosi është i lidhur ngushtë me industrinë e naftës dhe me historinë e punëtorëve të këtij sektori, një trashëgimi që banorët thonë se duhet ruajtur.

“Ne këtu në Patos do të festojmë 100-vjetorin e grevës së parë të punëtorëve të naftës. Kjo histori duket se nuk njihet. Pse duan të shkatërrojnë qytetin e naftëtarëve të Patosit?”, kanë deklaruar protestuesit.

Banorët kundërshtojnë edhe idenë se bashkimi me Fierin do të ishte vetëm një ndryshim administrativ. Sipas tyre, një vendim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në mënyrën sesi planifikohen investimet, ofrohen shërbimet publike dhe përcaktohen prioritetet për territorin.

Ata kërkojnë që Patosi të ruajë autonominë vendore dhe që çdo ndryshim të mos bëhet, pa marrë parasysh vullnetin e komunitetit. Protestuesit thonë se do të vijojnë të kundërshtojnë projektin edhe në ditët në vazhdim.

Nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave, duke mos përjashtuar edhe bllokimin e rrugëve, që lidhin Patosin me zonat përreth.

Protesta e katërt tregon se kundërshtimi ndaj bashkimit administrativ vijon të jetë i fortë në Patos. Banorët insistojnë se qyteti duhet të mbetet bashki më vete, duke e lidhur këtë kërkesë jo vetëm me administrimin e territorit dhe investimet, por edhe me identitetin dhe historinë e një qyteti të ndërtuar rreth industrisë së naftës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Fieri kunder bashkimit me fierin Patosi protestam