Lajme Zone
Pastrimi i parave, Agjencia e Inteligjencës Financiare raporton te Ligjet: Ndërtimi sektor me risk të lartë, 24 mln euro të bllokuara në 4 vjet
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Pastrimi i parave, Agjencia e Inteligjencës Financiare raporton te Ligjet: Ndërtimi sektor me risk të lartë, 24 mln euro të bllokuara në 4 vjet

Agjencia e Inteligjencës Financiare raportoi në Komisionin e Ligjeve bilancin e luftës kundër pastrimit të parave, teksa opozita kërkoi llogari për efektivitetin e institucioneve. Kreu i AIF, Ervin Koçi, tha se në vitin 2025 janë bërë 269 referime, mbi 100 prej tyre të lidhura me pasuritë e paluajtshme

Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme mbeten ndër sektorët më të ekspozuar ndaj pastrimit të parave në Shqipëri. Nga 269 raste të referuara nga Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) te institucionet ligjzbatuese vetëm gjatë vitit 2025, mbi 100 lidhen me pasuritë e paluajtshme, ndërsa në periudhën 2022-2026 janë bllokuar rreth 24 milionë euro. Shifrat u bënë publike nga drejtori i Përgjithshëm i AIF-së, Ervin Koçi, gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve të projektligjit të ri “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. LEXO edhe...Reforma territoriale, Brahimi tek 'Ligjet': Bashkimi i bashkive ul kostot me mbi 30%! Korreshi: Po e bëni për të grumbulluar votat e PS “Në 2025 kemi 269 referime tek organet ligjzbatuese, 24 në prokuroritë e rretheve, 32 në SPAK, 133 në polici dhe 80 te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Nga këto, policia ka referuar 85-90% të rasteve tona. SPAK-u i ka vlerësuar dhe ka nisur investigimin penal për rastet tona”, tha Koçi gjatë seancës. Një tjetër e dhënë domethënëse e bërë publike gjatë diskutimeve lidhet me tregun e pronave. Sipas kreut të AIF-së, më shumë se 100 nga 269 rastet e referuara gjatë vitit 2025 kanë lidhje me pasuritë e paluajtshme, ndërsa ndërtimi klasifikohet si sektor me rrezik të lartë për pastrimin e parave. “Është e vërtetë që ndërtimi është sektor me risk të lartë në pastrimin e parave. Nëse njerëzit i mbajnë paratë të burgosura do të thotë që sistemi nuk i pranon këto para, në të kundërt do t'i fusnin në sistem, nuk do t'i mbanin. Nga 269 raste që kemi referuar, mbi 100 kanë të bëjnë me pasuritë e paluajtshme, prandaj na del me risk të lartë ndërtimi”, tha Koçi. “Nga 2022-2026 ne kemi bllokuar rreth 24 milionë euro, që u janë dërguar edhe organeve ligjzbatuese”, deklaroi Koçi. Debat pati edhe për ndikimin e parave të paligjshme në kursin e këmbimit. Bylykbashi e lidhi rënien e euros edhe me flukset e parasë së pistë, por kreu i AIF-së e kundërshtoi këtë argument duke iu referuar një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Sa i përket kursit të këmbimit, lexoni raportin e FMN-së. Vlerësimi i lekut ka ardhur për faktorë fondamentalë. Faktorët jo fondamentalë, ku përfshihet ekonomia informale, pastrimi i parave apo burime të tjera jo të ligjshme, janë shumë modestë. E thotë raporti i FMN-së që e kanë përgatitur pesë ekspertë”, tha Koçi. Edhe deputeti demokrat Saimir Korreshi kërkoi llogari për rezultatet e deritanishme të institucioneve, duke thënë se shqetësimi i opozitës nuk ishte përafrimi i ligjit me BE-në, por efikasiteti i tij në praktikë. “Që duhet ky përafrim me BE-në nuk ka kundërshti. Ne kemi pasur kundërshti pse nuk ka pasur eficiencë ligji, pse nuk keni qenë eficientë ju, se po hyn para e madhe. Kishte marrë burri i huaj edhe prerëse diamanti, makineri dylli për lekët. Po pastrohen paratë me kuintal.Mbi 20 apo 30 mijë pasuri të paluajtshme rrinë në emër të ndërtuesve, ndërkohë që aty banojnë njerëz”, tha Korreshi. Deputetët e opozitës kundërshtuan edhe ritmin me të cilin po shqyrtohej projektligji. Bylykbashi tha se një ligj me rreth 200 nene dhe me një rëndësi të tillë nuk mund të kalojë me shpejtësi në komision. “Nuk mund të vijë një ligj i tillë kaq i rëndësishëm në mënyrë të shpejtë. Situata është gangrenë me pastrimin e parave. Sot supozohet ta miratojmë nen për nen”, tha ai. Gent Strazimiri ironizoi edhe mënyrën e hartimit dhe volumin e disa dispozitave. “Duket sikur është bërë me ChatGPT, një nen gjashtë faqe. Të nxjerrim një ligj të duhur, por nuk mund të kalojë me 20 minuta në komision. Të ulemi ta shohim me pjekuri se nuk kalohet kështu. Nuk na vonon as integrimin, se kërkohet të futet në fuqi në 2028”, tha Strazimiri. Koçi sqaroi se projektligji, nëse miratohet, parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2028 dhe bazohet në qasjen sipas nivelit të rrezikut. Ai solli si shembull bankat e nivelit të dytë, të cilat i klasifikojnë klientët sipas rrezikut të ulët, të mesëm ose të lartë, duke kërkuar dokumentacion shtesë për kategoritë me rrezik më të lartë. Në fund, projektligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës. Katër deputetë të opozitës nuk morën pjesë në votim, ndërsa nuk pati vota kundër apo abstenime. U.D/ReportTv.al ervin koci agjencia e inteligjences financiare Komisioni i ligjeve pastrimi i parave gent strazimiri oerd bylykbashi Saimir Korreshi Komento Komente Sondazhi i ditës: Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale? Po 72% Jo 23.2% Jam i/e dyzyuar 4.8% Vota total: 1789 Sondazhi i ditës: Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?