Lajme Zone
Marrëveshja Rama-Meloni dhe hija e paktit Zog-Musolini: A po përsëritet historia?
PolitikëPamfleti

Marrëveshja Rama-Meloni dhe hija e paktit Zog-Musolini: A po përsëritet historia?

Biseda u shndërrua në një reflektim mbi historinë e Shqipërisë, kujtesën, dinjitetin dhe mënyrën se si marrëdhëniet me fuqitë e huaja mund të shihen ndryshe kur ato vendosen përballë përvojës historike.

Foto Pamfleti / Nga marrëdhënia e Shqipërisë me Italinë e Musolinit te marrëveshja e sotme për emigrantët, Lea Ypi rikthehet te pyetja se çfarë ndodh kur interesat strategjike vihen përpara dinjitetit dhe çfarë duhet të mësojmë nga e kaluara... Shkrimtarja dhe filozofja politike Lea Ypi dialogoi në Mantova me gazetarin Christian Elia, në kuadër të Festivaletteratura, për librin e saj të ri Dignità (Dinjiteti), botuar këtë vit nga Feltrinelli.

Biseda u shndërrua në një reflektim mbi historinë e Shqipërisë, kujtesën, dinjitetin dhe mënyrën se si marrëdhëniet me fuqitë e huaja mund të shihen ndryshe kur ato vendosen përballë përvojës historike.

Në këtë kuadër, marrëdhënia e sotme mes Tiranës dhe Romës merr një dimension të veçantë. Marrëveshja Rama-Meloni për menaxhimin e emigrantëve në Shqipëri e rikthen në diskutim pyetjen se çfarë çmimi paguan Shqipëria kur një marrëveshje me një fuqi më të madhe, ndërtohet mbi interesa që nuk janë domosdoshmërisht të barabarta. Paralelja me periudhën e Ahmet Zogut dhe marrëdhëniet e tij me Italinë e Benito Musolinit nuk nënkupton se dy epokat janë të njëjta. Rrethanat historike, sistemet politike dhe vetë natyra e marrëveshjeve janë krejt të ndryshme. Por historia shqiptare ofron një pikë referimi të vështirë për t’u anashkaluar: marrëdhëniet e ngushta me Italinë fashiste u shoqëruan me një varësi gjithnjë e më të madhe ekonomike dhe politike, e cila kulmoi me pushtimin italian të Shqipërisë në vitin 1939.

Pikërisht këtu qëndron një nga pyetjet që ngre edhe libri i Ypit: Çfarë ndodh me dinjitetin e një vendi kur marrëdhëniet ndërkombëtare shihen vetëm përmes interesit të momentit? Dhe çfarë mund të na mësojë e shkuara kur një vend i vogël negocion me shtete shumë më të fuqishme?

Libri i Ypit nis nga një fotografi bardhezi që shfaqet pothuajse rastësisht në rrjetet sociale. Është viti 1941 dhe në të gjyshja e saj, Leman, shfaqet në Alpe së bashku me bashkëshortin, Asllanin. Të rinj, elegantë dhe në udhëtim martesor, ata shfaqen në një Evropë që tashmë ishte përfshirë nga lufta.

Fotografia bie ndesh me historinë familjare me të cilën Ypi ishte rritur. Sipas rrëfimit që ajo kishte dëgjuar, gjurmët e rinisë së gjyshes ishin zhdukur gjatë viteve të para të regjimit komunist shqiptar. Kjo mospërputhje bëhet pikënisja e një kërkimi për jetën e Lemanit dhe, përmes saj, për historinë e vetë familjes.

Kërkimi e çon Ypin deri te bota e aristokracisë osmane nga e cila vinte gjyshja e saj. Leman ishte rritur në Selanik si mbesa e një pashai dhe kur ishte vetëm 18 vjeçe qe vendosur me banim në Tiranë. Atje takoi Asllan Ypin, një socialist të afërt me Frontin Popullor.

Historia e tyre private u ndërthur me tronditjet që përjetonte Shqipëria dhe Ballkani. Rënia e Perandorisë Osmane, krizat ekonomike, dy luftërat botërore dhe vendosja e komunizmit nuk janë thjesht sfond historik. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në fatet e njerëzve dhe familjeve.

Kjo është edhe një nga idetë themelore të librit: historia e madhe nuk ndodh diku larg individit, por hyn në shtëpi dhe ndryshon jetën e tij.

Po çfarë mund të mësojmë nga e kaluara?

Për Ypin, problemi nuk është vetëm të zbulosh çfarë ka ndodhur, por edhe të kuptosh se sa e sigurt është ajo që mendojmë se dimë. Dokumentet e policisë sekrete, dëshmitë gjyqësore, kujtimet familjare dhe imagjinata nuk japin gjithmonë të njëjtin version të historisë.

Arkivat, thekson ajo, nuk janë kurrë plotësisht neutrale. Ato pasqyrojnë institucionet dhe pushtetin që i kanë krijuar e ruajtur. Për këtë arsye, merr rëndësi edhe kujtesa individuale. Ajo mund të jetë e paplotë dhe subjektive, por mund të ruajë pjesë të një historie që dokumentet zyrtare nuk e tregojnë.

Këtu libri i Ypit kthehet në një reflektim më të gjerë mbi Shqipërinë. Një shoqëri nuk mund ta kuptojë plotësisht të tashmen nëse e sheh të shkuarën vetëm si një kapitull të mbyllur. Historia duhet të shërbejë si një mekanizëm kujtese, sidomos kur vendi përballet sërish me marrëdhënie të pabarabarta dhe vendime me pasoja afatgjata.

Në këtë kuptim, paralelja mes marrëveshjeve të sotme dhe marrëdhënieve të periudhës së Zogut me Italinë e Mussolinit nuk është një barazim historik. Është një pyetje mbi mësimin që mund të nxirret prej historisë: Si ruhet dinjiteti i një shteti të vogël kur ai kërkon aleanca, investime dhe mbështetje nga shtete më të fuqishme?

Dinjiteti si vijë ndarëse

Në sfondin e gjithë librit qëndron koncepti i dinjitetit. Për Ypin, ai lidhet me hendekun mes idealit që kemi për veten dhe realitetit që arrijmë të ndërtojmë. Kjo ide bëhet veçanërisht e rëndësishme kur flitet për shtetësinë.

Sipas Ypit, koncepti tradicional i qytetarisë është tepër i lidhur me kombin dhe nuk arrin gjithmonë të përfshijë realitetet hibride të njerëzve që jetojnë, punojnë dhe krijojnë familje përtej kufijve. Pikërisht këtu lidhet edhe përvoja e saj personale.

Fëmijët e Ypit jetojnë në Britani, ku ajo vetë jeton dhe punon, dhe ajo përpiqet t'i rrisë me idenë se përkatësia nuk duhet të kufizohet nga një kufi i vetëm kombëtar.

Shqipëria dhe Italia, nga historia te marrëveshja e sotme

Në diskutimin në Mantova, Ypi foli edhe për marrëdhënien aktuale mes Shqipërisë dhe Italisë, duke qenë veçanërisht kritike ndaj marrëveshjes për qendrat e pritjes së emigrantëve në Shqipëri.

Sipas saj, fakti që Italia ka ndërtuar qendra për menaxhimin e emigrantëve në territorin shqiptar mund të shihet si një marrëdhënie me gjurmë koloniale. Në të njëjtën kohë, ajo vëren një kontrast mes kësaj qasjeje dhe mënyrës pozitive me të cilën politika shqiptare e paraqet bashkëpunimin me Italinë.

Ypi e lidh këtë edhe me një llogaritje strategjike të Tiranës: forcimin e marrëdhënieve me forcat e djathta evropiane dhe krijimin e një klime më të favorshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Është pikërisht ky tension që e bën historinë të rikthehet në qendër të debatit. Në vitet ’20 dhe ’30, Shqipëria e Zogut u përball me një Itali shumë më të fuqishme, ndërsa varësia ekonomike dhe politike ndaj Romës u thellua gradualisht. Marrëdhënia përfi në pushtimin italian të vitit 1939. Sot Shqipëria është një shtet sovran, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian. As marrëveshja Rama-Meloni nuk mund të vendoset mekanikisht në të njëjtën kategori me marrëveshjet e periudhës së Zogut. Por pikërisht sepse historia nuk përsëritet kurrë identikisht, pyetja mbetet e vlefshme: A janë mësimet e saj ende të dobishme, kur Shqipëria negocion me një Itali shumë më të madhe ekonomikisht dhe politikisht?

Në fund, Dinjiteti i Lea Ypit nuk është vetëm historia e një familjeje shqiptare. Është një përpjekje për të kuptuar se si kujtesa ndikon në mënyrën se si një shoqëri e sheh veten dhe marrëdhëniet e saj me të tjerët.

Një fotografi e vitit 1941, e çon autoren drejt historisë së gjyshes së saj, por rrëfimi përfn te një pyetje që mbetet aktuale edhe sot: Kur Shqipëria hyn në marrëveshje me fuqitë e mëdha, çfarë duhet të mbrojë mbi gjithçka tjetër?

Përgjigjja që sugjeron vetë titulli i librit është dinjiteti. Dhe pikërisht kujtesa e së shkuarës mund të shërbejë si kujtesë për të tashmen. Aleancat dhe marrëveshjet mund të jenë të nevojshme, por mënyra se si negociohen dhe çmimi që paguhet për to mbeten pjesë e historisë që do të gjykohet nesër./Pamfleti nga “Heraldo.it”rama meloni ahmet zogu benitto musolini Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Skandali i SHISH, Bardhi shpërthen ndaj Ballës: Sigurinë kombëtare ia kemi besuar Gysit, Rama të vijë të japë llogari 1 Tetor 2026, 10:0910:09Politike Arrestimi i Vlora Hysenit/ Opozita kërkon mocion me debat, PS kundër: Çështja t’i lihet SPAK-ut 1 Tetor 2026, 10:0510:05Politike Takimi me ministrin Hoxha, Ambasada e SHBA zbardh prioritetet e ambasadorit Wendt 1 Tetor 2026, 10:0010:00Politike Arrestimi i Vlora Hysenit/ PD kërkon mocion me debat, Konferenca e Kryetarëve shqyrton sot kërkesën 1 Tetor 2026, 08:0608:06Politike "Shqipëria do të përballet me një problem të madh"/ Kryebashkiaku i Dubrovnikut leksion Ramës: Mëso nga gabimet e të tjerëve! 1 Tetor 2026, 07:3607:36Politike Dosja e SHISH, ish-ministri paralajmëron: Brenda 3-4 javësh do të dalë një tjetër skandal 30 Shtator 2026, 21:1821:18Politike