Eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka ndarë përshtypjet nga vizita e saj në Shqipëri, ku mori pjesë në mbledhjen ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri, si edhe në protestën qytetare që po zhvillohet prej javësh në Tiranë. Përmes një reagimi , Guarda tha se gjatë qëndrimit në vend është njohur nga afër me shqetësimet e qytetarëve lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe projektet e zhvillimit në zonat e mbrojtura. Sipas saj, në disa raste interesat ekonomike po vendosen mbi ruajtjen e natyrës dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.
Eurodeputetja u ndal veçanërisht te zona e mbrojtur Vjosa–Nartë, të cilën e cilësoi si një rast me rëndësi të veçantë, por shtoi se problematika mjedisore në Shqipëri nuk kufizohet vetëm në këtë zonë.
Guarda theksoi se procesi i integrimit europian duhet të mbështetet te respektimi i vlerave të Bashkimit Europian, mbrojtja e mjedisit dhe garantimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Ajo shtoi se do të vijojë ta ndjekë nga afër këtë proces dhe të ngrejë shqetësimet që lidhen me mbrojtjen e natyrës në Shqipëri.
Reagimi i eurodeputetes Cristina Guarda: Ky (dhe jo vetëm ky) është realiteti që pashë në Shqipëri javën e kaluar.
E tregova dhe ndava përvojën time gjatë mbledhjes ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri.
Shqetësimin e shumë njerëzve në terren, por edhe qëndrimin e rëndë të atyre që, në politikë, vazhdojnë ta vendosin në plan të dytë mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve. Sepse për ta, në radhë të parë vjen fitimi – një model zhvillimi ekonomik i papajtueshëm me shëndetin e territorit.
Zona e mbrojtur Vjosa–Nartë është rasti, shumë i rëndë, mbi të cilin ne u përqendruam. Por nuk është i vetmi dhe mund të shërbejë si një mundësi për të reflektuar politikisht mbi vlerat europiane.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të ndodhë në këtë frymë: në mbrojtje të vlerave, në respekt të mjedisit dhe në aktivizimin e komunitetit, duke garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Ai duhet të marrë parasysh edhe parimin e “mosregresit” në mbrojtjen e mjedisit.
Do të vazhdoj ta ndjek dhe t’jua tregoj këtë proces. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

