Një pasagjere që udhëtonte në linjën Basel–Prishtinë ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania për të denoncuar një incident të ndodhur gjatë udhëtimit, si dhe mënyrën se si situata është menaxhuar më pas.
Ajo tregon se momentet brenda avionit kanë qenë jashtëzakonisht të frikshme dhe traumatizuese. Pas incidentit, pasagjerët kanë qëndruar për rreth një orë brenda avionit, pa marrë informacion të qartë se çfarë kishte ndodhur apo se çfarë do të ndodhte më tej.
Pas rreth një ore, pasagjerët janë transportuar me autobus brenda aeroportit, por edhe në këtë moment, sipas denoncueses, nuk kanë marrë sqarime konkrete për situatën.
Shqetësimi i saj vijon edhe për bagazhet. Pasagjerët, sipas saj, nuk kanë informacion se ku ndodhen valixhet e tyre, kur do t’i marrin apo se kujt duhet t’i drejtohen për këtë çështje.
Pasagjerja thotë se ka shkuar personalisht pranë zyrës së GP Aviation, por nuk ka gjetur askënd. Edhe tentativat për të kontaktuar kompaninë në telefon, sipas saj, kanë rezultuar pa përgjigje.
Ajo thekson se, përveç frikës së shkaktuar nga incidenti, mungesa e informacionit ka shtuar edhe më shumë panikun dhe pasigurinë te pasagjerët.
Sipas saj, në një situatë të tillë, pasagjerët meritonin të paktën një komunikim të qartë mbi atë që kishte ndodhur, hapat që do të ndiqeshin dhe fatin e bagazheve të tyre.
