Një ditë pasi takoi dhe falënderoi policët për “punën e mirë që po bëjnë në protesta”, kryeministri takoi drejtuesit e arsimit, për të folur mbi masat që duhen marrë për të mos lejuar nxënësit të dalin në protestë.
Tani, nëse flasim për nxënësit, besoj se këtu ka një gabim.
Fillimisht flitet me mësuesit. Sepse mësuesi është hallka e parë e zinxhirit të edukimit. Polici me shkop gome është hallka e fundit. Ai thirret kur kanë dështuar të gjitha hallkat e tjera.
Ata të rinj mund të jenë, siç i cilësoi qeveria, “huliganë, injorantë, provincialë të periferisë që nuk dinë as shkrim e këndim, njerëz pa interesa…”. Por, edhe nëse janë kështu, ata janë produkt i qeverisjeve të këqija dhe, para së gjithash, i cilësisë së dobët të arsimit.
-Ku dhe si janë edukuar këta të rinj?
-A i drejtoi kush në bibliotekë për t’i lidhur me librin?
-A i dërgoi kush të vizitonin një muze?
-A i çoi kush në teatër apo në cirk?
-Ku e kaluan kohën e lirë kur ishin fëmijë? Në cilin park luajtën?
-Në cilën qendër pas shkollore shkuan për t’u argëtuar e kulturuar?
Sot i kërkohet shkollës të mbyllë dyert dhe të mbledhë informacion për të mbyllur rrjetet sociale. Jo për t’i edukuar, por për t’i larguar nga protestat.
Çfarë të rinjsh kemi edukuar?
Çfarë shtetasish i kërkojmë shkollës të formojë?
“Petalet e partisë”, servilë të nënshtruar, të rinj pa integritet, pa shtyllë kurrizore, të bindur se suksesi kalon përmes servilizmit dhe bindjes ndaj shefit?
Kjo është fatale!
Ne duhet të edukojmë të rinj kurajozë, rebelë socialë, kokëlartë, jo servilë, të panënshtruar, të gatshëm të ngrenë krye përballë padrejtësive. Po, të gatshëm edhe të përleshen kur mendojnë se kanë të drejtë, sepse Atdheut i duhet një brez njerëzish që janë gati edhe ta japin jetën e tyre për të, dhe jo butakë!
Prandaj, shkollën nuk duhet ta rreshtojmë në të njëjtin krah me policinë, për t’i kërkuar të punojë që të brumosë një brez të nënshtruar.
Me mësuesit nuk mund të flitet një ditë pasi u është premtuar shpërblim policëve që rrahin nxënësit e “paedukuar” në protestë.
Më saktë, në fillim duhet të shpërblehen mësuesit, pastaj policët!/ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

