Qindra njerëz janë mbledhur në Hong Kong për të parë nga afër një prej pikturave më të rralla të Vincent van Gogh, e cila nuk është ekspozuar publikisht për më shumë se 60 vjet.
Bëhet fjalë për veprën “Pemët e gështenjës në lulëzim”, e realizuar në maj të vitit 1890, pak muaj para vdekjes së artistit holandez. Piktura pritet të dalë në ankand më 18 nëntor në New York, përmes shtëpisë së ankandeve Sotheby’s, me një vlerë të parashikuar prej rreth 180 milionë dollarësh.
Vepra paraqet pemë gështenje në lulëzim dhe pasqyron përdorimin karakteristik të ngjyrave të gjalla nga Van Gogh. Ajo u realizua gjatë qëndrimit të tij në Auvers-sur-Oise të Francës, ku artisti kaloi muajt e fundit të jetës. Van Gogh ndërroi jetë në korrik të vitit 1890, në moshën 37-vjeçare.
Piktura ka kaluar nëpër disa koleksione private ndër vite dhe në vitin 1975 u ble nga familja argjentinase Blaquier. Që prej asaj kohe, ajo ka qëndruar larg ekspozimit publik për dekada, duke e bërë prezantimin e saj në Hong Kong një ngjarje të veçantë për admiruesit e artit.
Vepra është pjesë e një koleksioni prej 12 pikturash impresioniste dhe postimpresioniste që do të dalin në ankand në nëntor, me një vlerë të përgjithshme të parashikuar rreth 450 milionë dollarë. Mes tyre përfshihen edhe punime të Paul Cézanne dhe Claude Monet.
Nëse shitet për vlerën e parashikuar, piktura e Van Gogh mund të renditet mes veprave më të shtrenjta të artistit të shitura ndonjëherë në ankand.

