Pas publikimit të videos nga JOQ Albania, ku një drejtues automjeti shfaqej duke kryer manovra të rrezikshme në rrugën interurbane kryesore Fier-Lushnjë, Policia ka reaguar duke identifikuar dhe ndëshkuar shoferin. Në pamje, automjeti lëvizte në mënyrë të përsëritur në formë zig-zag, duke krijuar rrezik për drejtuesit e tjerë dhe duke rritur mundësinë e një aksidenti.
Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, drejtuesi i automjetit është ndëshkuar me gjobë 60 mijë lekë, bazuar në pikat 5 dhe 8 të nenit 139 të Kodit Rrugor. Reagimi i policisë erdhi pas publikimit të pamjeve, të cilat sollën në vëmendje sjelljen e rrezikshme të shoferit në një prej akseve kryesore të qarkullimit.
Policia e Fierit u ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë në 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas uniformave blu, çdo denoncim do të trajtohet me seriozitet dhe do të pasohet me verifikimin dhe marrjen e masave përkatëse, në përputhje me ligjin.

