Policia ka parandaluar një tentativë të dyshuar për vrasje me armë zjarri pas një konflikti me armë në Divjakë. Menjëherë pas njoftimit se në një lokal në pronësi të shtetasit Z. K., 50 vjeç, po ndodhte një konflikt me sende të forta, shërbimet e Policisë janë afruar në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin O. L., 22 vjeç, dhe shtetasin Sh. Xh., 51 vjeç, të cilët ishin dëmtuar gjatë konfliktit me sende të forta. Shtetasit O. L. dhe Sh. Xh., pasi kanë marrë mjekim dhe kanë përfunduar deklarimet në Komisariat, janë larguar në banesat e tyre. Gjatë kryerjes së veprimeve, Policia mori njoftim në rrugë operative se një prej autorëve, shtetasi O. L., disa orë më vonë ishte rikthyer te lokali i armatosur me një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe dyshohet se do të vriste shtetasin Sh. Xh. Ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi vrasjen, nderkaq u bë e mundur vënia në pranga e shtetasve: O. L., 22 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë. Këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me silenciator, me fishek në fole, gati për qitje. K. S., 45 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë. S. D., 28 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Ky shtetas drejtonte automjetin me të cilin O. L. ishte rikthyer te lokali pas disa orësh. S. A., 30 vjeç, i cili dyshohet se ka tentuar të heqë armën e zjarrit nga automjeti i shtetasit K. S. Z. K., 50 vjeç, pronari i lokalit, i arrestuar për moskallëzim krimi. Sh. Xh., 51 vjeç, i arrestuar për moskallëzim krimi, pasi gjatë hetimit ka rezultuar se në deklarimin e tij nuk ka treguar të vërtetën lidhur me konfliktin. Gjatë operacionit u sekuestruan dy pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, si dhe katër automjete e gjashtë aparate celulare. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal të personave të përfshirë.
