Lajme Zone
86-vjeçari italian do të martohej me shqiptaren 35 vite më të re, gjykata i ndalon
EkonomiJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

86-vjeçari italian do të martohej me shqiptaren 35 vite më të re, gjykata i ndalon

Një martesë që duhej të ishte një vendim personal mes dy njerëzve ka ngritur dyshime te autoritetet italiane dhe ka përfunduar në duart e Prokurorisë së Firences.

Një martesë që duhej të ishte një vendim personal mes dy njerëzve ka ngritur dyshime te autoritetet italiane dhe ka përfunduar në duart e Prokurorisë së Firences.

Ngjarja ka ndodhur në Mugello, në zonën e Firences, ku një 86-vjeçar italian kishte nisur procedurat për t’u martuar me një 51-vjeçare me origjinë shqiptare. Diferenca e moshës mes tyre është 35 vjet.

Sipas raportimeve të mediave italiane, burri kishte mbetur i ve pak kohë më parë dhe u kishte treguar familjarëve se dëshironte të martohej me 51-vjeçaren. Të dy u paraqitën në muajin prill në zyrat e gjendjes civile për të nisur procedurat.

Por gjatë kontrollit të dokumenteve dhe komunikimit me të moshuarin, zyrtari i gjendjes civile vuri re disa detaje që ngritën dyshime. 86-vjeçari, sipas raportimeve, dukej i hutuar dhe kishte vështirësi të shpjegonte në mënyrë të qartë arsyet e vendimit për martesë.

Në fokus të vëmendjes së autoriteteve u vendosën edhe disa transaksione financiare. Dyshohet se burri i kishte dhënë gruas shuma të konsiderueshme parash.

Një element tjetër që komplikoi situatën ishte firma në dokumentet e martesës. Çifti kishte zgjedhur regjimin e bashkësisë së pasurisë, por firma e 86-vjeçarit në dokument nuk përputhej me një firmë të mëparshme të tij, të vendosur në prani të nëpunësit të gjendjes civile. Kur u pyet për të, ai mohoi se firma ishte e tij.

Dyshime të tjera u ngritën lidhur me pasurinë e të moshuarit. Gjatë verifikimeve, ai nuk dukej në gjendje të jepte një pasqyrë të qartë mbi pronat e paluajtshme që kishte në zotërim.

Të gjitha këto rrethana bënë që procedura e martesës të mos vijonte. Çështja më pas kaloi në nivel gjyqësor, ndërsa Prokuroria e Firences nisi hetimet për veprën e njohur në Itali si “circonvenzione di incapace”, që lidhet me shfrytëzimin e një personi të cenueshëm ose me aftësi të kufizuara për të marrë vendime, me qëllim përfitimi.

Në këtë procedim, 86-vjeçari trajtohet si personi i dëmtuar. Autoritetet po hetojnë nëse ai e ka marrë vendimin për martesë me vullnet të plotë dhe me vetëdije, apo nëse gjendja e tij është shfrytëzuar nga persona të tjerë.

Rasti u bë i ditur fillimisht nga “La Nazione” dhe më pas u raportua edhe nga media të tjera lokale italiane, mes tyre “OK!Mugello” dhe “Il Filo del Mugello”.