Një përshkallëzim i mëtejshëm i një konflikti është parandalua mbrëmjen e djeshme nga policia, ku një 33-vjeçar në Kavajë është vënë në pranga pasi ka kanosur me armë zjarri një 19-vjeçar. Sipas raportimit të policisë, në pranga ka rënë A. H., 33 vjeç, pasi ka kanosur me armë D. T., 19 vjeç, në aksin rrugor “Rrogozhinë-Kavajë”. Arma e zjarrit është fshehur afër vendit të ngjarjes, ndërsa janë gjetur edhe municion luftarak i kalibrave të ndryshëm. Njoftimi i plotë i Policisë: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, mbrëmjen e djeshme, pasi morën informacion se një shtetas ishte kanosur me armë zjarri, gjatë një konflikti, në fshatin Kryeluzaj, organizuan menjëherë punën për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe kapjen e autorit. Në kuadër të operacionit të koduar “Reaction”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi: -A. H., 33 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kanosja”. Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në një subjekt, në aksin rrugor “Rrogozhinë-Kavajë”, ka kanosur me armë zjarri shtetasi, banues në fshatin Kryeluzaj. Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar pistoletën, të cilën 33-vjeçari e kishte fshehur afër vendit të ngjarjes, në fshatin Kryeluzaj. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. H., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës sasi municioni luftarak i kalibrave të ndryshëm. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
