Për këdo që e dëgjon, numri shumë i madh i të paraburgosurve në raport me të burgosurit në Shqipëri – 62 për qind, afërsisht dy në tre – padit një drejtësi jakobine e të pashpirt. Mbi nëntëdhjetë për qind e këtyre të paraburgosurve në hetim, të dënuar në shkallën e parë apo në pritje të vendimeve të formës së prerë nga Apeli, janë subjekt i prokurorive dhe gjykatave të rretheve. Tetë deri në nëntë për qind u përkasin SPAK-ut dhe GJKKO-së. Edhe nga ky grup, shumica janë eksponentë të botës së krimit të organizuar, trafiqeve, vrasjeve, pengmarrjeve dhe veprave të tjera të rënda kriminale, për të cilat nuk ka njeri me dy para mend në kokë që do të kërkonte hetim në gjendje të lirë. Pakica janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të politikës e të administratës, të akuzuar kryesisht për korrupsion. Duke qenë se këto shifra janë pikënisja e një drafti me 105 nene të reja, të propozuar nga kryeministri Rama për t’u futur në Kodin e Procedurës Penale, ka qenë dhe është e nevojshme që Ministria e Drejtësisë të japë përqindje të përditësuara të këtij mozaiku, pa u mjaftuar me një shifër të rrumbullakosur. LEXO edhe...Mero Baze: Një nen i padobishëm që ngatërron prokurorin fajtor me lajmësit Publiku ka nevojë të dijë saktë se sa prej të paraburgosurve në të dyja nivelet janë aty për vepra penale që e përjashtojnë bindshëm, për të mos thënë automatikisht, hetimin në gjendje të lirë. Sa prej tyre janë aty për shkak të taktikës së njohur të zvarritjeve të qëllimshme të çështjeve në Apel, me qëllim që të përfitojnë bonusin e njohur të llogaritjes së një viti e gjysmë burg për çdo vit paraburgim? Ministria duhet të kishte qenë konkrete gjithashtu në raportimin e efekteve që ka pasur Vendimi i Unifikuar i Gjykatës së Lartë, i cili ka në fokus pikërisht uljen e numrit të paraburgimeve, shoqëruar me propozime të vlefshme për trajtimin dhe dënimin si kundërvajtje të shumë shkeljeve të vogla. Kriminalizimi i këtyre të fundit, së paku në retorikë, ka njohur si kampion të tranzicionit pikërisht kryeministrin Rama, kur daullja e tij gjëmonte "burg, burg, burg" deri edhe për drita të papaguara në kohë apo për një mur rrethues shtëpie. Pa statistika të zbërthyera dhe referime realiste të burimit të problemeve, nismat ligjore rrezikojnë gjithmonë të jenë "me bisht". Rama duhet t’i ketë pasur ato, por i kanë interesuar veçanërisht të rrumbullakosura. Për të kuptuar se ku rrahin predhat e draftit të paraqitur prej tij para një plateje prokurorësh e gjyqtarësh të elitës – ku asnjë prej tyre nuk rezulton të ketë qenë i informuar për brendinë e tij – duhet të mbajmë parasysh një tjetër të vërtetë të madhe: nëntëdhjetë përqindëshi i të paraburgosurve nga prokuroritë dhe gjykatat e rretheve pak ose aspak ka të bëjë me Drejtësinë e Re. Kjo e fundit e ka marrë këtë epitet falë dy shtyllave të saj: Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Gjykatës së Posaçme (GJKKO). Të dyja janë të diktuara nga SHBA-BE dhe të pranuara si sui generis nga Komisioni i Venecias, si mënyra e vetme për të luftuar pandëshkueshmërinë kronike në sferat e larta në Shqipëri. Rama qartazi i fut në një thes këto të vërteta, duke dashur të tërheqë jorganin e një përgjegjësie të shtrirë në kohë nga "drejtësia e vogël" e rretheve te e posaçmja, e madhja. Ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha. Drafti me 105 nene do t’i nënshtrohet konsultimit me grupet e interesit dhe publikun e gjerë. Gjithë publiku ka arsye të ndihet si grup interesi dhe të jetë syçelë se çfarë po tentohet të arrihet. Janë të mirëpritura dhe meritojnë miratim dispozitat e reja që pamundësojnë paraburgime të panevojshme dhe garantojnë të drejta të standardeve bashkëkohore për të akuzuarit. Përfshirë, sipas meje, të drejtën e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të akuzuar për korrupsion për të mos u mbajtur në paraburgim pasi akuza përfn në gjykatë dhe arsyet e paraburgimit bien. Përtej këtij miratimi, shihet se që tani ka shumë profesionistë të fushës dhe media investigative që po ngrenë alarmin e instrumentalizimit dhe përdorimit të 62 përqindëshit si casus belli për t’i vështirësuar sa të jetë e mundur punën SPAK-ut, për t’i treguar vendin, për ta shkurajuar, e mundësisht për të hequr nga vaska foshnjën bashkë me ujin. Dispozitat e reja në emër të barazisë së palëve në hetim – kur të barabartë nuk janë nga natyra e gjësë, duke qenë se hetimi duhet ta zbulojë të vërtetën, kurse i akuzuari e fsheh atë – të krijojnë përshtypjen se prokurorët dhe agjentët e BKH-së duhet t’i fotografojnë dhe t'i filmojnë zyrtarët në vend duke bërë marrëveshje e duke marrë paratë e krimit. Përndryshe nuk u quhet. Mënyrat klasike dhe bashkëkohore të zbulimit të krimeve, gjithnjë e më të sofistikuara nga vetë sofistikimi i krimit në epokën e teknologjisë digjitale, injorohen me infantilizëm. Në draftin e ri parashikohet që Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), i cili ka kompetencë të ndërhyjë për çdo shkelje, por pas përfundimit të proceseve në gjykatë, mund të ndërhyjë tani përgjatë hetimit dhe gjykimit si një hallkë e tepërt. Djalli fle në detaje, thotë shprehja e njohur gjermane. Në draftin e Ramës djaj të tillë gjen disa. Përfshirë "statusin" e ri që merr korrupsioni në krahasim me krimet e terrorizmit, krimet kundër jetës, krimet seksuale, rrëmbimet dhe trafiqet. Nuk them se korrupsioni qëndron në një plan me terrorizmin apo me vrasjet. Absolutisht jo. Por ai është akoma shumë aktiv në Shqipëri, është akoma problemi i problemeve në raport me integrimin tonë në BE. Çdo përpjekje për të vështirësuar luftën kundër tij në këto kushte jep një sinjal të gabuar, për të mos thënë se shërben si kushtrim për zyrtarët e prirur për t'u korruptuar dhe për malavitën në përgjithësi. Me të drejtë kryeministri përmend shpesh se kemi njëqind vjet pandëshkueshmëri në sferat e larta të pushtetit. Më në fund kemi pesë-gjashtë vite ndëshkueshmëri. Edhe kjo me pikatore, pasi në pak raste e kemi parë të finalizohet në sallën e gjyqit me vendime të formës së prerë. Është shumë shpejt, shumë e gabuar dhe spekulative një përmbysje e narrativës për interesa personale, sikur kaluam nga ndëshkueshmëria në inkuizicion. Të relativizosh korrupsionin do të thotë të relativizosh të tërën. Është të harrosh pse u bë reforma. Të tradhtosh dëshirën e zhbërjes së Drejtësisë së Re. Por ajo nuk ka gjasa as të zhbëhet, as të kastrohet. Kjo do të na kushtonte mbylljen e dyerve të BE-së, aleancën strategjike me SHBA-në dhe vetë sundimin e ligjit./ Mapo.al SI.E./ReportTv.al kodi i procedures penale preç zogaj Komento Komente Sondazhi i ditës: Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale? Po 69.2% Jo 25.9% Jam i/e dyzyuar 4.9% Vota total: 3863 Sondazhi i ditës: Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?
