Një incident i rëndë në kabinën e pilotimit detyroi një avion të kompanisë “Flydubai”, që po fluturonte nga Dubai drejt Tel Avivit, të bënte ulje emergjente në Tabuk të Arabisë Saudite. Sipas CNN, që citon dy burime izraelite, bashkëpiloti dyshohet se goditi me thikë komandantin dhe tentoi të merrte kontrollin e avionit. Ende nuk është e qartë nëse synimi ishte ta rrëzonte avionin apo ta ulte për të marrë peng pasagjerët. Fluturimi FZ1073 ishte nisur nga Dubai në orën 07:05 sipas orës lokale dhe kishte për destinacion aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv. Rreth dy orë më vonë, sistemi i monitorimit të fluturimeve regjistroi një manovër të pazakontë. Sipas të dhënave të FlightRadar24, avioni humbi rreth 5.300 metra lartësi lartësi në më pak se dy minuta, ndërsa në një moment tjetër zbriti rreth 4 200 metra për vetëm 29 sekonda, një profil që ekspertët e konsiderojnë jashtë normales për një avion pasagjerësh. LEXO edhe...Itali/ Hiri i vullkanit Etna paralizon aeroportin e Katanias për të dytën ditë radhazi, pezullohen të gjitha fluturimet deri në mesnatë Pak minuta më pas avioni transmetoi fillimisht kodin 7700, që sinjalizon një emergjencë të përgjithshme, dhe më vonë kodin 7500, i përdorur për rrëmbim avioni. Sinjalet alarmuan menjëherë autoritetet saudite, jordaneze dhe izraelite, ndërsa Izraeli ngriti në ajër avionë luftarakë dhe ndaloi hyrjen e avionit në hapësirën e tij ajrore. Dëshmitë e pasagjerëve japin një tablo dramatike të asaj që ndodhi në bord. Yasmin Abukasi, nëna e një pasagjereje, i tha Reuters se vajza e saj i tregoi se komandanti bërtiste për ndihmë, ndërsa në kabinë kishte shumë gjak. Sipas saj, një person me thikë sulmoi pilotin dhe vetëm ndërhyrja e pasagjerëve dhe e pilotëve të tjerë që ndodheshin rastësisht në avion bëri të mundur neutralizimin e tij dhe rimarrjen e kontrollit të avionit. Edhe një pasagjer, Yitzhak Lieber, tha për Channel 12 se agresori u neutralizua nga udhëtarët. Në një video të publikuar në rrjetet sociale ai shfaqet duke thënë se "terroristi u neutralizua", ndërsa shton se njëri pilot ishte plagosur rëndë dhe tjetri, edhe pse i lënduar, arriti ta ulte avionin në mënyrë të sigurt. Sipas autoriteteve saudite, si komandanti ashtu edhe bashkëpiloti u transportuan në spital pas uljes në Tabuk. Pasagjerët mbetën në terminal, ndërsa “Flydubai” nisi procedurat për të dërguar një avion tjetër që do t'i çonte drejt Tel Avivit. Ndërkohë, identiteti i ekuipazhit ka marrë një kthesë. Raportimet e para të mediave izraelite flisnin për një pilot rus dhe një bashkëpilot ukrainas, por më vonë Ynet dhe CNN raportuan, duke cituar zyrtarë izraelitë, se bashkëpiloti ishte shtetas i Omanit, ndërsa komandanti nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Pikërisht kjo ka bërë që autoritetet izraelite të nisin verifikime se si një pilot nga Omani, vend që nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin, ishte autorizuar të kryente një fluturim drejt Tel Avivit. Ngjarja mobilizoi menjëherë drejtuesit më të lartë të sigurisë në Izrael. Kryeministri Benjamin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes dhe drejtuesit e ushtrisë zhvilluan konsultime urgjente, ndërsa Shin Bet, Mossad dhe ushtria po hetojnë nëse bëhet fjalë për një tentativë terroriste apo për një akt individual. Ministrja izraelite e Transportit, Miri Regev, kërkoi pezullimin e fluturimeve të “Flydubai” drejt Izraelit deri në përfundimin e hetimeve. U.D/ReportTv.al fluturime Arabia Saudite telaviv dubai avion Komento Komente Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik? Po 53.8% Jo 38.9% Disi 7.3% Vota total: 4621 Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik?

