Lajme Zone
Pagat e gjyqtarëve/ Bardhi: Moszbatimi i vendimeve të Kushtetueses rrezikon shtetin e së drejtës, Kuvendi të ndërhyjë menjëherë
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Pagat e gjyqtarëve/ Bardhi: Moszbatimi i vendimeve të Kushtetueses rrezikon shtetin e së drejtës, Kuvendi të ndërhyjë menjëherë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese të dispozitave ligjore që përcaktonin trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese të dispozitave ligjore që përcaktonin trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Bardhi akuzon qeverinë dhe mazhorancën se po refuzojnë në mënyrë të vazhdueshme të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar se kjo situatë rrezikon funksionimin demokratik të shtetit dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Sipas tij, që prej 1 gushtit 2026, sistemi gjyqësor ka mbetur pa një bazë të qartë ligjore për trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi dispozitat përkatëse u shfuqizuan nga Kushtetuesja me efekt nga 31 korriku. Reagimi i Bardhit vjen edhe pas vendimmarrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili, sipas tij, ka përcaktuar pagën e vet, duke marrë kompetenca që i takojnë ligjvënësit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkon që Kuvendi i Shqipërisë të veprojë menjëherë për zgjidhjen e ngërçit institucional, ndërsa kritikon edhe Këshillin e Ministrave për mosplotësimin e përgjegjësisë së përcaktuar nga Këshilli i Legjislacionit të Kuvendit që më 4 maj 2026. Bardhi e cilëson mosveprimin e institucioneve dhe moszbatimin e vendimeve të Kushtetueses si “shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës”, duke paralajmëruar pasoja për funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve. Ai thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë rekomandime, por akte detyruese, dhe zbatimi i tyre është një detyrim kushtetues dhe jo një zgjedhje politike. REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë dhe i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese ka vënë seriozisht në rrezik funksionimin demokratik të shtetit dhe respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Që nga 1 gushti 2026, sistemi gjyqësor në vend ka mbetur pa një bazë të qartë ligjore për të justifikuar trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës. Dispozitat ligjore përkatëse janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me efekt nga 31 korriku 2026.

Sot, me një akt të paprecedentë, sistemi gjyqësor, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka përcaktuar pagën e vet, duke marrë përsipër kompetenca që i takojnë ligjvënësit. Ky akt ngre pikëpyetje serioze mbi kushtetutshmërinë e tij dhe mbi ekzistencën e një baze të ligjshme për një vendimmarrje të kësaj natyre. Krijimi i këtij ngërçi institucional dhe përplasja ndërmjet kompetencave kushtetuese të pushteteve jo vetëm që mund, por edhe duhet të shmangen. Rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë është respektimi dhe zbatimi i plotë, i menjëhershëm dhe pa ekuivok i vendimeve të detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë duhet të veprojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë për ta trajtuar dhe zgjidhur këtë çështje. Kjo është edhe më e domosdoshme përballë refuzimit të Këshillit të Ministrave për të përmbushur përgjegjësinë e përcaktuar nga Këshilli i Legjislacionit të Kuvendit të Shqipërisë që më 4 maj 2026.

Mosveprimi i Kuvendit dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës, me pasoja serioze për funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve te demokracia. Ky qëndrim dëmton rëndë edhe frymën e luajalitetit kushtetues që duhet të udhëheqë marrëdhëniet ndërmjet pushteteve në një shoqëri demokratike.

Nuk mund të ketë shtet të së drejtës kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen të zbatohen sipas interesit politik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë rekomandime dhe as mundësi për t’u zbatuar kur i leverdis mazhorancës. Ato janë detyruese. Respektimi i tyre është detyrim kushtetues, jo zgjedhje politike. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: bardhi