KLGJ Kuvendi nuk e zgjidhi brenda afatit ngërçin e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe KLGJ mori vetë në dorë pagat e gjyqtarëve. Paga referuese rritet me 65,600 lekë, ndërsa efekti real për nivelet e larta mund të jetë shumëfish më i madh. Gazment Bardhi akuzon qeverinë dhe mazhorancën se kanë refuzuar zbatimin e vendimit të Kushtetueses. Rikthehet përplasja mes politikës dhe drejtësisë, këtë herë për pagat e magjistratëve. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë një vendim të pazakontë, duke përcaktuar vetë bazën mbi të cilën do të llogariten pagat e gjyqtarëve, pasi Kuvendi nuk e zgjidhi brenda afatit boshllëkun ligjor të krijuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Me 9 vota pro dhe asnjë kundër, KLGJ vendosi që nga 1 gushti 2026 paga e çdo gjyqtari të përllogaritet duke marrë si referencë shumën 222,425 lekë, nga 156,800 lekë që ishte më parë. Diferenca në pagën referuese është rreth 65,600 lekë, ndërsa kësaj i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit.
Por efekti real në xhepat e magjistratëve është shumë më i madh se 65 mijë lekë. Për shkak të koeficientëve dhe shtesave të përcaktuara në ligj për funksione të ndryshme, rritja për nivelet e larta të sistemit të drejtësisë dhe strukturat e posaçme mund të shkojë në mbi 3 mijë euro më shumë në muaj.
Vendimi është i pazakontë edhe për një arsye tjetër: deri më tani pagat e magjistratëve janë përcaktuar nga ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këtë herë, për shkak të boshllëkut të krijuar pas mosveprimit të Kuvendit, qeverisja e gjyqësorit ka marrë vetë një vendim që prek drejtpërdrejt mënyrën e llogaritjes së pagave.
Historia e ngërçit nis me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të shkurtit 2026. Kushtetuesja rrëzoi ndryshimet e vitit 2023, të cilat e kishin lidhur pagën e magjistratëve me 36% të pagës së Presidentit të Republikës. Gjykata arriti në përfundimin se ndryshimi kishte sjellë një “ulje të fshehur” të pagës dhe ishte në kundërshtim me garancinë kushtetuese sipas së cilës paga dhe përfitimet e gjyqtarit nuk mund të ulen.
Kushtetuesja nuk e la situatën pa afat. Kuvendit iu dha kohë deri më 31 korrik 2026 për të plotësuar boshllëkun dhe për të miratuar një formulë të re.
Por Kuvendi nuk e bëri.
Vetëm një ditë përpara përfundimit të afatit, deputetët socialistë Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli depozituan një propozim që ruante pagën e Presidentit si pikë reference, por e ndryshonte koeficientin nga 0.36 në 0.38. Nisma u depozitua, por nuk u miratua brenda afatit të vendosur nga Kushtetuesja.
Kështu, më 1 gusht sistemi u gjend në një situatë të pazakontë: dispozita e vjetër nuk mund të prodhonte më efekte, ndërsa formula e re nuk ishte miratuar.
Pikërisht në këtë boshllëk ndërhyri KLGJ.
Anëtari i Këshillit, Albens Tabaku, argumentoi gjatë mbledhjes se institucioni nuk po krijonte një formulë të re, por po zbatonte interpretimin e formulës ekzistuese të bërë nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, mosveprimi i Kuvendit nuk mund të pengojë zbatimin e një vendimi detyrues të Kushtetueses.
“Sipas optikës time jemi në rregull me zbatimin e ligjit, sepse nga analiza e mësipërme formula është me origjinë ligjore. Gjykata Kushtetuese nuk ka krijuar formulë të re, vetëm ka interpretuar përmbajtjen e formulës ekzistuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese për të gjitha autoritetet publike, përfshirë edhe KLGJ. Gjykata Kushtetuese ka vendosur dhe nuk ka vepruar Kuvendi. Mosveprimi i Kuvendit përbën një mekanizëm antikushtetutshmërie”, tha Tabaku.
Vendimi nuk prek vetëm pagat që do të merren nga gushti e në vazhdim. Tre shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kishin kërkuar që formula e re e përllogaritjes të zbatohej edhe për detyrimet e prapambetura nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026, kërkesë që është pranuar nga KLGJ. Kjo e zgjeron ndjeshëm efektin financiar të vendimit.
Përplasja pritet të zhvendoset edhe te prokurorët. Për ta, një vendim i ngjashëm duhet të koordinohet dhe merret nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ose sipas rastit nga Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK.
Në thelb, konflikti i pagave mes qeverisë dhe magjistratëve është disa vjeçar.
Në vitin 2023, mazhoranca e lidhi pagën bazë të magjistratëve me 36% të pagës së Presidentit. Më parë, referenca ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri. Kur qeveria rriti pagat e administratës publike, paga e këtij funksionari arriti në 231 mijë lekë, ndërsa magjistratët mbetën të lidhur me referencën e Presidentit. Ata pretenduan se ndryshimi i formulës u kishte hequr një rritje prej rreth 78 mijë lekësh që do ta kishin përfituar nëse do të ruhej mekanizmi i mëparshëm. Kushtetuesja në fund u dha të drejtë në parim, duke konstatuar “uljen e fshehur” të pagës.
Tashmë çështja ka kaluar nga konflikti financiar në një debat institucional: a mundet vetë qeverisja e gjyqësorit të përcaktojë mënyrën e llogaritjes së pagave kur ligjvënësi nuk ka vepruar?
Kjo lëvizje pritet të shtojë përplasjen me qeverinë. Vetë Kryeministri Rama muaj më parë reagoi disa herë ashpër ndaj kërkesave të gjyqtarëve për të rritur pagat.
KLGJ thotë se po zbaton vendimin e detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e konsideron situatën pasojë të drejtpërdrejtë të mosveprimit të qeverisë dhe mazhorancës dhe ngre pikëpyetje për kompetencën e KLGJ-së për të ndërmarrë një hap të tillë.
“Refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë dhe i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese ka vënë seriozisht në rrezik funksionimin demokratik të shtetit dhe respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Që nga 1 gushti 2026, sistemi gjyqësor në vend ka mbetur pa një bazë të qartë ligjore për të justifikuar trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës. Dispozitat ligjore përkatëse janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me efekt nga 31 korriku 2026”, deklaroi Bardhi.
Sipas Bardhit, rezultati i mosveprimit të politikës është që gjyqësori ka përfunduar duke ndërhyrë në një fushë që duhet të ishte rregulluar nga ligjvënësi.
“Sot, me një akt të paprecedentë, sistemi gjyqësor, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka përcaktuar pagën e vet, duke marrë përsipër kompetenca që i takojnë ligjvënësit. Ky akt ngre pikëpyetje serioze mbi kushtetutshmërinë e tij dhe mbi ekzistencën e një baze të ligjshme për një vendimmarrje të kësaj natyre. Krijimi i këtij ngërçi institucional dhe përplasja ndërmjet kompetencave kushtetuese të pushteteve jo vetëm që mund, por edhe duhet të shmangen. Rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë është respektimi dhe zbatimi i plotë, i menjëhershëm dhe pa ekuivok i vendimeve të detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.
Vendimi i KLGJ-së hap kështu një kapitull të ri në përplasjen e gjatë për pagat e magjistratëve. Këtë herë debati nuk është vetëm sa do të paguhen gjyqtarët, por edhe kush ka kompetencën t'ua përcaktojë pagën, ndërsa në sfond mbetet mosveprimi i Kuvendit brenda afatit që kishte vendosur Gjykata Kushtetuese.klgj pagat Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet “Mos u tni nga ofertat e krimit”, Hita mesazh policëve të rinj: Pasojat janë të rënda dhe pa kthim 26 Gusht 2026, 16:4516:45Aktualitet Kreshnik Spahiu: Kosova dhe Shqipëria të arrestojnë politikanët që financohen nga spiunazhi anti-shqiptar 26 Gusht 2026, 16:3916:39Aktualitet Vatër e madhe zjarri në Qafë Helmes të Bulqizës; flakët përparojnë drejt fshatit Koçaj; kërkohet ndërhyrja nga ajri 26 Gusht 2026, 15:0615:06Aktualitet Vijon lufta me flakët, Ministria e Mbrojtjes: 34 vatra zjarri në 24 orë, riaktivizohet ajo e Dajtit 26 Gusht 2026, 13:0113:01Aktualitet Univers City hyn në një fazë të re, nga banimi te biznesi dhe shërbimet 26 Gusht 2026, 12:0412:04Aktualitet Zjarr i përmasave të mëdha në Dimal, në terren forca nga tre bashki 26 Gusht 2026, 11:2811:28Aktualitet

