Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 92 mijë e 150 lekë, ose rreth 1 mijë euro, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Në vlerën neto, kjo pagë është rreth 880 euro.Sipas Institutit të Statistikave, rroga mesatare u rrit për 9,8 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Pagat më të larta u regjistruan në aktivitetet financiare dhe të sigurimit. Mesatarja në këtë sektor ishte 187 mijë e 267 lekë, ose rreth 2 mijë e 36 euro.Në sektorin e informacionit dhe komunikacionit, rroga mesatare arriti në 143 mijë e 528 lekë, ose rreth 1 mijë e 560 euro.Në statistikat e pagave që i publikoi Instat, të enjten, sipas profesioneve, menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë kishin pagë mesatare prej 141 mijë e 168 lekësh, ose rreth 1 mijë e 534 euro.Specialistët me arsim të lartë paguhen mesatarisht 119 mijë e 152 lekë, ose rreth 1 mijë e 295 euro.Rritja më e lartë vjetore u shënua në sektorin e ndërtimit, me 22,1 për qind.Ndërkohë, rritja më e ulët u regjistrua në art, argëtim dhe shërbime të tjera, me 6,4 për qind.Punonjësit me pagë minimale prej 50 mijë lekësh, ose rreth 543 euro, përbënin 25,8 për qind të të punësuarve. /KP/

