Sezoni turistik vazhdon, por bashkë me pushuesit rikthehen edhe denoncimet për abuzimet pa fund në bregdetin shqiptar. Këtë herë në shënjestër është Plazhi i Pasqyrave, një nga destinacionet më të frekuentuara në jug të vendit, ku etja për fitim duket se ka lënë pas çdo standard.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke denoncuar një praktikë që, sipas tij, është mashtrim i pastër ndaj pushuesve.
Ai tregon se ka paguar 3 mijë lekë të rinj për një set shezlongësh në vijën e parë, me idenë se do të kishte pamjen dhe hapësirën që i ishte premtuar. Por, pak më vonë, operatorët e plazhit vendosën një rresht tjetër shezlongësh përpara tij, duke ia zhdukur menjëherë privilegjin për të cilin kishte paguar.
Pra, ajo që iu shit si "vija e parë", brenda pak minutash u shndërrua në një rresht të zakonshëm, ndërsa biznesi vazhdoi të mbushte plazhin me shezlongë të rinj, vetëm për të arkëtuar sa më shumë para.
Qytetari e cilëson këtë një mashtrim të hapur ndaj turistëve dhe pushuesve, duke ngritur pyetjen: Pse paguhet më shtrenjtë një shërbim që nuk ofrohet?
Fenomene të tilla po dëmtojnë jo vetëm xhepin e qytetarëve, por edhe imazhin e turizmit shqiptar. Në vend që të respektohen hapësirat, rregullat dhe klientët, shumë operatorë zgjedhin të shfrytëzojnë çdo metër katror të rërës për më shumë fitim, pa u shqetësuar për cilësinë e shërbimit apo transparencën.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse vijojnë të mungojnë, duke lënë terren të lirë për abuzime që përsëriten verë pas vere. Pushuesit paguajnë çmime gjithnjë e më të larta, por në këmbim marrin gjithnjë e më pak. Kjo nuk është mikpritje, por një mënyrë për të zhvatur turistët në kulmin e sezonit.

