Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një ofertë të re për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, duke propozuar Justina Shiroka Pulën si kandidate për presidente. Gjatë zhvillimeve të fundit politike në Kuvend, Kurti i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të dalë publikisht dhe të konfirmojë pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve të partisë në procesin e votimit.
Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të mbështesë paraprakisht edhe një ligj të propozuar në kuadër të marrëveshjes politike, duke kërkuar në këmbim që të votohet kandidatura për presidente.
Kandidatura e re e propozuar nga Kurti është Justina Shiroka Pula.
Shiroka Pula ka mbajtur më herët poste të rëndësishme politike. Ajo ka qenë ish-nënkryetare e PDK-së dhe ish-ministre në një prej qeverive të drejtuara nga kjo parti.
Kurti e ka cilësuar atë si një figurë të afërt me PDK-në dhe i ka bërë thirrje Bedri Hamzës që ta bindë grupin parlamentar të partisë për ta mbështetur.
“Ajo është e afërt me PDK-në, le ta bindë kryetari Hamza”, ka deklaruar Kurti.
Propozimi i ri vjen në një moment të tensionuar politik në Kosovë, ku procesi i zgjedhjes së presidentit ka mbetur i bllokuar dhe vendi përballet me protesta e presion të shtuar politik. Top Channel

