Ilustrim Konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në Bririn e Afrikës po ndërthuren gjithnjë e më shumë, ndërsa rivaliteti mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe po ndryshon ekuilibrat rajonalë… Më 3 qershor, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i tha Kongresit të Shteteve të Bashkuara se luftimet që prej tre vjetësh përfshijnë Sudanin tashmë janë shndërruar në një “luftë me ndërmjetës” dhe fajësoi Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) se kanë penguar përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund konfliktit.
Rubio artikuloi publikisht atë që shumë vëzhgues e kishin evidentuar prej kohësh: një përplasje që nisi si luftë e brendshme për pushtet është shndërruar në një konflikt më të gjerë rajonal, duke përfshirë fuqi të jashtme dhe duke kaluar kufijtë e Sudanit.
Sipas analizës së Foreign Affairs, përhapja e konfliktit sudanez është pjesë e një transformimi më të gjerë gjeopolitik. Për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar, politikëbërësit e trajtuan Bririn e Afrikës dhe Gadishullin Arabik si dy hapësira strategjike të ndara nga Deti i Kuq. Ky dallim po zbehet. Luftërat në njërën anë të detit po ndikojnë gjithnjë e më shumë në përllogaritjet ushtarake të vendeve në anën tjetër.
Kjo ndërvarësi është thelluar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në shkurt për të nisur luftën kundër Iranit. Konflikti ka zgjeruar mosmarrëveshjet mes Abu Dhabit dhe Riadit, ka dobësuar rendin rajonal të sigurisë të mbështetur te Shtetet e Bashkuara dhe ka rritur rëndësinë strategjike të garantimit të lundrimit në Detin e Kuq.
Gjatë dekadës së fundit, EBA-ja ka qenë një nga aktorët e jashtëm më aktivë në Bririn e Afrikës. Abu Dhabi ka ngritur porte dhe baza ushtarake, ka ofruar paketa të mëdha financiare për partnerët dhe është përfshirë gjerësisht në konfliktin sudanez.
Por lufta e fundit me Iranin dhe shpërbërja, dhjetorin e kaluar, e partneritetit emirato-saudit të sigurisë në Jemen e kanë bërë Riadin më pak të bindur për mbrojtjen amerikane, më të shqetësuar për lidhjet e EBA-së me Izraelin dhe më të vendosur për të kontrolluar arkitekturën e sigurisë në Detin e Kuq.
Arabia Saudite është afruar me Egjiptin, Turqinë dhe Pakistanin dhe po e përdor këtë bashkëpunim edhe për të forcuar partneritetet në Bririn e Afrikës. Riadi synon të kundërbalancojë grupet e mbështetura nga EBA-ja ose Izraeli, ndërsa njëkohësisht përballet me kërcënimet nga Irani dhe aleatët e tij, përfshirë Houthit, të cilët kontrollojnë bregdetin jemenas të Detit të Kuq.
Ndërkohë, po rritet rreziku i një përplasjeje mes Forcave të Armatosura të Sudanit (SAF), të mbështetura nga Arabia Saudite dhe partnerët e saj, dhe Etiopisë, e cila ka marrëdhënie të ngushta me Emiratet. Ekziston gjithashtu mundësia e një lufte tjetër të drejtpërdrejtë mes Etiopisë dhe Eritresë.
Një konflikt i ri etiopiano-eritrean në zonën e Detit të Kuq mund të shndërrohej në luftë rajonale dhe të ndërthurej me konfliktin në Sudan. Një zhvillim i tillë jo vetëm që do të ndikohej nga rivaliteti mes EBA-së dhe Arabisë Saudite, por mund ta thellonte më tej atë.
Nga ndarja te ndërvarësia
Në aspektin historik, lidhja e Bririt të Afrikës me Lindjen e Mesme nuk është e re. Për mijëra vjet, Deti i Kuq ka lidhur territoret e sotme të Xhibutit, Eritresë, Etiopisë dhe Jemenit. Njerëzit, mallrat dhe ndikimet kulturore kanë lëvizur vazhdimisht mes dy brigjeve.
Në shekullin VI, një sundimtar i Mbretërisë së Aksumit, me qendër në territorin e Etiopisë së sotme, pushtoi përkohësisht pjesë të Jemenit. Më vonë, disa prej ndjekësve të parë të Profetit Muhamed kaluan Detin e Kuq dhe kërkuan strehim te mbreti i krishterë i Aksumit. Islami u përhap më pas përtej detit dhe përgjatë bregdetit të Afrikës Lindore.
Nga shekulli XVI deri në shekullin XX, Perandoria Osmane kontrolloi territore në të dyja anët e Detit të Kuq. Sundimtarët e Omanit ndërtuan një perandori që lidhte Gadishullin Arabik me pjesë të mëdha të bregdetit të Afrikës Lindore dhe e zhvendosën përfundimisht kryeqytetin nga Muskati në Zanzibar.
Gjatë shekullit XX, kolonializmi evropian dhe lëvizjet nacionaliste dobësuan lidhjet politike që kalonin përmes Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit. Pas Luftës së Ftohtë, ndarja politike u thellua më tej. Somalia u shpërbë dhe Somaliland shpalli pavarësinë në vitin 1991. Eritrea u shkëput nga Etiopia në vitin 1993, ndërsa Sudani i Jugut fitoi pavarësinë nga Sudani në vitin 2011.
Shtetet e Bashkuara u përpoqën të menaxhonin krizat në Bririn e Afrikës, por rrallëherë e trajtuan këtë rajon dhe Lindjen e Mesme si pjesë të së njëjtës hapësirë strategjike.
Rikthimi i Bririt në llogaritë e Lindjes së Mesme
Pranvera Arabe ndryshoi këtë dinamikë. Në vitin 2011, Recep Tayyip Erdogan u bë udhëheqësi i parë joafrikan në afro 20 vjet që vizitoi Mogadishun, ndërsa Turqia kërkonte të zgjeronte ndikimin në rajon.
Kriza politike destabilizoi gjithashtu Jemenin dhe në vitin 2014 Houthit morën kontrollin e pjesëve të mëdha të vendit. Kur Arabia Saudite dhe EBA-ja ndërhynë ushtarakisht kundër tyre në vitin 2015, rëndësia strategjike e Bririt të Afrikës u rrit. Vendet e Gjirit kishin nevojë për baza dhe personel për të mbështetur operacionet në Jemen.
Emiratet hapën një bazë ushtarake në bregdetin e Eritresë, ndërsa regjimi i Omar al-Bashirit në Sudan dërgoi dhjetëra mijëra pjesëtarë të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në Jemen për të ndihmuar operacionet saudite dhe emirate.
Në të njëjtën periudhë, vendet e Lindjes së Mesme nisën të vinin më shumë në dyshim angazhimin amerikan ndaj sigurisë së rajonit. Rivaliteti mes fuqive të Gjirit u intensifikua dhe kriza e vitit 2017, që kulmoi me bllokadën ndaj Katarit, u shtri drejtpërdrejt edhe në Afrikë.
EBA-ja ndërmori ndërhyrje gjithnjë e më ambicioze. Ajo mbështeti kryeministrin etiopian Abiy Ahmed pas ardhjes së tij në pushtet në vitin 2018, duke ofruar fillimisht rreth 3 miliardë dollarë dhe më pas mbështetje të rëndësishme ushtarake gjatë luftës në Tigray.
Sudani dhe përçarja mes Riadit dhe Abu Dhabit
Lufta në Sudan e ka lidhur edhe më fort Bririn e Afrikës me Lindjen e Mesme. Kur protestat masive të vitit 2019 kërcënuan regjimin e Bashirit, Abu Dhabi dhe Riadi mbështetën juntën ushtarake që mori pushtetin.
Pasi dy drejtuesit kryesorë të juntës u përplasën mes tyre në vitin 2023, EBA-ja u shfaq si mbështetësja kryesore e RSF-së, megjithëse Abu Dhabi kundërshton publikisht pretendimet për shkallën e ndërhyrjes së tij. Arabia Saudite, e cila kishte gjithashtu lidhje historike me RSF-në, fillimisht u përpoq të ndërmjetësonte, por më pas u afrua më shumë me ushtrinë sudaneze. Sipas analizës, Riadi është bërë aleati më i rëndësishëm i SAF-it.
Gjatë vitit të fundit, mosmarrëveshjet kanë kaluar përsëri në anën tjetër të Detit të Kuq. Tensionet për Sudanin duket se kanë ndikuar në prishjen e partneritetit saudito-emirat kundër Houthive.
Në dhjetor 2025, Arabia Saudite dhe qeveria e Jemenit i kërkuan EBA-së të tërhiqej nga vendi pas një ofensive të forcave separatiste të mbështetura nga Abu Dhabi pranë kufirit saudit.
Po atë muaj, Izraeli u bë vendi i parë që njohu pavarësinë e Somalilandit. Egjipti, Arabia Saudite, Turqia dhe vende të tjera kundërshtuan fuqishëm vendimin, ndërsa EBA-ja nuk reagoi publikisht, duke shtuar tensionet brenda Gjirit.
Sipas Foreign Affairs, përçarja mes Riadit dhe Abu Dhabit ndikoi edhe te reagimi i vendeve të Gjirit pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit në shkurt. Arabia Saudite kërkoi marrëveshje dhe partneritete të reja rajonale të sigurisë, ndërsa Emiratet forcuan bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Etiopia, Eritrea dhe rreziku i një konflikti më të gjerë
Përfshirja në rritje e fuqive të Lindjes së Mesme rrit rrezikun që konfliktet në Etiopi dhe Sudan të bashkohen në një zonë më të gjerë lufte.
Mbështetja ushtarake emirate për RSF-në përmes Etiopisë, sipas analizës, ka shtuar mosbesimin mes Khartumit dhe Addis Abebës. Etiopia, nga ana tjetër, akuzon ushtrinë sudaneze se u ofron strehim mijëra luftëtarëve besnikë të Frontit Popullor për Çlirimin e Tigrayt (TPLF).
Në prill, TPLF-ja praktikisht anuloi marrëveshjen e paqes të vitit 2022 dhe rimori pushtetin në rajonin etiopian të Tigrayt. Në fund të shtatorit, me mbështetje të heshtur nga Eritrea, forcat e TPLF-së nisën ofensiva të mëdha kundër ushtrisë etiopiane.
Në fillim të tetorit, ushtria etiopiane rimori kryeqendrën e Tigrayt. Sipas autorit, kjo mund t'i zhvendosë luftimet drejt veriut dhe kufirit etiopiano-eritrean. Një luftë e re mes Eritresë dhe Etiopisë mund t'i vendoste, në praktikë, Egjiptin dhe Arabinë Saudite përballë Emirateve.
Somalia dhe Somaliland
Edhe konfliktet politike në Somali po ndërthuren me rivalitetet e Lindjes së Mesme. Njohja e Somalilandit nga Izraeli shkaktoi shqetësim të madh në Egjipt, Turqi dhe Arabinë Saudite.
Në fillim të vitit 2026, Mogadishu nënshkroi një marrëveshje formale bashkëpunimi në mbrojtje me Riadin dhe anuloi marrëveshjet ekzistuese të sigurisë dhe ekonomisë me Abu Dhabin.
EBA-ja kishte ndërtuar ndërkohë marrëdhënie të ngushta me Somalilandin, duke ngritur infrastrukturë ushtarake dhe duke modernizuar portin e Berberës. Emiratet kanë krijuar gjithashtu një pikë ushtarake dhe kanë marrë nën administrim një port në Bosaso, në rajonin gjysmëautonom të Puntlandit.
Në të njëjtën kohë, Houthit kanë zgjeruar aktivitetin e tyre rreth ngushticës Bab el-Mandeb. Sipas raportimeve të cituara në analizë, ata kanë kërkuar gjithashtu lidhje në Bririn e Afrikës, veçanërisht me grupin islamist al-Shabab. Zyrtarë amerikanë pretendojnë se Houthit tashmë po i dërgojnë armë këtij grupi.
Një hapësirë e vetme sigurie
Rritja e pranisë së Lindjes së Mesme në Bririn e Afrikës po mbush pjesërisht një boshllëk të lënë nga aktorë të tjerë. Tërheqja relative e Shteteve të Bashkuara nga diplomacia dhe ndihma për Afrikën ka nxitur qeveritë e rajonit të kërkojnë partnerë të rinj.
Kjo afërsi nuk është domosdoshmërisht negative. Vendet e Bririt kërkojnë me të drejtë të diversifikojnë partneritetet. Investimet e ekonomive të Gjirit kanë siguruar financime të rëndësishme, veçanërisht për infrastrukturën. Kryeqytetet e Lindjes së Mesme mund të shërbejnë gjithashtu si qendra ndërmjetësimi. Në vitin 2024, për shembull, Erdogan ndërmjetësoi një ulje të tensioneve mes Etiopisë dhe Somalisë.
Megjithatë, autori argumenton se përfitimet aktualisht zbehen nga fakti se integrimi mes dy rajoneve po zhvillohet në masë të konsiderueshme përmes luftërave me ndërmjetës dhe furnizimit me armë.
Rreziku kryesor qëndron te mundësia që disa qeveri të Lindjes së Mesme të vazhdojnë të mbështesin palë të ndryshme ndërluftuese në Bririn e Afrikës, duke menduar se mund t'u shmangen pasojave, ndërsa qeveritë afrikane mund të kërkojnë mbështetje nga fuqitë e Lindjes së Mesme kryesisht për t'u armatosur kundër rivalëve lokalë.
Sipas analizës, shmangia e kësaj trajektoreje kërkon që Arabia Saudite dhe EBA-ja të bashkëpunojnë për uljen e tensioneve përpara se të shpërthejë një konflikt i ri rajonal.
Në Sudan, Riadi dhe Abu Dhabi duhet të ushtrojnë presion mbi palët që të arrijnë një armëpushim dhe të krijojnë një qeveri tranzitore. Dy vendet duhet gjithashtu të koordinohen për të parandaluar një luftë të re ndërkufitare që përfshin Etiopinë.
Abu Dhabi, sipas autorit, duhet të dekurajojë çdo përpjekje etiopiane për ta shtrirë luftën me TPLF-në në Eritrea dhe deri në bregdetin e Detit të Kuq. Riadi, nga ana tjetër, duhet të nxisë aleatët e tij kryesorë, Egjiptin, Eritrenë dhe Sudanin, të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të Etiopisë.
Arabia Saudite dhe Emiratet mund të ndihmojnë gjithashtu në rifillimin e bisedimeve mes qeverisë somaleze në Mogadishu dhe administratës së Somalilandit në Hargeisa.
Sipas Foreign Affairs, rikthimi i Bririt të Afrikës në hapësirën strategjike të Lindjes së Mesme duket tashmë i vështirë për t'u kthyer pas. Çështja kryesore është nëse fuqitë e përfshira do të arrijnë të menaxhojnë interesat e tyre të ndryshme dhe të ulin tensionet, apo nëse konfliktet në njërën anë të Detit të Kuq do të vazhdojnë të përhapen në anën tjetër.
Në skenarin e dytë, koston më të madhe do ta mbajnë miliona civilë në Bririn e Afrikës. /Përshtati Pamfleti nga Foreign Affairs/deti i kuq lufta fuqite Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota AfD thyen një tjetër barrierë në Gjermani, merr drejtimin e parlamentit të Saksoni-Anhaltit 6 Tetor 2026, 21:2021:20Rajoni dhe Bota Tetë vjet pushtet dhe një mal me probleme: çfarë i ka mbetur Pedro Sánchez-it? 6 Tetor 2026, 21:1921:19Rajoni dhe Bota “T’i vrasim vëllanë, nënën, babanë”, zbulohen mesazhet në Sky Ecc; si u kërcënua dëshmitari nga klani Skaljari 6 Tetor 2026, 21:1021:10Rajoni dhe Bota Franca ndez fitilin, revolta e të rinjve kërcënon të përfshijë Europën 6 Tetor 2026, 20:5020:50Rajoni dhe Bota Fitorja që nuk sjell paqe/ Miti që po zgjat luftërat moderne 6 Tetor 2026, 20:0120:01Rajoni dhe Bota “Mos flisni hebraisht në vende të mbipopulluara”, alarmi i Izraelit para 7 tetorit 6 Tetor 2026, 18:5318:53Rajoni dhe Bota

