Në një moment kur në Tiranë Ambasada e SHBA-së po zhvillon një ceremoni pritjeje zyrtare me përfaqësues të politikës dhe medias për të prezantuar ambasadorin e ri Eric Ëendt, pas dorëzimit të letrave kredenciale të presidenti Begaj, kryedemokrati Sali Berisha po zhvillon takim me militantët në Korçë. Kjo ka qenë një 'zgjedhje e detyruar' e Berishës, pasi kreu i PD-së, duke qenë se është 'non grata', nuk kishte marrë ftesë për të qenë pjesë e ceremonisë së organizuar nga Ambasada Amerikane. Në Korçë, Berisha e nisi fjalën duke sulmuar kryeministrin Edi Rama, të cilin e cilësoi si njeriun më të urryer në histori. Berisha e vuri theksin te shpopullimi i Shqipërisë, fenomen të cilin e cilësoi si një nga më të rëndët gjatë viteve të fundit. LEXO EDHE:Pritja e parë e ambasadorit të ri amerikan Wendt, marrin pjesë politikanë të majtë e të djathtë! Berisha mbetet ‘Non grata’, s’ka ftesë "Ky regjim ka pakësuar në mënyrën më dramatike qenien tonë. Sot në Korçë, sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa ç’lindnin 100 vite më parë kur Shqipëria në territorin e saj kishte gjithsej 1 milion banorë. Sot në 1 mijë shqiptarë rezidentë në Shqipëri, 466 janë të regjistruar në BE. Sot Edi Rama është bërë njeriu më i urryer i kombit në histori. 8 mijë kilometra nga Tirana dhe shqiptarët e gjuajnë me vezë e domate. U lumtë!", tha Berisha. Berisha tha gjithashtu se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë shumë më të shtrenjta edhe se në vendet e Bashkimit Europian. Ai tha se në një market në Strasburg, çmimet janë të paktën 2-fish më të ulëta se në Tiranë. " Nga viti 2013 gjer sot, në mënyrën më të frikshme, çmimet janë rritur pakrahasimisht më shumë se rrogat. Isha në Strasburg, ishin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u futa për kuriozitet në një market, absolutisht të gjithë çmimet që të gjitha ose baras ose dy herë më të ulëta se këtu", shtoi Berisha. Kreu i PD-së tha gjithashtu se ripërtëritja e PD-së ka për qëllim ripërtëritjen e Shqipërisë dhe përmirësimin e jetesës për çdo shqiptar. "Dhe unë u garantoj se nëse PD ka ndërmarrë ripërtëritjen si moton e saj më kryesore, ka vetëm një qëllim të vetëm për të ripërtërirë Shqipërinë në të gjithë aspektet. Për t’u rikthyer shqiptarëve pasuritë që ata kanë. Për asgjë shqiptarët nuk duhet ta votojnë ne për ato që kemi bërë. Ne kërkojmë të na votojmë për ato që do bëjmë", vijoi më tej Berisha. Gjatë fjalës së tij Berisha foli edhe për problemet e pronësisë në Shqipëri, duke thënë se Qeveria ka përdorur AKSHI-n për marrjen e të dhënave nga hipotekave dhe 'përmbysjen' e titujve të pronësisë. "Duke shfrytëzuar AKSHI-n, agjencinë e informacionit, duke qenë se hipotekat kanë qenë të lidhura... Këta i lidhën me AKSHI-n, në mënyrë që të ndërhynin nga AKSHI. Nuk i di statistikat për Korçën, por për Durrësin 85% e të gjithë titujve të pronësisë janë të përmbysur. Në Vlorë, a mund të imagjinoni ju që të ndërrohen 17 drejtorë hipoteke dhe në fund t'i merret Vlorës Hipoteka dhe të vijë në Tiranë. Absolutisht për tokat që nuk i ka Edi Rama. Ky shkon dhe merr kanionin e Gjipesë, që është një nga më të bukurit në botë. Dhe del 222 mijë metër katror. E dëgjuat ju një Salvador Alia që u kap në Rusi? Ai në një vit ka transportuar 50 ton kokainë. Pra në një vit 7-8 miliardë dollarë ose euro. Ku ka gjetur të investojë? Në hotelin Zig Zag, në Vuno në mes të pyllit. Ajo tokë aty është shpallur nga Rama dhe Olsi Rama si ullishte", tha mes të tjerash Berisha. Në përfundim të fjalës së tij, Berisha foli edhe për hetimet e SPAK për ish-kryetaren e SHISH, Vlora Hysenit, e cila dyshohet si bashkëpunëtore e Ergys Agasit, i arrestuar më parë për dosjen e AKSHI-t. Berisha tha se Hyseni është e dyta kryetare e një Shërbimi Informativ në botë, që sipas tij ka qenë e lidhur me organizatat kriminale. Ai shtoi se të gjitha të dhënat e SHISH i kishte në dorë Ergys Agasi, i cili sipas Berishës, i përdorte për llogari të kryeministrit Edi Rama. "Në dosjen Balluku, në dosjen Vlora Hyseni, në dosjen Ergys Agasi, në çdo dosje 60% e saj është e Edi Ramës. Miq, ky i ka futur ata. Ata do flasin. Ata kanë zbatuar vetëm urdhrat e tij. Agasi merrte përsipër për të kontrolluar gjithë internetin. Çdo komunikim të shqiptarëve dhe të huajve në vend. Të gjitha do dalin, këtu do jemi. Në historinë e botës ka vetëm një rast në Guinea Bizao ku kryetari i SHISH u rekrutua nga klanet e drogës që shkuan nga Amerika Latine dhe e pushtuan atë vend. Rasti i dytë është Shqipëria. SHISH-in e kishte në dorë Agasi. Janë përdorur të gjitha informacionet në interes të Ramës. Rama është kryetar i organizatës kriminale", përfi Berisha. R.Xh/Shqiptarja.com TAG: sali berisha Korce Berisha ne listen e zeze te SHBA edi rama Eric Wendt ambasada e shba Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
30 Shtator, 16:02
Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale? Po 69.7% Jo 25.3% Jam i/e dyzyuar 5% Vota total: 3169 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 30 Shtator, 16:02 Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?
