Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, po kalon një periudhë pozitive në kampionatin suedez me skuadrën e Hacken, ku nuk ka pësuar gol në 6 nga 7 ndeshjet e fundit.
Klubi i Hacken ka vlerësuar formën e portierit 37-vjeçar, i cili ka regjistruar saktësisht 389 minuta në kampionatin "Allsvenskan" pa e nxjerrë topin nga rrjeta e tij.
Pasi mungoi për një periudhë të gjatë për shkak të një dëmtimi, ai u rikthye në fushën e lojës në muajin gusht gjatë fitores 1-0 ndaj Halmstad. Që prej asaj ndeshjeje, Berisha ka regjistruar 7 paraqitje me skuadrën e tij, duke pësuar gol vetëm në përballjen e zhvilluar kundër Vasteras më 29 gusht.
Falë paraqitjeve të sigurta të portierit shqiptar, skuadra e Hacken ka arritur të mbajë një ecuri pozitive në kampionat. Aktualisht, ekipi renditet në vendin e katërt me 42 pikë të grumbulluara, ndërkohë që deri në përfundim të sezonit kanë mbetur edhe 6 javë.
Gardiani synon të vazhdojë këtë seri ndeshjesh me portën e paprekur, duke pasur si objektiv madhor thyerjen e rekordit historik të kampionatit suedez. Ky rekord absolut është 808 minuta pa pësuar gol dhe mbahet ende nga Hakan Svensson, ish-portieri i Halmstad, i cili e vendosi këtë shifër gjatë sezoneve 1999-2000. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

