Lajme Zone
“Nuk përjashtoj asgjë”/ Sigfrido Ranucci surprizon pas largimit nga “Report”, gazetari që trazoi Edi Ramën hap dyert e politikës
PolitikëPamfleti

“Nuk përjashtoj asgjë”/ Sigfrido Ranucci surprizon pas largimit nga “Report”, gazetari që trazoi Edi Ramën hap dyert e politikës

Gazetari i njohur investigativ italian, i cili për vite me radhë ka drejtuar një nga programet më të forta të RAI-t, nuk përjashton mundësinë që kapitulli pas “Report” të jetë pikërisht politika.

Sigfrido Rannucci / Një ditë pas largimit nga drejtimi i “Report”, Sigfrido Ranucci hap një skenar të ri. Gazetari investigativ që u përplas ashpër edhe me Edi Ramën për investigimet e RAI 3 mbi Shqipërinë, nuk përjashton një të ardhme në politikë. Ndërkohë, beteja me drejtuesit e televizionit publik italian rrezikon të zhvendoset në gjykatë. Largimi i Sigfrido Ranuccit nga drejtimi i “Report” ishte lajmi i djeshëm. Sot, historia merr një kthesë tjetër, ndoshta edhe më politike.

Gazetari i njohur investigativ italian, i cili për vite me radhë ka drejtuar një nga programet më të forta të RAI-t, nuk përjashton mundësinë që kapitulli pas “Report” të jetë pikërisht politika.

I pyetur nga La7 nëse e përjashton kategorikisht një të ardhme politike, Ranucci ka dhënë një përgjigje të shkurtër, por që në Itali mjafton për të hapur një debat të ri:

“Unë nuk përjashtoj asgjë”.

Deklarata vjen vetëm një ditë pasi RAI vendosi ta largojë nga drejtimi i “Report” dhe të emërojë Giulia Presutti dhe Daniele Piervincenzi në drejtimin e programit.

Sipas “Corriere della Sera”, drejtuesit e RAI-t nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga vendimi. Në letrën për largimin e Ranuccit flitet për probleme që lidhen me “opacitetin”, “ndërthurjet” dhe “ndërhyrjet”, të cilat sipas televizionit publik mund të cenojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e programit investigativ. Por Ranucci nuk po largohet në heshtje.

Avokatët e tij kanë kundërshtuar zyrtarisht vendimin dhe i kanë kërkuar RAI-t që brenda shtatë ditësh të tregojë konkretisht faktet që i atribuohen gazetarit dhe lidhjen e tyre me largimin e tij. Ata kanë rezervuar gjithashtu të drejtën për veprime urgjente ligjore kundër masës. Pra, beteja për “Report” mund të përfjë në gjykatë.

Sigfrido Rannucci, gazetari që Edi Rama e njeh shumë mirë

Për publikun shqiptar, megjithatë, Sigfrido Ranucci nuk është një emër i panjohur.

Në vitin 2024, “Report” u fut drejtpërdrejt në një prej dosjeve më të ndjeshme politike mes Tiranës dhe Romës: marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët dhe ngritjen e qendrave në Shqipëri.

Investigimi shkaktoi një përplasje të pazakontë me kryeministrin Edi Rama.

Në qendër të debatit ishte jo vetëm marrëveshja e emigrantëve, por edhe roli i sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Pas transmetimit, Rama akuzoi “Report” për të pavërteta dhe kundërshtoi mënyrën se si emisioni kishte paraqitur përgjigjet e Agaçit. Përplasja shkoi deri aty sa kryeministri shqiptar kontaktoi drejtuesin e RAI-t, Paolo Corsini, për të protestuar ndaj investigimit. Por, Ranucci nuk u tërhoq. Dhe “Report” u rikthye sërish në Shqipëri.

Në episodin e transmetuar më 2 qershor 2024, programi njoftonte se kishte mbledhur dëshmi të reja mbi ndikimin e organizatave mafioze në politikën dhe ekonominë shqiptare. Në atë emision u intervistua edhe vetë Edi Rama, i cili pranoi t'u përgjigjej pyetjeve të gazetarit Giorgio Mottola për marrëveshjen me Italinë, kriminalitetin e organizuar dhe raportet mes politikës dhe interesave italiane në Shqipëri. Këto ishin pretendime dhe tema të investigimit të “Report”, jo konstatime gjyqësore.

Madje RAI e promovonte episodin duke nënvizuar se, pas sulmeve të ardhura nga dy kryeministra, Giorgia Meloni dhe Edi Rama, “Report” do të rikthehej te marrëveshja Itali-Shqipëri dhe te çështja e infiltrimit të mafies shqiptare në institucionet e vendit.

Përplasja nuk mbeti vetëm televizive. Rama deklaroi publikisht se ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve ishte hedhur “baltë” dhe kritikoi edhe gazetarë të shërbimit publik italian për atë që ai i konsideronte gjysmë të vërteta.

Tani Ranucci hap dyert e politikës

Pikërisht ky profil e bën deklaratën e fundit të Ranuccit më interesante sesa një përgjigje të zakonshme televizive.

Ai nuk është thjesht një prezantues që humbi një program. Për vite me radhë, “Report” është përplasur me qeveri, politikanë, institucione dhe interesa ekonomike, duke e kthyer drejtuesin e tij në një figurë publike që shkon përtej televizionit.

Tani, pas largimit nga emisioni, pyetja është nëse Ranucci do ta shndërrojë kapitalin e krijuar përmes gazetarisë investigative në kapital politik.

Për momentin nuk ka një kandidaturë, një parti apo një projekt politik të shpallur. Ka vetëm një fjali: “Nuk përjashtoj asgjë”.

Por në klimën e krijuar pas largimit nga “Report”, ajo fjali peshon shumë më tepër.

Sidomos kur brenda vetë redaksisë situata mbetet e tensionuar. Gazetarët e programit kanë kundërshtuar drejtimin e ri dhe disa prej tyre kanë kërcënuar me dorëheqje. Të mërkurën drejtori i sektorit të thellimit informativ të RAI-t, Paolo Corsini, pritet të takohet me redaksinë për të parë nëse mund të gjendet një kompromis.

Nga ana tjetër, RAI këmbëngul se ndryshimi është i pakthyeshëm.

Kështu, ajo që nisi si një përplasje për drejtimin e një emisioni investigativ po merr dimensione shumë më të mëdha: një betejë ligjore me televizionin publik, një revoltë brenda “Report” dhe tani edhe hija e një hyrjeje të mundshme të Ranuccit në politikë.

Dhe në Tiranë emri i tij vështirë se kalon pa u vënë re.

Sepse nëse Sigfrido Ranucci vendos vërtet të kalojë nga investigimi në politikë, Edi Rama do të jetë ndër politikanët e rajonit që e njeh më mirë se çfarë peshe mund të ketë një mikrofon në duart e tij./Pamfleti

Burime: Corriere della Sera, RAI/RaiPlay, RaiNews, La Repubblicasigfrido ranucci Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Rama po tenton të 'nxjerrë dhjamë nga pleshti', çfarë fshihet pas dokumentit që sfidon socialistët? 29 Gusht 2026, 20:3820:38Politike Bildt ngre alarmin për Ballkanin: Flitet më shumë për hakmarrje se për pajtim, historia mund të përsëritet… 29 Gusht 2026, 18:5718:57Politike Mbi 130 mln euro tenderë këtë vit, Vangjel Tavo “superfuqia” e pushtetit vendor! 29 Gusht 2026, 18:5118:51Politike Rama zbardh takimin me deputetët dhe drejtuesit e PS në Tiranë: Përgatitje për sezonin e ri politik 29 Gusht 2026, 18:4918:49Politike Bashkia e Tiranës në ngërç, Rama mbledh drejtuesit politikë në periferi të kryeqytetit! 29 Gusht 2026, 18:0518:05Politike Bardhi publikon pamjet nga Tirana: Plehra kudo, shqiptarët paguajnë për një incenerator që nuk ekziston 29 Gusht 2026, 17:4317:43Politike