Lajme Zone
'Nuk më habit më', shkrimtari i njohur për protestat e dhunshme në Francë: Jemi mësuar me plaçkitjet, njerëzit nuk kanë më frikë nga policia dhe drejtësia
BotëReport TV

'Nuk më habit më', shkrimtari i njohur për protestat e dhunshme në Francë: Jemi mësuar me plaçkitjet, njerëzit nuk kanë më frikë nga policia dhe drejtësia

Duke folur për episodet e dhunës gjatë tubimeve masive, qofshin protesta, festa kombëtare apo ndeshje futbolli, Houellebecq thotë se ajo që ndodh në Francë nuk e habit më.

Shkrimtari i njohur francez Michel Houellebecq ka ngritur shqetësimin për normalizimin e dhunës në shoqërinë franceze duke thënë se protestat, plaçkitjet dhe incidentet në rrugë janë kthyer në një fenomen të zakonshëm. Gjatë një interviste për gazetën spanjolle, ai ka analizuar shkaqet e kësaj situate, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe dobësimin e frikës nga ndëshkimi. Duke folur për episodet e dhunës gjatë tubimeve masive, qofshin protesta, festa kombëtare apo ndeshje futbolli, Houellebecq thotë se ajo që ndodh në Francë nuk e habit më. “Është e trishtueshme ta thuash, por francezët janë mësuar me dhunën. Prej disa vitesh, sa herë që ka një aktivitet që mbledh shumë njerëz në rrugë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një demonstratë, një festë kombëtare apo një finale futbolli, ndodhin plaçkitje. Gjithmonë. Çdo herë”, shprehet ai. Sipas shkrimtarit, një nga arsyet kryesore të kësaj situate është dështimi i sistemit të drejtësisë, që ka bërë që qytetarët të mos kenë më frikë nga pasojat ligjore të veprimeve të tyre. “Besoj se ka pasur një dështim të drejtësisë. Njerëzit kanë gjithnjë e më pak frikë se mos arrestohen. Nuk është për shkak të pakënaqësisë, por sepse nuk kanë më frikë nga policia. Mbi të gjitha, nuk kanë më frikë nga drejtësia”, thekson Houellebecq. Një tjetër çështje që trajton shkrimtari është kontrolli social, të cilin e konsideron gjithnjë e më të pranishëm në shoqëritë moderne. Ai përmend edhe periudhën e pandemisë COVID-19, kur sipas tij shumë njerëz u përfshinë në mbikëqyrjen dhe denoncimin e sjelljes së të tjerëve. “Besoj se në këtë moment ekziston një vullnet shumë i fortë për kontroll social. Këtë e pamë edhe gjatë COVID-it. Shumë njerëz ishin vërtet të kënaqur, sepse mund të përgjonin dhe të mësonin se çfarë bënin fqinjët apo familjarët e tyre, madje edhe t'i denonconin”, shprehet shkrimtari. Houellebecq ndalet gjithashtu te rikthimi i interesit për fenë në Evropë, veçanërisht te të rinjtë. Ai e cilëson këtë një fenomen të papritur, që sipas tij nuk ishte parashikuar as nga vetë institucionet fetare. “Askush nuk e pa që po vinte, as edhe një person i vetëm. Madje as Kisha. Ata janë të parët që janë habitur nga ajo që po ndodh”, thotë ai, duke iu referuar rritjes së interesit shpirtëror dhe numrit të pagëzimeve. Në intervistë, shkrimtari flet edhe për botëkuptimin që ka shoqëruar krijimtarinë e tij ndër vite, duke pohuar se vazhdon të besojë se universi ndërtohet mbi ndarjen, vuajtjen dhe të keqen. Megjithatë sipas tij, e mira mbetet shumë më e vështirë për t'u shpjeguar. “Është më e lehtë të kuptosh të keqen sesa të mirën. Edhe altruizmi është një mister. Besoj se askush nuk ka arritur ta shpjegojë. Askush”, shprehet ai. Një nga bindjet që thotë se e ka shoqëruar gjithmonë është edhe ideja se mirësia përbën vlerën më të lartë njerëzore. Duke iu referuar një shprehjeje të Beethovenit, Houellebecq thotë: “E vetmja epërsi që njoh është mirësia”. Në fund, Houellebecq ka konfirmuar se se po punon për një libër të ri, por nuk pranon të zbulojë detaje. Ai thekson se procesi krijues kërkon vetmi dhe se shkrimtari duhet të ruajë distancën nga ndërhyrjet dhe reagimet e të tjerëve. “Shkrimi ka të bëjë me vetminë. Nëse i tregon diçka dikujt, nuk mund ta ndalosh reagimin e tij dhe kjo është tepër ndërhyrëse. Shkruhet në vetmi”, përfn Michel Houellebecq. A.C/ReportTv.al Michel Houellebecq protestat ne France Komento Komente Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve? Po 50.8% Jo 40.5% Nuk e di 8.7% Vota total: 482 Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?