Donald Trump / Sondazhet parashikojnë një “valë blu” demokrate në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit. Përmasat e humbjes së republikanëve, do të përcaktojnë trashëgiminë politike të Trumpit dhe nëse partia e tij do të guxojë më në fund të shkëputet prej presidentit... Duke përfshirë edhe aktivitetet e planifikuara për këtë fundjavë, të cilat fillimisht u anuluan dhe më pas u riplanifikuan për të mos krijuar përshtypjen e dobësisë, Donald Trump ka zhvilluar gjithsej 28 mitingje gjatë fushatës për zgjedhjet e mesmandatit. Fushata do të përmbyllet të martënr, kur amerikanët do t’u drejtohen kutive të votimit.
Ende nuk dihet nëse kjo ofensivë elektorale, e pagëzuar me emrin “Midterm Blitz”, një metaforë ushtarake nga ato që i pëlqejnë aq shumë medias së Uashingtonit, do të arrijë të përmbysë parashikimet e zymta për republikanët.
Të shtunën, ata ishin 8 për qind prapa në sondazhe. Anketimet parashikojnë humbjen e kontrollit të Kongresit dhe nuk përjashtojnë as mundësinë që republikanët të humbasin Senatin, një skenar që deri para verës dukej shumë pak i mundshëm.
Në total, kjo ofensivë elektorale ka prodhuar afro 60 orë spektakël tipik trumpian: gënjeshtrat e presidentit, si pretendimi se “nuk kemi inflacion”; sulmet ndaj medias; retorika ksenofobe, kësaj here e ushqyer edhe nga islamofobia; premtimet e rreme, si ai për t’u dhënë 5.000 dollarë çdo amerikani nëse fiton kampi i tij; batutat e vjetra dhe kërcimi i tij karakteristik, që sipas vetë Trumpit “Melania e urren”.
Në këtë spektakël nuk kanë munguar as fiksimet e reja, ndër të cilat spikat përqendrimi i çuditshëm te të pasmet e një senatori nga Ohajo. Në çdo ndalesë, Trump u ka bërë mbështetësve të njëjtën kërkesë: “Ju lutem, silluni sikur edhe unë të jem në fletën e votimit”.
Është një bast i rrezikshëm, i cili nëse rezulton i suksesshëm, do të përforconte mitin e instinktit të tij politik. Por shumë faktorë po punojnë kundër presidentit: niveli historikisht i ulët i miratimit të tij, lufta me Iranin pa një fund të dukshëm në horizont, korrupsioni që po ngjitet në listën e shqetësimeve të votuesve, fushata brutale kundër emigracionit dhe ekonomia e dobësuar.
Kjo strategji e tipit “gjithçka ose asgjë”, i ka kthyer zgjedhjet në një referendum për të ardhmen e trumpizmit dhe për pyetjen nëse flluska politike e lëvizjes MAGA ka mbërritur në prag të shpërthimit.
Nëse “vala blu”, siç quhet në zhargonin politik të Uashingtonit fitorja e demokratëve, materializohet dhe presidenti nuk refuzon të pranojë rezultatin, gjysma e dytë e mandatit të tij mund të shndërrohet në një epilog të hidhur për një nga karrierat më të pazakonta politike në historinë amerikane.
I dobësuar politikisht dhe i shndërruar në një president që nuk arrin më të imponojë agjendën e tij, Trump do t'i kalonte dy vitet e fundit të mandatit nën hijen e një Kongresi armiqësor. Ndoshta atëherë edhe republikanët do të guxojnë më në fund ta sfidojnë.
Gjatë fushatës, kandidatët e kësaj partie nuk kanë mundur të shprehin hapur asnjë rezervë për ndikimin negativ që popullariteti i ulët i Trumpit ka pasur në garat e tyre. As establishmenti republikan nuk arriti të pengonte përzgjedhjen e kandidatëve të preferuar prej tij, disa prej të cilëve kanë ndërlikuar gara që më parë konsideroheshin të sigurta për republikanët, si në Teksas, ku kandidon Ken Paxton, apo në Karolinën e Jugut, ku garon Darline Graham, e njohur kryesisht si motra e senatorit të ndjerë Lindsey Graham.
Të dyja këto shtete bëjnë pjesë në nëntë shtetet, të gjitha tradicionalisht republikane, ku Trump ka zhvilluar mitingjet e tij. Zgjedhja e këtij itinerari, mund të interpretohet në dy mënyra.
Ose presidenti është mjaftuar duke u kujtuar votuesve të tij të zakonshëm që të dalin në votime, ose situata është bërë aq e vështirë sa ai druhet se mund të pësojë humbje edhe në bastionet republikane. Shifrat e votimit të parakohshëm, me pak më shumë se 51 milionë qytetarë që kishin votuar deri të shtunën, paralajmërojnë një pjesëmarrje të lartë.
Edhe kjo e dhënë mund të interpretohet në dy mënyra. Së pari, shumë amerikanë kanë parapëlqyer të sigurojnë që vota e tyre të numërohet përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, e cila po vjen në një atmosferë pasigurie, të krijuar nga sulmet e vazhdueshme të administratës Trump ndaj procesit demokratik.
Presidenti duket se po përgatit terrenin për të kundërshtuar rezultate të pafavorshme përmes padive pa baza, kërcënimeve me gjoba apo burg ndaj zyrtarëve zgjedhorë, frikësimit të votuesve dhe madje edhe mundësisë së dislokimit të paligjshëm të trupave ushtarake në qendrat e votimit.
Interpretimi i dytë është më i favorshëm për demokratët. Tradicionalisht, janë pikërisht votuesit e tyre ata që parapëlqejnë të votojnë para ditës zyrtare të zgjedhjeve. Këtë herë, ata duket se janë bashkuar më shumë se kurrë rreth një kundërshtari të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë.
Ndoshta për këtë arsye, përveç mitingjeve, Trump i ka bombarduar mbështetësit me thirrje për të shfrytëzuar një mundësi votimi, të cilën prej vitesh është përpjekur ta nxjerrë jashtë ligjit.
E marta do të jetë gjithashtu një provë për institucionet që merren me sondazhet, si “The Cook Political Report”, e cila po shton vazhdimisht në listën e garave të pasigurta zona ku demokratët po fitojnë terren.
Historia e fundit e sondazheve në SHBA, është plot me gabime të mëdha parashikimi, ndaj rezultati i së martës do të jetë edhe një test për besueshmërinë e tyre. Por demokratët do të nxjerrin përfundime edhe nga referendumi i tyre i brendshëm për dy rrymat që bashkëjetojnë në parti.
Këto zgjedhje do të mbahen mend, si ato në të cilat një pjesë e demokratëve guxoi të vinte në provë politikën progresiste sipas modelit të Bernie Sanders. Një nga përfaqësuesit e kësaj fryme është Abdul El-Sayed, në Miçigan, i cili synon të bëhet senatori i parë mysliman në historinë e SHBA-së.
Kjo kandidaturë shpjegon, të paktën pjesërisht, edhe retorikën islamofobe të Trumpit gjatë fushatës. Por ky cikël zgjedhor, shënon edhe një përpjekje tjetër të demokratëve: paraqitjen e kandidatëve që mund të cilësohen si “populistë të prerive”, në territore tradicionalisht armiqësore ndaj tyre.
Ata përpiqen të fitojnë mbështetjen e fermerëve të zemëruar për shkak të çmimeve të naftës dhe karburanteve. Mes tyre janë pastori Adam Hamilton në Kansas, Josh Turek në Ajova dhe James Talarico në Teksas. Këto janë tri nga shtatë vendet në Senat, që demokratët shpresojnë t’ua marrin republikanëve.
Këta kandidatë, paraqiten si mjaftueshëm konservatorë dhe besimtarë për të tërhequr republikanët e zhgënjyer nga Trumpi. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, mbështetja e republikanëve për presidentin ka rënë nga 95 për qind në shkurt 2025 në 67 për qind këtë muaj.
Ata synojnë gjithashtu të tërheqin votuesit e pavendosur, të shqetësuar nga ajo që e konsiderojnë si zhvendosje të tepruar progresiste, të cilën e etiketojnë si “ëoke, në çështje si arsimi dhe të drejtat e personave transgjinorë.
Megjithatë, këto ndryshime taktike nuk nënkuptojnë se Partia Demokratike është imune ndaj krizës së besimit që po prek institucionet amerikane. Vetëm 14 për qind e amerikanëve kanë një opinion pozitiv për Kongresin, pas vitesh polarizimi, shembjes së bashkëpunimit dypartiak dhe paralizës legjislative.
Vlerësimi ndaj këtij institucioni, nuk ka qenë kurrë kaq i ulët kaq pranë zgjedhjeve që rinovojnë çdo dy vjet të gjithë Dhomën e Përfaqësuesve dhe një pjesë të Senatit. Përveç fatit të të gjithë 435 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 prej 100 vendeve të Senatit, amerikanët do të zgjedhin të martën edhe mijëra zyrtarë në nivel lokal dhe shtetëror.
Në fletët e votimit do të përfshihen gjithashtu qindra nisma dhe çështje konkrete, nga taksat ndaj miliarderëve, si Propozimi 40 në Kaliforni, deri te ndikimi i financimeve të padeklaruara në zgjedhje.
Një shembull është Nisma 194 në Montana, e cila mund të shërbejë si precedent për ndryshimin e rregullave të një demokracie me mangësi të dukshme. Në aspekte të tjera, kjo fushatë do të mbetet në kujtesë për batutën e Barack Obamës, që ndërthurte rrjetin e restoranteve “Cheesecake Factory”, shijet e Trumpit dhe diktatorin irakian Saddam Hussein.
Ajo do të mbahet mend gjithashtu për gafat e zëvendëspresidentit J. D. Vance dhe për shpenzimet rekord të të dyja partive për reklama elektorale, të përqendruara në sulmet personale ndaj kundërshtarëve.
Paradoksalisht, edhe në epokën e videove të shkurtra në rrjetet sociale, një pjesë e madhe e këtyre reklamave është transmetuar në televizionet lokale. Një garë tjetër e pazakontë është ajo në Alaskë, ku dy kandidatë për Senat me të njëjtin mbiemër, Sullivan, njëri i pavarur dhe tjetri republikan, janë përballur në një manovër të organizuar nga ekipi i demokrates Mary Peltola.
Një veprim i ligjshëm, por jo domosdoshmërisht etik, që synon të ngatërrojë votuesit përmes ngjashmërisë së emrave. Këto janë gjithashtu zgjedhjet e inteligjencës artificiale. Jo vetëm sepse votuesit po i drejtohen kësaj teknologjie për të marrë vendime, por edhe sepse shqetësimi për rreziqet që ajo paraqet dhe kundërshtimi ndaj ndërtimit të qendrave të të dhënave janë ndër të paktat çështje që kanë bashkuar krahët e ndryshëm politikë në SHBA.
Kjo nuk e ka penguar Trumpin t’i mbrojë këto projekte dhe t’i cilësojë kundërshtarët e tyre si armiq të përparimit, të dënuar të jetojnë në “varfëri, kriminalitet dhe mjerim”.
Përmasat gjigante të qendrave të të dhënave, konsumi i madh i ujit që kërkojnë për funksionimin e tyre, pasojat e mundshme për shëndetin publik dhe rritja e faturave të energjisë për banorët e zonave përreth, i kanë kthyer ato në simbole të rezistencës ndaj një oligarkie që duket se po vepron me më shumë pandëshkueshmëri se kurrë gjatë mandatit të dytë të Trumpit.
Një oligarki që, falë inteligjencës artificiale, po fiton gjithnjë e më shumë ndikim mbi të ardhmen e njerëzimit. Një nga kandidatët që e ka mishëruar këtë betejë është Justin Pearson, një deputet i ri i parlamentit të shtetit të Tenesit, nga Memfisi, i cili shpreson të fitojë një vend në Kongresin amerikan.
Një pjesë e fushatës së tij, mbështetet te aftësia për të identifikuar dhe sfiduar kundërshtarë të fuqishëm. Elon Musk qëndron pas ndërtimit të dy qendrave të të dhënave në Memfis, qytetin ku jeton Pearson.
Memfisi është gjithashtu një nga tri zonat, ku republikanët kanë dobësuar përfaqësimin e komunitetit afroamerikan, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë që përmbys një traditë 60-vjeçare të demokracisë amerikane.
Vendimi ka çmontuar pjesë thelbësore të Ligjit për të Drejtat e Votës, në një mënyrë që favorizon republikanët. Për këtë arsye, edhe pesha politike e këtij komuniteti do të jetë në provë të martën.
Sa i përket Musk, ai ka vërshuar sërish në fushatë me paratë e tij, ndërsa algoritmi i platformës X, në pronësi të tij, ka vazhduar të ndikojë në klimën politike të miliona votuesve, të cilët informohen pothuajse ekskluzivisht përmes videove që zgjasin vetëm pak sekonda.
Sipas New York Times, miliarderi ka shpenzuar të paktën 267 milionë dollarë për të mbështetur republikanët në këto zgjedhje të mesmandatit. Shuma është e krahasueshme me afro 290 milionë dollarët që ai investoi për të ndihmuar Trumpin të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Nëse sondazhet rezultojnë të sakta, Musk, ashtu si presidenti dhe aleatët e tij, do të përballet me një Kongres armiqësor, tashmë nën kontrollin e demokratëve, të gatshëm të nisin hetime për vendimet e marra gjatë pjesës së parë të mandatit të dytë të Trumpit.
Të paktën njeriu më i pasur në botë, nuk është shfaqur në fushatë përkrah një presidenti, pasuria e të cilit është rritur me rreth 2.7 miliardë dollarë që nga rikthimi i tij në pushtet.
Sigurisht, kjo nuk ka ndodhur për mungesë mundësish. Trumpi ka pasur plot 28 raste për të dalë në skenë gjatë ofensivës së tij “Midterm Blitz”. Një 80-vjeçar, që po jep gjithçka nga vetja për të shpëtuar një fushatë elektorale, e cila është shndërruar në një referendum për vetë presidencën e tij./Pamfleti nga “El Pais”një referendum për fundin e trumpizmit Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Një portë, nëntë mace dhe një zemër e madhe njerëzore… 2 Nëntor 2026, 13:1313:13Forum A do të ndikojë supertaksa e apartamenteve bosh te çmimet apo te qiratë? 2 Nëntor 2026, 11:1311:13Forum Rënia e Vuçiçit në Serbi i jep një goditje fatale ndikimit rus në Ballkan 2 Nëntor 2026, 10:0610:06Forum Edi Rama refuzon kandidaturën e Sali Berishës për Inspektor të Përgjithshëm 2 Nëntor 2026, 10:0210:02Forum Revolta rinore e Europës: Një brez që refuzon të ardhmen e zgjedhur për të! 1 Nëntor 2026, 22:5022:50Forum Një fantazmë po e përndjek Europën 1 Nëntor 2026, 18:4318:43Forum

