Në karrocën e Shah Alamit në Manhatan, banania kushtonte 35 centë. Pak më tutje, në sallën e ankandeve Sotheby’s, ajo hyri në historinë e artit si pjesë e një vepre që u shit për 6,24 milionë dollarë.
Po të ishte kthyer te karroca e shitësit me atë shumë, blerësi do të kishte mundur të merrte 17 828 571banane dhe do t’i tepronin 15 centë.
Por arti, ky gjahtar i vjetër i së mahnitshmes, di ta gjejë mes nesh edhe ndonjë “të çmendur” që, për një banane të vetme të ngjitur në mur, pranon të paguajë aq sa te karroca e frutashitësit do të blinte afrotetëmbëdhjetë milionë të tilla.
Megjithatë, para se të qeshim me blerësin, ia vlen ta pyesim veten sa gjatë do ta kishim soditur atë banane po të kushtonte ende 35 centë.
Cattelani e ngjiti në mur. Blerësi, me një ofertë të vetme, bëri që të gjithë të kthenim kokën. Dhe ja ku jemi, dy vjet më vonë, ende duke folur për të.
Në nëntor të vitit 2026, në muzeun Guggenheim të Nju Jorkut, një vizitor mund të ndalet para njëbananeje të ngjitur në mur dhe pastaj, për një dollar, të marrë nga një automat i muzeut një stampë tëvogël me motivin e bananes.
Dy vjet më parë, po në këtë qytet, një botim i autorizuar i veprës Comedian të artistit italian Maurizio Cattelan u shit për 6,24 milionë dollarë.
Nga salla e ankandit te automati i muzeut, banania ka ruajtur atë cilësi që e bëri të famshme. Sapo e sheh, të vjen të buzëqeshësh. Pastaj sheh çmimin dhe nis e mendohesh.
Më 20 nëntor 2024, në sallën e Sotheby’s në Nju Jork, ofertat nisën nga 800 mijë dollarë. Shtëpia eankandeve e kishte vlerësuar veprën nga 1 deri në 1,5 milionë. Shtatë ofertues hynë në garë dhe, pasmë shumë se gjashtë minutash, çekiçi ra në 5,2 milionë dollarë. Me tarifat e ankandit, shuma përfundimtare arriti në 6,24 milionë. Blerësi ishte Justin Sun, sipërmarrës i kriptomonedhave, i cili garoime telefon.
Po çfarë mori me vete blerësi?
Një certifikatë autenticiteti dhe udhëzimet që i japin të drejtën ta realizojë e ta ekspozojë instalacionin si vepër të Cattelanit. Udhëzimet përcaktojnë edhe lartësinë e vendosjes, 160 centimetra nga dyshemeja. Kur fruti nxihet, ai që e ekspozon e zëvendëson me një tjetër.
Këtu qëndron hollësia që humbet sa herë lajmi shkurtohet në fjalët «një banane kushtoi gjashtë milionëdollarë». Kushdo mund ta përsërisë gjestin me një frut e një copë shirit.
Ajo që ndërroi pronar në ankand ishte e drejta që ky gjest të mbajë emrin dhe autorësinë e artistit. Historia kishte nisur në dhjetor të vitit 2019, në stendën e galerisë Perrotin në panairin Art Basel Miami Beach.
Mes veprave që galeritë kishin sjellë për të tërhequr syrin dhe kuletën e koleksionistëve, Cattelan kishte ngjitur në mur një banane me shirit të argjendtë.
Vetë artisti e ka lidhur zgjedhjen me ritmin e panaireve, ku marrëveshjet mbyllen shpejt dhe një pikturë mund të shitet në pak minuta. Po të merrte pjesë në atë treg, arsyetonte ai, mund të nxirrte në shitje një banane, ashtu si të tjerët nxirrnin një tablo.Kështu, edhe vendi ku e ekspozoi u bë pjesë e domethënies së saj. Nëntë ditë pas ankandit, më 29 nëntor 2024, Justin Sun doli para gazetarëve në Hong Kong, shkëputi shiritin nga muri, qëroi bananen dhe e hëngri. Ky gjest, që në një natyrë të qetë do të ishte i pamundur pa grisur pëlhurën e piktorit, këtu la të paprekur pronësinë e blerësit.
Me një banane tjetër dhe të njëjtën certifikatë, Comedian mund të shfaqej sërish.
Në fund të majit 2026, në Centre Pompidou-Metz të Francës, historia mori një kthesë tjetër. Banania u zhduk nga instalacioni dhe në mur mbeti shiriti.
Muzeu e denoncoi vjedhjen. Kësaj here ishte institucioni që u gjend përballë pyetjes së Cattelan-it.
Si e përshkruan, në një denoncim, humbjen e një fruti që rregullat e vetë veprës të lejojnë ta zëvendësosh?
Dy vjet pas ankandit, më duket se çasti më domethënës i kësaj historie mbetet ai kur ra çekiçi. Deri atëherë, Cattelan kishte bërë pjesën e vet.
Kishte zgjedhur frutin, shiritin, murin dhe emrin Komedian.
Shifrën e shkroi tjetërkush.
Dhe pikërisht ajo shifër, që artisti s’mund ta caktonte dot i vetëm, u bë hollësia që sot e mbajmë mend të gjithë. Ndoshta aty duhet kërkuar thumbi më i hollë i kësaj vepre. Kur rrëfejmë historinë e bananes, rrallë ndalemi te e verdha e saj, te harku i frutit apo te hija që lë mbi mur. Fillojmë, pothuajse gjithmonë, nga paratë./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

