Lajme Zone
PolitikëShqiptarja

Një baba që sakrifikoi gjithçka për të birin, por u braktis prej tij! 'Të thyer' i Budinës në Festivalin e Filmit Shqiptar, regjisori: Paraja shkatërron edhe marrëdhëniet familjare


Një baba që sakrifikoi lirinë për të birin, por humbi përgjithmonë lidhjen me të. “Të Thyer” i Edmond Budinës rikthehet para publikut shqiptar në Festivalin Kombëtar të Filmit Shqiptar.

Një histori që ndërthur dramën familjare me një realitet jo të thjeshtë, të tronditur nga korrupsioni, interesi dhe shkatërrimi i mjedisit rrëfen filmi “Të thyer” i Edmond Budinës i shfaqur të dielën në Sallën e Madhe të Akademisë së Arteve, në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar. “Është një film që flet për ambientin, për ndotjen e ambientit dhe për aferat e pista që bëhen në kurriz të ambientit. Për këtë filmi ka një aktualitet të jashtëzakonshëm, edhe pse është xhiruar në vitin 2015.”, tha Edmond Budina për “Report TV”. Jani, 60 vjeç, kthehet në Shqipëri pas 18 vitesh burg në Itali. Por vendi që gjen nuk është më ai që la pas. Gruaja ka vdekur, ndërsa djali i tij, Andi, është shndërruar në një politikan të pasur dhe të fuqishëm. Për Janin, dhimbja më e madhe nuk është vetëm humbja e familjes, por refuzimi i të birit, i cili nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me të shkuarën e babait. LEXO EDHE:Programi/ Dita e pestë e Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar! Sot dhjetëra filma të gjatë e të shkurtër dhe dokumentarë “Interesi i parasë është mbi të gjitha, shkatërron edhe marrëdhëniet njerëzore, marrëdhëniet familjare. Dhe ky realitet është i dukshëm sot në Shqipëri.”, tha Budina. I shoqëruar nga Marko, Jani rikthehet në fshatin e lindjes. Aty gjen një komunitet të braktisur, një peizazh të rrënuar dhe, mbi të gjitha, një të vërtetë edhe më të rëndë. Mbetje të dyshuara radioaktive janë fshehur nën tokën ku luajnë fëmijët. Dhe pas kësaj afere qëndron pikërisht Andi. Përballë babait që sakrifikoi vitet e tij në burg për të mbrojtur të birin është tashmë një njeri që ka zgjedhur pushtetin dhe paranë. Por historia e Janit merr një tjetër dimension kur ai rrëfen të shkuarën. Tetëmbëdhjetë vite më parë, ai kishte marrë përsipër fajin për drogën që policia gjeti në apartamentin ku jetonte me djalin në Itali, duke kuptuar se ajo i përkiste Andit. Kur djali del nga burgu, Jani është sërish aty. Pret. Por Andi largohet pa kthyer kokën pas. “Është e vështirë të ndërtosh një raport të vërtetë miqësor, mbase duhen vite të tëra për të ndërtuar një raport të vërtetë njerëzor dhe mjafton vetëm një çast për ta shkatërruar gjithçka. Është si ajo buka e thyer që nuk ngjitet më.”, vijoi regjisori. Vetë Budina është njëkohësisht regjisor dhe protagonist i filmit, një sfidë që, siç thotë, është lehtësuar nga bashkëpunimi me një ekip të konsoliduar. Filmi është një bashkëprodhim shqiptaro-italo-maqedonas dhe është shfaqur më herët në festivale ndërkombëtare, ku ka marrë vlerësime dhe nga publiku. “Ky është një art shumë kolektiv. Realizimi i filmit ka nevojë për një harmoni të përgjithshme. Unë këtë e kam zgjidhur duke marrë një trupë që më përshtatet.”, tha regjisori. Në Festivalin e Filmit Shqiptar, Budina rikthehet me një film që, edhe pse i realizuar vite më parë, sipas tij mbetet aktual për realitetin e sotëm. Të martën, në orën 21:00, filmi do të shfaqet për herë të dytë në sallën Black Box. Ndërsa tashmë ai përgatit projektin e ri, “Kapital Kom”, një komedi që pritet të nisë xhirimet në vitin 2027. B.G TAG: akademia e arteve Festivali Kombetar i Filmit Shqiptar edmond budina te thyer kinematografia shqiptare Filmi shqiptar Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

7 Shtator, 07:56

Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 82.5% Magjistratëve 12.3% Nuk e di 5.2% Vota total: 480 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?