Matteo Salvini dhe Vladimir Putin Rusia nuk ka qenë gjithmonë anti-evropiane, as në historinë e saj të afërt... Matteo Salvini e përkufizon atë si “ankth të tepruar anti-rus”, Lëvizja Pesë Yjet si “histeri anti-ruse”. Sigurisht që përjashtojmë mundësinë që lideri i Legës apo Giuseppe Conte të frymëzohen nga fushata e Kremlinit kundër të ashtuquajturës “rusofobi”, por është i dukshëm konfuzioni që qarkullon në atë pjesë të politikës italiane që kundërshton idenë që Evropa të forcojë mbrojtjen e saj kundër kërcënimit që vjen nga Moska.
Është konfuzioni i atyre që nuk shohin, ose preferojnë të mos shohin, se ai kërcënim buron nga putinizmi si regjim i anti-Evropës dhe sigurisht jo nga një popull, një histori dhe një kulturë kundër të cilave disa do të ushqenin një paragjykim të patolerueshëm. Sigurisht, sot Putin përfaqëson Rusinë dhe Rusia përfaqësohet nga regjimi i tij. Por kjo është ajo që po ndodh në periudhën historike që po jetojmë, pasi putinizmi iu imponua Rusisë me dhunë dhe joshje, duke mposhtur politikisht përfaqësime të tjera dhe krejt të ndryshme të interesit kombëtar rus.
Në të vërtetë, Rusia nuk ka qenë gjithmonë anti-evropiane, as në historinë e saj të afërt. Një shembull mes shumë të tjerëve vjen nga Mikhail Gorbaçovi, i cili pikërisht dyzet vjet më parë nisi të ashtuquajturin “Mendim i Ri” (novoe myšlenie), kur në vitin 1986 u përpoq të përshpejtonte rrjedhën e perestrojkës. Përpjekja kishte arsyet e saj të brendshme dhe përfi në dështim, në thelb sepse sistemi sovjetik rezultoi i pareformueshëm, por ai “Mendim i Ri” përmbante një ide të interesit kombëtar të kundërt me atë që mishërohet sot nga Kremlini: përparësi për “interesat e përbashkëta të njerëzimit” kundrejt logjikës më tradicionale të “luftës së klasave”, perspektivën e një “shtëpie të përbashkët evropiane”, ndërvarësinë globale, laicizimin joideologjik të marrëdhënieve ndërkombëtare, “mjaftueshmërinë e arsyeshme” në fushën ushtarake.
Putinizmi, përkundrazi, pas krizës së brendshme të vitit 2012 u shndërrua në një regjim diktatorial gjithnjë e më shtypës, edhe falë një ideologjie haptazi armiqësore ndaj Evropës, e perceptuar si kërcënim për shkak se është një hapësirë e lirive civile, etnike, ekonomike dhe të mendimit. Ato liri dhe ato të drejta që regjimi i ri po i gërryente me shpejtësi dhe që sot janë çrrënjosur plotësisht nga Rusia e luftës së përhershme. Në gjuhën e re të teoricienëve putinianë, Bashkimi Evropian herë do të ishte i dominuar nga “satanizmi i elitave globaliste”, herë nga i ashtuquajturi “eurofashizëm”, përveç obsesionit gjithmonë të pranishëm të “rusofobisë”. Një delir ideologjik, natyrisht. Por regjimet diktatoriale mbështeten edhe mbi delire ideologjike dhe prej tyre nxjerrin vendime konkrete, siç e dinë ukrainasit më mirë se kushdo tjetër.
Për më tepër, pas dështimit të përpjekjes për ta nënshtruar Kievin brenda pak javësh, putinizmi tashmë është rob i një përshkallëzimi retorik, përveç atij ushtarak. Për t’i mbijetuar vetvetes dhe rrezikut të një kolapsi që do të ishte katastrofik para së gjithash për hierarkët e Kremlinit, regjimi i Moskës ka nevojë t’u tregojë rusëve për një Evropë gjithnjë e më armiqësore, gjithnjë e më të verbër, gjithnjë e më shumë pre të qarqeve luftënxitëse. Si në çdo përshkallëzim, rreziku që të kalohet nga predikimi në praktikën e përplasjes është gjithmonë konkret. Por pikërisht për këtë arsye është thelbësore mënyra se si diskutojmë për përgjigjet e mundshme ndaj putinizmit. Të ngatërrosh një politikë vigjilence dhe frenimi ndaj regjimit putinian me kritikën paragjykuese ndaj Rusisë, ndaj kulturës së saj, historisë së saj, popullit të saj, do të thotë t’ia pamundësojmë vetes të kuptojmë se çfarë kemi përballë: një diktaturë të ndërtuar pikërisht kundër Evropës së lirive dhe të drejtave, pra një kërcënim ekzistencial për demokracitë tona. Nëse më pas ky konfuzion vjen nga ata që luajnë një rol politik, si në rastin e Salvinit, Contes dhe përfaqësuesve të tjerë të koalicionit të tërthortë që kritikon politikat evropiane të sigurisë, dëmi është i dyfishtë, sepse italianëve u sugjerohet se alarmi për kërcënimin gjithnjë e më real që vjen nga Moska është në të vërtetë një alarmizëm i pabazë, sepse është i njëanshëm.
Nga ana tjetër, ne italianët duhet ta njohim mirë dallimin që ekziston mes një regjimi dhe kombit që ai regjim pretendon se mishëron. Çfarë ishte fashizmi, nëse jo përpjekja për t’i imponuar Italisë dhe botës, me dhunë dhe joshje, një përfaqësim të vetëm dhe specifik të identitetit tonë kombëtar? A ishin vallë të pushtuar nga “isteria anti-italiane” ata që denonconin rrezikun që regjimi fashist përfaqësonte për paqen dhe lirinë e popujve të tjerë, ata që luftuan që Italia të mos ishte përgjithmonë musoliniane? Sipas fashizmit, po, ata ishin pikërisht “elementë anti-italianë” dhe si të tillë u trajtuan. Por ne e dimë se pikërisht falë dëshmisë së një Italie tjetër, të ndryshme dhe të kundërt me atë musoliniane, vendi ynë ruajti forcën dhe dinjitetin prej të cilave lindën Kushtetuta dhe Republika. Në fund të fundit, do të mjaftonte t’i zbatohej putinizmit mësimi i historisë sonë, paralajmërimi që antifashistët na kanë lënë për të dalluar gjithmonë mes regjimit dhe kombit, për të kuptuar se në të vërtetë nuk ka asnjë “isteri anti-ruse” në vullnetin për të mbrojtur liritë tona nga një kërcënim real./Përshtati "Pamfleti" nga "La Repubblica"putini rusia europa italia Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota AfD fiton bindshëm, por nuk qeveris dot e vetme; Aleanca BSW e gatshme për koalicion 6 Shtator 2026, 21:5321:53Rajoni dhe Bota Fitorja bindëse e AfD-së/ Ekstremi i djathtë mobilizoi elektoratin gri, CDU-ja humbi terren ndaj të gjithëve 6 Shtator 2026, 21:3021:30Rajoni dhe Bota Takimi me të dërguarit e SHBA-së, Zelensky: Lufta do të vazhdojë deri në dimër 6 Shtator 2026, 21:0821:08Rajoni dhe Bota “Fshesa” e Pete Hegseth në Pentagon 6 Shtator 2026, 20:5720:57Rajoni dhe Bota AfD thyen dominimin e CDU-së në Saksoni-Anhalt pas më shumë se tri dekadash 6 Shtator 2026, 19:5419:54Rajoni dhe Bota Netanyahu shton presionin ndaj Teheranit: Regjimi po lëkundet, fundi po afron! 6 Shtator 2026, 19:1719:17Rajoni dhe Bota

