Bojkoti i përgjithshëm i administratës gjyqësore në Gjykatën e Tiranës ka nxjerrë në pah përplasjen e thellë mes pushtetit gjyqësor dhe qeverisë për çështjen e pagave. Në emisionin “Minuta e parë” në News24 me gazetaren Ola Bruko, juristi konstitucionalist Bledar Dervishaj analizoi kronologjinë e këtij ngërçi institucional dhe rrugët për daljen nga kriza. Pezullimi i shërbimeve në dhomën civile, penale dhe në Apel nga administrata gjyqësore erdhi si pasojë e mosmarrjes së pagave të muajit gusht. Dervishaj sqaroi se punonjësit e administratës nuk kanë qenë palë në konfliktin kushtetues të pagave të magjistratëve, por po vuajnë pasojat si “dëm kolateral” nga mosushtrimi i funksioneve nga Kuvendi në kohë dhe nga një nxitim i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Origjina e ngërçit lidhet me reformën kushtetuese të vitit 2016 dhe ligjin për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve. Pas ndryshimeve ligjore që ulën formulën e pagës referuese, Unioni i Gjyqtarëve iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuesja e shpalli antikushtetuese formulën dhe i la detyrë Kuvendit të plotësonte vakumin ligjor brenda datës 31 korrik. Kuvendi e depozitoi nismën në 30 korrik dhe hyri në pushime pa e miratuar atë, duke lënë pas një boshllëk ligjor. Në mungesë të ligjit të ri, KLGJ dhe KLP caktuan vetë pagën e re referuese. Kjo solli bllokimin e listëpagesave nga Ministria e Financave, pasi Thesari nuk mund të çelte fondet pa një bazë të miratuar nga Kuvendi. KLGJ nuk mund të marrë atributet e legjislatorit apo të ndryshojë buxhetin e shtetit. Sipas Dervishajt, zgjidhja kërkon lojalitet kushtetues dhe bashkëpunim mes institucioneve. Zgjidhja provizore për pagat sipas tij do të ishte ndërmarrja e një hapi praktik ku punonjësit dhe magjistratët të trajtohen përkohësisht me formulën e vjetër të llogaritjes, ndërsa diferenca t’u kalojë pasi Kuvendi të miratojë ligjin.
Po ashtu ai propozoi se me startimin e sesionit të ri parlamentar, Kuvendi duhet të kalojë me procedurë të përshpejtuar formulën e re, duke thirrur në tryezë konsultimi KLGJ-në, KLP-në, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Gjykatën e Lartë për të shmangur konflikte të reja kushtetuese. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
