Lajme Zone
Ngërçi i pagave/ Bojkotohet puna në Gjykatën e Tiranës, administrata bllokon shërbimet dhe seancat gjyqësore
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Ngërçi i pagave/ Bojkotohet puna në Gjykatën e Tiranës, administrata bllokon shërbimet dhe seancat gjyqësore

Ngërçi me pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë bojkotin e punës në Gjykatën e Tiranës. Në bojkot janë përfshirë punonjës të Dhomës Civile dhe Dhomës Penale, si dhe administrata e sekretarët gjyqësorë.

Ngërçi me pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë bojkotin e punës në Gjykatën e Tiranës. Në bojkot janë përfshirë punonjës të Dhomës Civile dhe Dhomës Penale, si dhe administrata e sekretarët gjyqësorë. Ndërkohë, bojkoti është përhapur edhe në Gjykatën e Apelit, ku administrata ka ndërprerë punën për shkak të pagave të papaguara të muajit gusht.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se punonjësit kanë bllokuar shërbimet, duke kërkuar sqarime për vonesën e pagave të muajit gusht dhe për mënyrën se si do të zgjidhet situata.

Administrata ka vënë në dijeni kryetarin e Gjykatës së Tiranës për bojkotin. Punonjësve u është komunikuar se një qëndrim pritet pas mbledhjes së kryetarëve të të gjitha gjykatave, e cila zhvillohet sot në orën 15:00 në Gjykatën e Lartë.

Ndërkohë, për situatën e pagave do të zhvillohet sot një takim edhe në sistemin e prokurorisë. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka thirrur drejtuesit e prokurorive të rretheve, Shoqatën e Prokurorëve dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Takimi do të zhvillohet pa praninë e mediave.

Si nisi ngërçi – Problematika u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese.

Në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, si dhe shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.

Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen e re, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit.

Si pasojë, pagat e muajit gusht kanë mbetur të paekzekutuara për gjyqtarë, prokurorë, si dhe për punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “dera e Thesarit të Shtetit” nuk mund të hapet me forcë, ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka paralajmëruar se ngërçi pritet të zgjidhet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Top Channel