Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv avokati Endri Çela dhe pedagogu Oltion Fociro diskutuan rreth përplasjeve mes Qeverisë dhe Drejtësisë për pagat e magjistratëve, të cilat janë të bllokuara në Thesar. Avokati Çela bëri fillimisht një parashtrim të situatës, ku tregoi zanafillën e këtyre përplasjeve, që sipas tij ka nisur në vitin 2016, me hartimin e Reformës në Drejtësi. LEXO edhe...2 javë pasi u transferua Ergys Agasi, SPAK urdhëron kontrolle 'blic' në burgun e Bradasheshit, zbulohet alkool dhe një pajisje për internet Më tej Çela theksoi se ishte dakord me rritjen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve, pasi sipas tij, duke u dhënë atyre paga të ulëta, ‘zgjedhim të mos i shtyjmë juristët të bëhen gjyqtarë e prokurorë. Sipas Çelës, qasja që ka pasur qeveria në raport me pagën e magjistratëve, është e tillë që asnjëherë nuk u ka dhënë atyre atë që është përcaktuar me ligj. “Në vitin 2016 u hartua Reforma në Drejtësi, ku u miratuan një sërë ndryshimesh ligjore, duke filluar që nga ndryshimi i Kushtetutës dhe disa ligje përkatëse që lidheshin me funksionimin e sistemit të drejtësisë. Baza kryesore që përcakton nismën e këtij konflikti është neni 138 i Kushtetutës që parashikon që paga e gjyqtarëve nuk mund të ulet në asnjë rast, me përjashtim të rasteve kur Buxheti i Shtetit është në vështirësi të mëdha për shkak të fatkeqësive natyrore. Në Kushtetutë u përcaktua që t’i japim mundësi gjyqtarëve që të kenë pavarësi financiare. Dhe u përcaktua një nga parimet bazë që në asnjë rast nuk mund t’i ulësh pagën. Në vitin 2016 u përcaktua edhe ligji që përcaktonte formulën e llogaritjes së pagës së magjistratëve, konkretisht të gjyqtarëve përkatës. Dhe u mor si referencë në atë kohë paga e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Me kalimin e kohës paga e cila ishte rreth 2 milionë lekë të vjetra, u bë 4 milionë lekë të vjetra. Duke qenë se u rrit paga e Presidentit, që do të ishte pagë reference për pagën e magjistratëve, normalisht u rrit edhe paga e magjistratëve. Kjo filloi të rëndonte në buxhetin e Qeverisë, që nuk donte që të kishte një rritje kaq të madhe të pagave të gjyqtarëve. Janë bërë dy nisma ligjore për të ulur pagën e gjyqtarëve, që vinte si pasojë e këtij neni, e nenit 12 të ligjit 96/2016. U miratua ligji 50/2021, ku ndryshohej paga e referencës magjistratëve, duke u ndryshuar fjala që merrej si referencë paga e Presidentit të Republikës, duke u zëvendësuar me fjalën që do të merej si referencë paga e drejtorit të Departamentit në Kryeministri. Kjo do të sillte një ulje të menjëhershme të pagës së gjyqtarëve. Unioni i gjyqtarëve u ankua në Gjykatën Kushtetuese, duke i thënë që ky ndryshim ligjor është antikushtetues. Kushtetuesja e shfuqizoi këtë. Pas 2 vitesh ka marrë një nismë tjetër qeveria, për uljen e pagës së magjistratëve. Unioni i Gjyqtarëve sërish iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila në shkurt të këtij viti është shprehur se edhe ndryshimet e dyta ligjore vijnë në kundërshtim me Kushtetutën. Duke dhënë paga të ulëta, ne zgjedhim të mos i shtyjmë juristët e ndryshëm të bëhen gjyqtarë e prokurorë. Paga duhet të jenë në nivel të tillë që të kërkohet llogari me çdo kusht. Qasja që ka pasur qeveria në raport me pagën e këtyre personave, është e tillë që asnjëherë nuk u ka dhënë atë që është përcaktuar me ligj, përtej diskutimit sa duhet të jetë paga përkatëse”, tha mes të tjerash Çela. Ndërkohë avokati Oltion Fociro tha se krahasimi që bën kryeministri Edi Rama mes pagave të magjistratëve në Shqipëri dhe atyre në Itali e Greqi nuk qëndron. Kjo pasi sipas tij, në Greqi dhe Itali drejtësia funksionon dhe këto vende nuk kanë nevojë për një strukturë të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Fociro theksoi se Rama i përdor pagat e magjistratëve si një formë presioni ndaj një pjese të Drejtësisë, që sipas tij i ka prishur punë pushtetit të kryeministrit. Sipas Fociro, në një vend ku vidhen miliona euro përmes tenderave, është e pakuptimtë që të diskutosh rritjen e pagave për njerëzit e drejtësisë. Në përfundim ai nënvizoi se kryeministri Rama po tenton të vendosë nën kontrollin e tij sistemin gjyqësor. “Ne jemi në kushtet kur drejtësia është në ngërçin më të madh ndonjëherë. Nëse ti do të bësh krahasime me Italinë apo Greqinë, ky krahasim nuk qëndron. Sepse në Greqi në fund të ditës ka ligj, drejtësi, prokurori. Dhe atje funksionon dhe nuk lind nevoja që ti të ngreshë një strukturë të re që është e paprekshme nga krimi e korrupsioni. Rama këtë punën e pagave e përdor në formë presioni ndaj asaj pjese të drejtësisë që i ka prishur punë. Sistemi i drejtësisë sot është shumë kompleks. Ka sektorë të caktuar të drejtësisë që këtij pushteti i kanë prishur punë sa kanë mundur. Luftojnë në një ambient që sot kemi një njeri që është shumë i fuqishëm që është Edi Rama dhe Rama nuk e pranon dot faktin që të dalin disa prokurorë dhe të prekin pushtetin e tij. Sot Edi Rama nuk e kontrollon dot të gjithë sistemin gjyqësor, prokurorinë e gjykatën. Ne jemi në një vend ku vidhen 50 milionë euro në një tender. Ne jemi në Shqipëri ku ish-zv.kryeministrja e këtij vendi, vetëm për një tender që ka dhënë i është bërë super vila në Palasë. Sot të justifikosh një harxhim buxhetor se po ja jep disa njerëzve të drejtësisë dhe të thuash këti s’kemi lekë, kur nga ana tjetër vidhen me miliona euro, mua kjo s’më duket gjë tjetër veçse tentative e radhës për të kapur pushtetin që nuk e ke nën kontroll”, tha mes të tjerash pedagogu Oltion Fociro. R.Xh/ReportTv.al pagat e drejtesise magjistratet endri cela Oltion Fociro reforma ne drejtesi spak GJKKO qeveria edi rama studio live Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78.7% Magjistratëve 15.4% Nuk e di 5.9% Vota total: 8009 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?
