Një 29-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali pasi policia zbuloi më shumë se 414 kilogramë hashash, që dyshohet se do të shpërndahej në Romë dhe zonat përreth.
Operacioni u zhvillua në Guidonia, në periferi të kryeqytetit italian. Hetuesit kishin vënë nën vëzhgim lëvizjet e të riut dhe ndërhynë në momentin kur ai po transportonte disa valixhe drejt automjetit të tij.
Kontrolli i parë çoi në zbulimin e rreth 98 kilogramëve hashash. Por hetimi nuk u ndal me kaq. Në momentin e arrestimit, policia i gjeti shqiptarit edhe një tufë çelësash, të cilët rezultuan të hapnin disa ambiente të tjera të përdorura për magazinimin e drogës.
Kontrollet në këto hapësira sollën zbulimin e një sasie shumë më të madhe lënde narkotike. Një pjesë e hashashit ishte fshehur në frigoriferë të përshtatur posaçërisht për ruajtje, ndërsa në një garazh u gjetën materiale që dyshohet se shërbenin për ndarjen dhe paketimin e dozave.
Në ambientet e kontrolluara u gjetën edhe shënime të shkruara me dorë, ku ishin regjistruar sasi dhe përllogaritje që lidhen me aktivitetin e dyshuar të trafikut.
Në total, policia italiane sekuestroi mbi 414 kilogramë hashash. Sipas autoriteteve, vlera e drogës në treg do të mund të arrinte në më shumë se 4 milionë euro.
29-vjeçari akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin. Gjykata vendosi të lërë në fuqi arrestimin e tij dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, raportojnë mediat italiane.

