Rama e Vuçiç përballë protestave Qeveritë e Shqipërisë dhe Serbisë përpiqen t'i diskreditojnë protestat qytetare duke i paraqitur si lëvizje të nxitura nga jashtë. Edi Rama ka akuzuar Serbinë, Iranin dhe Greqinë për protestat kundër projekteve turistike të lidhura me Jared Kushner, ndërkohë që qytetarët kërkojnë mbrojtjen e zonave natyrore dhe transparencë për investimet... Edi Rama dhe pushteti në Beograd duket se kanë gjetur një gjuhë të përbashkët kur përballen me protestat qytetare. Në vend që t'u përgjigjen kërkesave për transparencë dhe mbrojtjen e pasurive natyrore, i paraqesin kundërshtarët e projekteve të tyre si njerëz që veprojnë për llogari të interesave të huaja.
Këtë krahasim e ka bërë aktivisti shqiptar i mjedisit, Zydjon Vorpsi, gjatë konferencës Move.Link.Engage, të zhvilluar në Qendrën Sava në Beograd. Sipas raportimit të gazetës malazeze Vijesti, Vorpsi ka deklaruar se autoritetet në Tiranë dhe Beograd përdorin të njëjtin argument për të diskredituar lëvizjet qytetare, duke i lidhur protestat me ndikimin e shteteve të tjera.
“Një qasje e tillë më parë ka pasur deri diku sukses, por tani duket se njerëzit e kuptojnë se nuk bëhet fjalë për ndonjë prapaskenë të tillë, por se vetë qytetarët kërkojnë një qeverisje më demokratike dhe përfshirje më të madhe të publikut në vendimmarrje”, është shprehur Vorpsi, sipas Vijesti.
Në qendër të debatit janë projektet turistike në ishullin e Sazanit dhe në zonën bregdetare të Nartës e Zvërnecit, të lidhura me kompaninë investuese të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.
Protestat nisën në maj 2026, kur organizatat mjedisore dhe qytetarët kundërshtuan planet për ndërtimin e komplekseve luksoze turistike në zona me ekosisteme të ndjeshme. Kundërshtimet lidhen me rrezikun për habitatet e mbrojtura, aksesin publik në bregdet dhe mungesën e transparencës për mënyrën e përdorimit të tokës.
Lëvizja mori emrin “Revolucioni i Flamingove”, duke përdorur si simbol shpendët rozë që jetojnë në zonën e Nartës dhe që protestuesit i kanë kthyer në simbol të kundërshtimit ndaj ndërtimeve.
Por ajo që ka ngritur aktivisti shqiptar në Beograd nuk lidhet vetëm me projektet turistike. Problemi, sipas tij, është mënyra se si Edi Rama ka tentuar ta zhvendosë debatin nga mbrojtja e natyrës te akuzat për ndërhyrje të huaja.
Vorpsi ka deklaruar se kryeministri shqiptar i ka akuzuar protestuesit se paguhen nga Serbia, Irani, Greqia dhe vende të tjera, duke i paraqitur kundërshtimet ndaj projekteve si përpjekje për të penguar zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Aktivisti, pjesë e organizatës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA, ka theksuar se qytetarët nisën të protestonin për shkak të rrezikut ndaj natyrës dhe se në fillim nuk kishin dijeni as për lidhjen e investimit me Jared Kushner.
Këtu qëndron edhe një nga dallimet që Vorpsi ka evidentuar mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Sipas tij, projektet e lidhura me Kushner në të dy vendet u prezantuan pothuajse në të njëjtën periudhë. Në Serbi, planet për transformimin e kompleksit të ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, të njohur si Generalštab, shkaktuan reagim të menjëhershëm publik dhe investitori u tërhoq.
Në Shqipëri, ndërkohë, sipas aktivistit, Edi Rama e përqendroi diskutimin publik te zhvillimi turistik i ishullit të Sazanit, ndërsa projekti që prekte zonën e mbrojtur të Nartës nuk mori të njëjtën vëmendje.
Vorpsi ka pohuar se qytetarët e kuptuan përmasën e ndërhyrjes vetëm kur në terren u shfaqën buldozerët.
Protestat që nisën për mbrojtjen e natyrës u zgjeruan më pas edhe me kërkesa kundër korrupsionit dhe për më shumë përgjegjshmëri të institucioneve. Në tetor, sipas raportimit të Vijesti, lëvizjes iu bashkuan edhe studentë që kërkonin përmirësimin e kushteve të arsimit, ndërsa në Tiranë pati edhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Krahasimi që bën Vorpsi mes Tiranës dhe Beogradit ngre një çështje politike që shkon përtej dy investimeve të Jared Kushner. Në të dy rastet, sipas aktivistit, pushteti e zhvendos diskutimin nga përmbajtja e protestave te origjina e pretenduar e organizatorëve.
Në vend të një përgjigjeje për ndikimin e projekteve mbi zonat e mbrojtura, qytetarëve u kërkohet të përballen me akuzën se po u shërbejnë interesave të huaja.
Dhe pikërisht këtu qëndron ngjashmëria që aktivisti shqiptar ka evidentuar në Beograd: në Tiranë dhe në Serbi, kërkesat për transparencë dhe pjesëmarrje në vendimmarrje përballen me të njëjtin argument politik, atë të ndërhyrjes nga jashtë.
Por akuzat për ndikim të huaj nuk japin përgjigje për pyetjet konkrete që kanë ngritur protestuesit në Shqipëri: çfarë do të ndërtohet në Nartë dhe Zvërnec, cilat habitate do të preken dhe mbi çfarë dokumentesh janë marrë vendimet për këto investime?
Këto janë çështjet për të cilat qytetarët kërkojnë përgjigje nga qeveria e Edi Ramës, pavarësisht se cilin shtet zgjedh kryeministri të akuzojë për protestat. /Përshtati Pamfleti nga Vijesti/ rama vucic protesta Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Lista e zezë për të hyrë në BE, eurodeputetja nxjerr Ramën gënjeshtar: Po frikëson protestuesit, askush nuk ju ndalon dot 23 Tetor 2026, 16:3216:32Politike Parisi, Beogradi, Tirana: A është e njëjta luftë? 23 Tetor 2026, 15:5315:53Politike Europa në revoltë, Shqipëria në mes të ciklonit/ Gen Z sfidon politikën e vjetër 23 Tetor 2026, 15:3515:35Politike Dashamir Shehi propozon qeveri të përkohshme pa Ramën: Të përfshihen edhe të rinjtë protestues 23 Tetor 2026, 14:5014:50Politike Studentët i refuzojnë dialogun, reagon sërish Rama: Po çfarë janë këta që duan vetëm rrëmujë?! 23 Tetor 2026, 14:1914:19Politike Ministri Ervin Demo takon Giorgia Melonin, në fokus lufta kundër drogës 23 Tetor 2026, 12:3612:36Politike

