Kreu i policisë së Vlorës, Edvin Ndreu Policia bën me dije se për ngjarjen ka arrestuar 5 persona dhe ka shpallur në kërkim 6 të tjerë. Policia e Vlorës ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur paraditen e sotme në Radhimë, ku pronari i një hoteli dyshohet se është dhunuar dhe kërcënuar me armë nga një grup personash.
Ngjarja nisi rreth orës 11:30, kur pronari i hotelit Vasil Bedinaj, kërkoi ndihmën e Policisë, duke denoncuar se disa persona e kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri.
Pas sinjalizimit, Policia ngriti pika kontrolli në hyrje-daljet e Vlorës dhe në Dhërmi, ndërsa në operacion u përfshinë edhe strukturat policore të Fierit dhe Gjirokastrës. Nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës u ngrit paralelisht një grup i posaçëm hetimor.
Rreth gjysmë ore pas denoncimit, një fuoristradë “Range Rover” nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar në një pikë kontrolli dhe u largua në drejtim të Peshkëpisë. Gjatë ndjekjes, automjeti doli nga rruga dhe goditi barrierat mbrojtëse.
Brenda tij ndodheshin tre persona, dy prej të cilëve mbetën të dëmtuar nga aksidenti dhe u dërguan në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit të fuoristradës, Policia sekuestroi një pistoletë dhe një krehër me 16 fishekë.
Operacioni vijoi edhe në Fier, ku rreth orës 13:00 u ndalua një tjetër automjet i shpallur në kërkim. Sipas Policisë, makina kishte dëmtime në xhamin e pasagjerit, të cilat dyshohet se ishin shkaktuar nga të shtënat me armë. Në automjet u gjetën edhe tre fishekë pistolete.
Një tjetër zhvillim u regjistrua rreth orës 16:30, kur pranë fshatit Kaninë, në bypass-in e Vlorës, u gjet duke u djegur një “Audi A8”, i cili dyshohet se ishte përdorur nga personat e përfshirë në ngjarje. Sipas policisë janë arrestuar 5 persona, ndërsa 6 të tjerë janë në kërkim.
Deklarata e plotë e policisë:
Siç jeni bërë me dije nëpërmjet informacionit paraprak, sot, rreth orës 11:30, jemi njoftuar nga pronari i një hoteli në Radhimë, konkretisht nga shtetasi V. B., se kishte nevojë për ndihmë, pasi disa persona e kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë dhe janë nisur në drejtim të adresës së dhënë.
Duke vlerësuar maksimalisht informacionin e marrë, u ngritën pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit të Vlorës dhe në Dhërmi. Gjithashtu, menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë.
Ndërkohë, u bashkëpunua me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Fier për ngritjen e pikave të kontrollit edhe në këto territore.
Rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës, një automjet fuoristradë, tip “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, nuk iu bind shërbimeve të Policisë për të ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të fshatit Peshkëpi. Gjatë ndjekjes, në vendin e quajtur Ura e Peshkëpisë, ky automjet ka dalë nga rruga, duke goditur barrierat mbrojtëse të saj.
Në këtë automjet ndodheshin tre shtetas, konkretisht shtetasi L. M, drejtues i automjetit, dhe dy pasagjerët, shtetasit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F. “Swat Security”.
Si pasojë e daljes nga rruga, shtetasit L. M dhe M. Lleshaj janë dëmtuar dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë.
Rreth orës 13:00, pika e kontrollit e ngritur nga shërbimet e DVP Fier, në vendin e quajtur Mbikalimi i Memorialit, ka ndaluar një nga automjetet e shpallura në kërkim, me drejtues shtetasin kosovar B. H.
Nga këqyrja dhe kontrolli i automjetit u konstatua se kishte dëmtime në xhamin nga krahu i pasagjerit, të shkaktuara, dyshohet, me armë zjarri. Në brendësi të automjetit u gjetën tre fishekë pistolete.
Rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, afër fshatit Kaninë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip “Audi A8”, i dyshuar se është përdorur nga autorët në ngjarje.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi L. M, së bashku me disa shtetas të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të shtetasit Vasil Bedinaj, të cilit, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar që, pas 48 orësh, të largohej nga Shqipëria.
Ndërkohë, shtetasi A. B ka shkuar te automjeti i shtetasit Vasil Bedinaj dhe ka marrë armën e zjarrit që ky e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty.
Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:- L. M, 55 vjeç, banues në Tiranë;- K. Ll, 29 vjeç, banues në Tiranë;- M. Ll, 33 vjeç, banues në Tiranë;- B. H, 40 vjeç, shtetas kosovar;- A. B, 29 vjeç, banues në Vlorë.
Janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 automjete të dyshuara se janë përfshirë në ngjarje dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kreu i policisë së vlorës edvin ndreu Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kronike Përfshihet nga flakët një anije në Portin e Shëngjinit! 3 Shtator 2026, 18:4418:44Kronike Zbardhen detaje nga plagosja në Korçë, autori dhe 38-vjeçari kushërinj me njëri-tjetrin! 3 Shtator 2026, 18:1418:14Kronike U ekzekutua në Mirditë, publikohet fotoja e Viktor Bardhit! 3 Shtator 2026, 17:0417:04Kronike Goditi efektivin në burg, zbulohet çfarë e nervozoi Nuredin Dumanin! 3 Shtator 2026, 15:5515:55Kronike Të shtëna me armë zjarri në Korçë, plagoset një person! 3 Shtator 2026, 15:2915:29Kronike Kush është Vasil Bedinaj, pronari i hotelit në Orikum ku ndodhi përplasja dhe u përdorën armët 3 Shtator 2026, 14:4914:49Kronike

