Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia kanë publikuar një deklaratë të përbashkët pas takimit trepalësh mes Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin, ku përcaktohen disa pika bashkëpunimi për çështjet e sigurisë globale, energjisë dhe reformimit të institucioneve ndërkombëtare.
Në dokumentin e bërë publik, tre vendet, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shprehin angazhimin për të nxitur reformimin e organizatës, në mënyrë që ajo të jetë më efektive përballë sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Një nga çështjet e përfshira në deklaratë është edhe siguria energjetike, ku tre liderët kanë rënë dakord për planet për rritjen e prodhimit dhe furnizimit me produkte të rafinuara të naftës, duke theksuar rëndësinë e garantimit të rrjedhave të qëndrueshme të energjisë në interes të të gjitha vendeve.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me juridiksionin e institucioneve ndërkombëtare dhe imunitetin e zyrtarëve shtetërorë.
Në deklaratë theksohet rëndësia e parimit të pëlqimit kombëtar dhe respektimit të imunitetit të përfaqësuesve të shteteve. Tre vendet shprehen se Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucione të tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me kompetencat e tyre juridiksionale.
Sa i përket çështjes bërthamore, Trump, Xi dhe Putin kanë rikonfirmuar qëndrimin se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Në këtë kuadër, ata janë angazhuar për të vijuar dialogun për uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së armëve të tilla.
Përfundimet e përbashkëta të plota:1. Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të nxitur reformën e Kombeve të Bashkuara në mënyrë që ajo të mund t’u përgjigjet më efektivisht sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj themelor të ruajtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.2. Të tre vendet planifikojnë të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës në dobi të të gjitha kombeve. Ata riafirmuan rëndësinë e rrjedhave të qëndrueshme të energjisë.3. Tre krerët e shteteve pranuan se parimi i pëlqimit kombëtar dhe respekti për imunitetin e zyrtarëve shtetërorë janë me rëndësi të madhe dhe ranë dakord që Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe organe të tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre.4. Tre krerët e shteteve riafirmuan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet. Të tre vendet do të angazhohen në dialog për uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes bërthamore. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

