Audiopërgjimet e publikuara nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj nuk janë më thjesht një përplasje deklaratash politike lokale. Zbardhja e identitetit të zërit rus që komunikon me biznesmenin izraelit Ron Yeffet i jep çështjes një përmasë ndërkombëtare hetimore.
Personazhi që fshihet pas emrit "Igor" është Ihor Kotvitsky , ish-deputet i Parlamentit ukrainas, magnat i energjisë dhe një nga njerëzit me ndikimin më të madh në aparatin e sigurisë në Kiev gjatë dekadës së fundit.
Për vite me radhë, Kotvitsky ka qenë krahu i djathtë dhe bashkëpunëtori më i afërt i Arsen Avakov, ish-Ministrit të Brendshëm të Ukrainës (2014–2021). Kontrolli mbi ligjin: Si Nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Zbatimin e Ligjit (2014–2019), Kotvitsky mbante fije direkte me strukturat hetimore, policinë dhe prokurorinë ukrainase.
Depoja e armëve: Emri i tij doli zbuluar gjatë hetimit për "armët e dhuruara" nga Ministria e Brendshme (2016-2017), ku doli se vetë Kotvitsky kishte marrë si "dekoratë personale" të paktën 6 armë zjarri të kalibrave ushtarakë nga fondi shtetëror.
Perandoria e gazit: Ai zotëron aksione të mëdha në nxjerrjen e gazit në rajonin e Kharkivit (përmes kompanive si Sakhanka), ku lejet e shfrytëzimit janë vënë shpesh në dyshim për ndikim politik. Nga Kaukazi në Evropën Qendrore, emri i Kotvitsky-t lidhet me lëvizje parash që kanë shqetësuar rrjetet ndërkombëtare të hetimit si OCCRP:
40 milionë dollarët drejt Panamasë (2015): Përmes bankës shtetërore Oshchadbank, një shumë prej $40 mln u transferua drejt kompanisë offshore Kingston Group SA, duke shkaktuar skandal për fshehje pasurie.
Valixhet me 30 milionë në bagazh (2022): Në mars të vitit 2022, kur nisi pushtimi rus, bashkëshortja e tij u ndalua në kufirin hungarez me 28.8 milionë dollarë dhe 1.3 milionë euro CASH të padokumentuara në dalje nga Ukraina. Çështja u mor në dorë nga Byroja Shtetërore e Hetimeve (DBR) për korrupsion kufitar.
Edhe pse Kotvitsky nuk mban një post zyrtar në tregtinë e armëve të shtetit ukrainas, prania e tij në një komunikim të drejtpërdrejtë me Ron Yeffet tregon se pas audiopërgjimit qëndron një rrjet që lidh pushtetin politik, biznesin e mbrojtjes dhe transaksionet e errëta financiare.

