Lajme Zone
Nga Kalabria në Romë e Venecia/ Vala e femicideve trondit Italinë, 6 gra të vrara në pak ditë
PolitikëTop Channel

Nga Kalabria në Romë e Venecia/ Vala e femicideve trondit Italinë, 6 gra të vrara në pak ditë

Italia po përballet me një valë të re vrasjesh të grave, me gjashtë viktima të vrara nga partnerët ose ish-partnerët e tyre që nga 15 gushti.

Italia po përballet me një valë të re vrasjesh të grave, me gjashtë viktima të vrara nga partnerët ose ish-partnerët e tyre që nga 15 gushti. Dy rastet më të fundit u regjistruan të martën. Në Kalabri, një grua 72-vjeçare u vra me gurë nga bashkëshorti i saj 74-vjeçar, në një fushë pranë Kozencës.

Në rastin e dytë, një grua 50-vjeçare me origjinë polake u vra me thikë nga bashkëshorti i saj 69-vjeçar tunizian në Colleferro, në jug të Romës.

Një ditë më parë, të hënën, një grua 39-vjeçare u vra pranë Venedikut nga ish-bashkëshorti i saj 43-vjeçar. Viktima e kishte denoncuar vazhdimisht në polici për dhunë në familje, ish-burrin.

Sipas të dhënave të bëra publike pas ngjarjes, edhe tre gra të tjera kishin denoncuar më parë të njëjtin person për dhunë, që nga viti 2002.

Femicidi është përfshirë si një vepër e re penale në Kodin Penal italian dhe po trajtohet si një emergjencë kombëtare, ndërsa dhuna vdekjeprurëse ndaj grave ka arritur nivele alarmante në vend, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Megjithatë, sipas ANSA-s, një fushatë që synonte edukimin e të rinjve për krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme me seksin e kundërt u ndërpre pasi qeveria vendosi që pjesëmarrja e nxënësve në këtë program në shkollat italiane të kushtëzohej me miratimin e prindërve.

Rritja e rasteve të dhunës fatale ndaj grave ka rikthyer në qendër të debatit në Itali masat për parandalimin e dhunës në familje dhe mënyrën se si institucionet reagojnë ndaj denoncimeve të viktimave. Top Channel