Lajme Zone
Nga falimentimi te shkeljet e kushteve, ERE përcakton rastet e heqjes së licencave në energji
EkonomiShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Nga falimentimi te shkeljet e kushteve, ERE përcakton rastet e heqjes së licencave në energji

Procedura për heqjen e licencës mund të nisë nga vetë ERE, në bazë të rezultateve të monitorimit, kontrolleve periodike, raportimeve të institucioneve kompetente apo informacioneve të paraqitura nga operatorët dhe palët e treta.

Kompanitë e sektorit të energjisë elektrike mund të humbasin licencën nëse bëhen financiarisht të paafta, kërkojnë shpalljen e falimentimit, nuk paguajnë detyrimet rregullatore ose shkelin kushtet e ushtrimit të aktivitetit. Heqja e licencës parashikohet edhe për operatorët që shkelin legjislacionin mjedisor apo rrezikojnë jetën, shëndetin dhe pronën e njerëzve. Këto janë disa nga rastet e përcaktuara në draft-rregulloren e publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), e cila përcakton procedurat që do të ndiqen për heqjen e licencave në sektorin e energjisë elektrike, në zbatim të ligjit nr. 59/2026. LEXO EDHE:Fatos Çoçoli: Pse kemi ndër çmimet më të lira të energjisë për biznesin? Sipas dokumentit, licenca mund të hiqet edhe kur një kompani pushon së ushtruari veprimtarinë për të cilën është licencuar ose kërkon vetë revokimin e saj. ERE përcakton se shqyrtimi i rasteve duhet të mbështetet në prova dhe dokumente të administruara gjatë procedurës, përfshirë informacionet e institucioneve kompetente. Në vlerësimin e shkeljeve, rregullatori duhet të marrë parasysh “natyrën e shkeljes, kohëzgjatjen, përsëritjen, pasojat, rrezikun aktual ose të pritshëm dhe çdo masë korrigjuese të ndërmarrë nga i licencuari”. Procedura për heqjen e licencës mund të nisë nga vetë ERE, në bazë të rezultateve të monitorimit, kontrolleve periodike, raportimeve të institucioneve kompetente apo informacioneve të paraqitura nga operatorët dhe palët e treta. Pas vendimit për nisjen e procedurës, kompania njoftohet me shkrim për shkeljet e konstatuara, provat dhe pasojat e mundshme. Operatori ka 30 ditë kalendarike për të paraqitur shpjegime, kundërshtime dhe dokumente mbështetëse. Brenda 30 ditëve nga marrja e përgjigjes ose përfundimi i afatit për paraqitjen e saj, strukturat përgjegjëse të ERE-s duhet të përgatisin relacionin përfundimtar. Ky afat mund të zgjatet në rastet kur nevojiten verifikime shtesë. Bordi i ERE-s merr vendim brenda 10 ditëve pune nga paraqitja e relacionit, kur dosja është e plotë. Nëse shkeljet nuk provohen, procedura mbyllet, ndërsa në rastet kur korrigjimi është i mundur dhe lejohet nga ligji, operatorit mund t’i jepet një afat për përmbushjen e detyrimeve. Kur provohen kushtet ligjore për heqjen e licencës, Bordi vendos ndërprerjen e së drejtës për ushtrimin e aktivitetit. Në rastet kur heqja e licencës mund të cenojë vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike, draft-rregullorja parashikon masa të përkohshme për kompanitë e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes, depozitimit dhe furnizimit. Këto masa përfshijnë “vendosjen e shoqërisë nën administrim të kufizuar për një periudhë të caktuar” ose “caktimin e një shoqërie tjetër që plotëson kushtet përkatëse të licencimit për kryerjen e veprimtarisë”. ERE mund të vendosë gjithashtu emërimin e një administratori të përkohshëm, me propozimin e ministrit përgjegjës dhe sipas procedurave të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Masat nuk mund të zgjasin më shumë se 12 muaj nga data e heqjes së licencës. Heqja e licencës nuk i përjashton kompanitë nga detyrimet e krijuara gjatë ushtrimit të aktivitetit. “Vendimi për heqjen e licencës nuk e çliron të licencuarin nga detyrimet financiare, kontraktore, administrative ose ligjore të lindura deri në datën efektive të heqjes së licencës”, përcakton dokumenti. Vendimet e ERE-s mund të ankimohen në gjykatë, por ankimi nuk pezullon automatikisht zbatimin e tyre, përveç rasteve të parashikuara nga ligji ose kur vendos gjykata./ Monitor Xh.K Xh.K Shqiptarja.com TAG: energjia elektrike ERE Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

18 Nëntor, 11:04

A i reflekton shqetësimet e qytetarëve pr.buxheti 2027? Po 62.9% Jo 28.8% Nuk e di 8.3% Vota total: 1159 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 18 Nëntor, 11:04 A i reflekton shqetësimet e qytetarëve pr.buxheti 2027?