Në jeten e përditshme më ka qëlluar jo rrallë të dalloj ironine e fshehur pas një buzëqeshjeje, hipokrizinë e një sjelljeje dhe arrogancën e një zgërdheshjeje që përpiqet të paraqitet si buzëqeshje. Shkas për këto reflektime u bënë disa intervista televizive të pjesëmarrësve në protestat studentore, pas episodeve të dhunshme që shoqëruan një pjesë të tyre. Nuk më tërhoqi vëmendjen kërkesa për dorëheqjen e qeverisë, as ashpërsia e kritikave ndaj saj. Ishte një dukuri tjetër: mënyra se si, në disa prej këtyre përballjeve, argumenti humbiste përballë mohimit kategorik, ndërsa ironia dhe përçmimi zinin vendin e arsyetimit. Nuk është mosha, bindja politike apo e drejta për të protestuar ajo që më intereson në këte reflektim. Është ai çast kur dikush e ngatërron sigurinë në vetvete me epërsinë intelektuale dhe buzëqeshjen përçmuese me triumfin e argumentit. LEXO EDHE:Bilanci i gjobave në protesta/ 338 masa me vlerë rreth 3.17 mln lekë të reja, gjysma 3 dënime 500 mijë lekëshe! Policia pa informacion sa janë shlyer Revolta nuk është dëshmi e inteligjencës, as bindja e palëkundur dëshmi e së vërtetës. Vlera e një qëndrimi provohet nga aftësia për t'u përballur me argumentin, jo nga arroganca për të mos e dëgjuar. Nga të gjitha shfaqjet e natyrës njerëzore, mediokriteti më ka shkaktuar ndjesinë më të fortë: një përzierje keqardhjeje, zhgënjimi dhe, jo rrallë, neverie. Ironinë, përkundrazi, e kam konsideruar një nga shprehjet më të holla të inteligjencës njerëzore. Ajo mund të demaskojë hipokrizinë, të zbulojë absurditetin dhe të na nxisë të qeshim edhe me veten. Por ka një kufi përtej të cilit humbet finesën dhe shndërrohet në ves. Ironia është virtyt për sa kohë ndriçon mendjen; bëhet ves kur fillon të errësojë dinjitetin e te tjereve. Intelektuali e përdor ironinë për të zbuluar kontradiktat; mediokri e përdorë për të fshehur paaftësinë për t'i kuptuar ato. Në duart e inteligjentit, ironia është bisturi; në duart e mediokrit arrogant, një thike e topitur me të cilën përpiqet të plagose ata që nuk arrin ti kuptoje. Nuk e barazoj mediokritetin me mungesën e inteligjencës. Mediokri mund të jetë dinak, madje i shkathët në përdorimin e hipokrizisë, servilizmit dhe arrogancës për të siguruar atë që nuk arrin ta fitojë përmes meritës. Ai përdor ironinë për të dëshmuar inteligjencën që mendon se zotëron, por shpesh ekspozon pikërisht atë që i mungon. Mediokri përpiqet të duket më inteligjent se ç'është; hipokriti përpiqet të duket më i ndershëm se ç'është. Kur bashkohen, ironizojnë pikërisht ata që ua kujtojnë dallimin. Ajo që më lëndon dhe, të them të drejtën, më tërbon, është buzëqeshja ironike e mediokrit që thotë dokrra, por i shijon me vetëkënaqësinë e dikujt që beson se sapo ka nxjerrë flori nga goja. Është një mënyrë për të ushtruar arrogancën pa e deklaruar hapur. Dhe, megjithëse e kuptoj fare mirë këtë shfaqje, ajo vazhdon të më zemërojë. Madje më zemëron dyfish kur pyes veten: ç'dreqin kam që merrem me të? Përse i jap rëndësi dikujt, gjykimin e të cilit nuk e vlerësoj? Ndoshta sepse ajo buzëqeshje përfaqëson diçka më shqetësuese se mendjemadhësia e një individi: guximin e mediokritetit për t'u paraqitur si autoritet intelektual dhe për të kërkuar respektin që nuk e ka fituar. Nuk më lëndojnë dokrrat e mediokrit, por buzëqeshja arrogante me të cilën ai përpiqet t'i shndërrojë ato në mençuri. Dhe ndonjëherë nuk na zemëron vetëm mediokriteti i tjetrit, por fakti që i kemi dhënë privilegjin të na zemërojë. Mediokriteti bëhet më shqetësues kur pushon së qeni shfaqje individuale dhe fillon të organizohet. Mediokri kërkon admirim dhe, kur nuk e gjen aty ku ka meritë, e kërkon mes të ngjashmëve. Kështu lind ajo që, me pak ironi, do ta quaja «Shoqata e Mediokërve»: pa statut, pa seli dhe pa nevojë për zgjedhje. Anëtarët shkëmbejnë vlerësime, favore dhe duartrokitje. Hipokrizia bëhet diplomaci, servilizmi besnikëri, ndërsa arroganca interpretohet si autoritet. Secili i njeh dobësitë e tjetrit, por askush nuk ka interes t'ia kujtojë. Shoqata e mediokërve është ndoshta e vetmja shoqatë ku shtimi i anetarëve nuk e rrit cilësine, por e forcon bindjen se cilësia nuk është e nevojshme. Mediokri ka edhe një aftësi të jashtëzakonshme: të ngjitet lart duke qëndruar në gjunjë, pa hedhur asnjë hap përpara. Por shqetësimi nuk është vetëm ngjitja e tij. Është statusi që fiton për të përcaktuar se kush tjetër meriton të ngjitet. Kur mediokriteti fiton të drejtën të gjykojë meritën, problemi nuk është më vetëm moral, por shoqëror. Tragjikomedia fillon kur politika e përdor mediokrin si qen lufte. Tragjike është se e shpall simbol të mençurisë; komedia, se ai, i dehur nga rëndësia që i kanë dhënë, i ngjan gjelit që këndon majë plehut, i bindur se dielli lind nga kënga e tij. Dhe, për këtë mrekulli, pret edhe duartrokitje! Në planin psikologjik, mediokriteti shoqërohet me vetëvlerësim të tepruar dhe mungesë vetëkritike, kundërshtimi mund të përjetohet si fyerje personale. Faktet nuk peshohen më për vërtetësinë e tyre, por për kërcënimin që përfaqësojnë ndaj imazhit që individi ka krijuar për veten. Kjo mendësi, kur bashkohet me protagonizem, oportunizmin dhe ndjenjën e pandëshkueshmërisë, mund të ushqejë agresivitetin. Jo sepse mediokriteti prodhon domosdoshmërisht dhunë, por sepse paaftësia për të pranuar gabimin mund ta shndërrojë kundërshtarin në armik. Paradoksi është se ai që nuk arrin të mbrojë mendimin e vet me argumente, mund të kërkojë ta mbrojë me forcë. Dhe këtu shfaqet një kontradiktë e hidhur: ata që ngjiten duke qëndruar në gjunjë, sapo fitojnë status, kërkojnë t'i shohin të tjerët në gjunjë. Në fund, ajo që më lëndon më shumë nuk është as ironia, as hipokrizia dhe as arroganca të marra veçmas. Është lehtësia me të cilën ato bashkëjetojnë dhe arrijnë të paraqiten si shenja inteligjence, autoriteti e merite. Nuk më habit që mediokriteti shpërblehet. Më shqetëson kur shpërblimi i tij shndërrohet në dëshmi të rreme të meritës. Mediokriteti nuk më tremb kur flet. Më shqetëson kur duartrokitet. Dhe më revolton kur fillon të japë nota. U.D / SI.E. U.D Shqiptarja.com TAG: Perlat Kapisyzi protestat kunder qeverise Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 3.7 / 5 (6 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
21 Nëntor, 17:11
Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve? Dialogu 71.9% Protesta 22.3% Asnjëra 5.9% Vota total: 1393 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 21 Nëntor, 17:11 Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve?

