Lajme Zone
Nga bojkoti te dorëheqjet, shërbimet publike dhe reformat në pikëpyetje
PolitikëCNA

Nga bojkoti te dorëheqjet, shërbimet publike dhe reformat në pikëpyetje

Bojkoti në universitetet më të mëdha të vendit dhe në disa gjimnaze të Tiranës dhe nga ana tjetër vala e dorëheqjeve të drejtorëve në sektorin publik nga Tatimet dhe Doganat, infrastruktura, energjetika dhe drejtësia po ngre pikëpyetje mbi vazhdimësinë e shërbimeve publike dhe zbatimin e reformave në vend. Lëvizjet prekin institucione që kanë rol të drejtpërdrejtë në mbledhjen e të ardhurave, funk

Bojkoti në universitetet më të mëdha të vendit dhe në disa gjimnaze të Tiranës dhe nga ana tjetër vala e dorëheqjeve të drejtorëve në sektorin publik nga Tatimet dhe Doganat, infrastruktura, energjetika dhe drejtësia po ngre pikëpyetje mbi vazhdimësinë e shërbimeve publike dhe zbatimin e reformave në vend.

Lëvizjet prekin institucione që kanë rol të drejtpërdrejtë në mbledhjen e të ardhurave, funksionimin e tregut, zbatimin e investimeve publike dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët, reformat e integrimit dhe shërbimet jetike si arsimi dhe shëndetësia.

Për sipërmarrjet, ndryshimet në këto institucione janë veçanërisht të ndjeshme, pasi ndikojnë në marrëdhëniet me administratën, trajtimin e detyrimeve dhe parashikueshmërinë e procedurave.

Florian Zekja, Kryetar i Shoqatës “Manifaktura Shqiptare” vlerëson se komunikimi me drejtorin e deritanishëm të Tatimeve, Ilir Binaj, ka qenë shumë i mirë dhe bashkëpunues sidomos për bizneset me vështirësi të mëdha financiare.

Ai tha se zoti Binaj i ka mirëkuptuar krizën që po kalon sektori duke e përjashtuar atë nga kontrollet për deklarimin real të pagave dhe gjithashtu duke përshpejtuar rimbursimin e TVSH së brenda dy javësh.

“Me drejtorin aktual të Tatimeve kishim një komunikim shumë të mirë. Ai ishte mjaft komunikues dhe bashkëpunues me biznesin, sidomos me bllokimin e llogarive, kur dihet se shumë biznese të sektorit fason po kalojnë në krizë të shumëfishtë në dy vitet e fundit”, shprehet Zekja.

Sipas tij, ishte arritur një mirëkuptim për pagesën me këste në rast vështirësish dhe për shmangien e bllokimit të menjëhershëm të llogarive. “Shpresojmë të kemi në krye të Tatimeve një njeri po aq profesionist sa Binaj”, thotë ai.

Për bizneset, sfida është që ndryshimi i drejtuesve të mos sjellë ndërprerje të komunikimit apo ndryshime të paparashikueshme në mënyrën e trajtimit të problematikave. Në një periudhë kur një pjesë e kompanive përballen me vështirësi financiare, vonesat dhe pasiguria administrative mund të shtojnë presionin mbi likuiditetin dhe aktivitetin ekonomik.

Ndikimi i ndryshimeve shtrihet edhe te procesi i integrimit europian. Ardian Haçkaj, drejtor i kërkimit pranë Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI), vlerëson se largimet e drejtuesve nga një seri agjencish qe mbulojnë kapituj të ndryshëm ne negociatat me BE, mund të ndikojnë në ecurinë e përmbylljes se tyre.

Sipas tij, administrata teknike është ajo që koordinon zbatimin e angazhimeve, ndjek përmbushjen e detyrimeve dhe përgatit raportimet për Kryenegociatorin dhe për Komisionin e Bashkimit Europian. Në këtë fazë, kur Shqipërisë i duhet te përshpejtojë ritmet e mbylljes se kapitujve, ndryshimet në drejtimin e strukturave përgjegjëse për zbatim dhe raportim ngrenë pikëpyetje mbi kapacitetin e tyre strukturave për të mbajtur tempon.

Procesi i integrimit kërkon ekspertizë, të dhëna të besueshme, koordinim ndërinstitucional dhe rezultate konkrete në zbatimin e reformave. Vonesa ne këto proceseve mund të vështirësojë përmbushjen e objektivit te 2027 për mbylljen e negociatave dhe të shtojë ngarkesën mbi strukturat teknike, tha Hackaj.

Sakaq, ndërprerja e mësimit në universitete dhe në gjimnazet kryesore të Tiranës është një tjetër tregues i ndikimit në arritjet mësimore. Shumica e universiteteve publike dhe gjimnazeve të Tiranës prej ditësh nuk kanë zhvilluar mësim normal.

Ndërprerja e procesit mësimor krijon vështirësi në përmbushjen e programeve, zhvendosjen e provimeve dhe organizimin e vitit akademik, duke shtuar pasigurinë për nxënësit, studentët dhe familjet e tyre.

Në arsimin e lartë, çdo vonesë mund të ndikojë në kalendarin e provimeve dhe përfundimin në kohë të semestrave, ndërsa në gjimnaze rrezikohet ritmi i përgatitjes së nxënësve, veçanërisht i maturantëve që përballen me provimet përfundimtare.

Pasojat e ndryshimeve të shpeshta në drejtim janë të ndjeshme edhe në sektorë ku reformat kërkojnë kohë dhe koordinim të vazhdueshëm.

Një zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila kërkoi të ruajë anonimitetin, thotë se ndryshimet e shpeshta të ministrave, drejtorëve dhe kabineteve kanë penguar ecurinë e reformave.

“Po operojmë vetëm për të mbuluar urgjencat, ndërsa prej dy vitesh asnjë reformë nuk shkon përpara në shëndetësi”, shprehet ajo.

Kur institucionet përqendrohen te problematikat e përditshme, projektet afatgjata rrezikojnë të humbasin ritmin. Për qytetarët, kjo mund të përkthehet në përmirësime më të ngadalta të shërbimeve, ndërsa për administratën në më pak kohë për planifikim, koordinim dhe zbatim të politikave strukturore.

Përvojat ka treguar se kur drejtuesit ndryshojnë shpesh administrata shpenzon më shumë kohë për riorganizimin e brendshëm dhe më pak për përmbushjen e objektivave. /Monitor Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.