Lajme Zone
Netanyahu përballë ish-ushtarakut Gadi Eisenkot, Izraeli mban sot zgjedhjet
BotëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 6 burime — Krahaso mbulimin →

Netanyahu përballë ish-ushtarakut Gadi Eisenkot, Izraeli mban sot zgjedhjet

Izraelitët u drejtohen këtë të martë kutive të votimit në atë që konsiderohet një nga përballjet më të rëndësishme elektorale në historinë e vendit. Zgjedhjet zhvillohen në një klimë të tensionuar politike dhe sigurie, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu përballet me një sfidë të fortë nga ish-shefi i ushtrisë, Gadi Eisenkot.

Izraelitët u drejtohen këtë të martë kutive të votimit në atë që konsiderohet një nga përballjet më të rëndësishme elektorale në historinë e vendit. Zgjedhjet zhvillohen në një klimë të tensionuar politike dhe sigurie, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu përballet me një sfidë të fortë nga ish-shefi i ushtrisë, Gadi Eisenkot. Sipas raportimeve, rreth 70 mijë izraelitë janë kthyer nga jashtë vendit për të marrë pjesë në votime, ndërsa afro gjysmë milioni qytetarë pritet të votojnë për herë të parë. Sondazhet e fundit, të publikuara të premten, tregojnë një garë pothuajse të barabartë mes Netanyahut dhe Eisenkotit. Megjithatë, asnjëri prej blloqeve politike nuk parashikohet të sigurojë 61 mandatet e nevojshme në Parlamentin me 120 vende për të formuar një qeveri shumice. Kjo situatë mund ta çojë Izraelin drejt negociatave të gjata për krijimin e një koalicioni qeverisës, madje edhe drejt një tjetër krize politike. Eisenkot, i cili drejton partinë e re Yashar, është figura kryesore e të ashtuquajturit “blloku i ndryshimit”, ku bëjnë pjesë forca politike me orientime të ndryshme ideologjike, por që bashkohen në synimin për t’i dhënë fund qeverisjes së Netanyahut. Në këtë bllok përfshihen edhe ish-kryeministri Naftali Bennett, politikani i djathtë Avigdor Lieberman dhe ish-gjenerali i majtë Yair Golan.

Nga ana tjetër, Netanyahu synon të ruajë pushtetin përmes një aleance me partitë e ekstremit të djathtë dhe ato ultraortodokse, të cilat kanë qenë pjesë e koalicionit të tij qeverisës.

Një rol vendimtar mund të luajnë edhe partitë arabe, të cilat përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Izraelit. Megjithatë, mundësia e bashkëpunimit me to është përjashtuar nga shumica e forcave kryesore politike hebraike.

Çështjet e sigurisë kombëtare kanë dominuar fushatën zgjedhore, veçanërisht përgjegjësia për sulmet e Hamasit të 7 tetorit, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.

Opozita e akuzon Netanyahun për dështimin e institucioneve të sigurisë dhe kërkon ngritjen e një komisioni të pavarur hetimor për zbardhjen e ngjarjeve. Kryeministri e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke argumentuar se një hetim i tillë mund të ishte i njëanshëm ndaj tij.

Në të njëjtën kohë, Netanyahu ka vendosur në qendër të fushatës së tij marrëdhëniet e ngushta me presidentin amerikan Donald Trump, si dhe operacionet ushtarake izraelite në Lindjen e Mesme, duke e paraqitur veten si garant të sigurisë së vendit.

Në ditët e fundit të fushatës, mediat izraelite dhe amerikane raportuan se Netanyahu kishte kërkuar veprime të reja ushtarake kundër Iranit, por ishte përballur me kundërshtimin e drejtuesve ushtarakë dhe të presidentit Trump. Kryeministri izraelit i ka mohuar këto raportime.

Përplasje të forta kanë shkaktuar gjithashtu reformat në drejtësi, procesi gjyqësor ndaj Netanyahut për akuza korrupsioni, të cilat ai i mohon, si dhe çështja e rekrutimit të hebrenjve ultraortodoksë në ushtri.

Ndërkohë, politika ndaj Gazës dhe territoreve palestineze mbetet një tjetër çështje e rëndësishme. Eisenkot ka premtuar t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gaza brenda 18 muajsh, përmes një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara ose, nëse do të jetë e nevojshme, përmes ndërhyrjes ushtarake.

Sondazhet e para pas mbylljes së votimit pritet të publikohen në orën 22:00 sipas kohës lokale. Megjithatë, numërimi i votave të ushtarëve dhe rezervistëve mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar.

Nëse asnjëri prej blloqeve nuk arrin të sigurojë shumicën parlamentare dhe negociatat për koalicion dështojnë, Izraeli mund të përballet me zgjedhje të reja, ndërsa Netanyahu do të vazhdonte të ushtronte detyrën e kryeministrit deri në formimin e një qeverie tjetër.

Një skenar i tillë do të rikthente krizën politike që vendi përjetoi mes viteve 2019 dhe 2022, periudhë gjatë së cilës izraelitët u thirrën pesë herë në kutitë e votimit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb