Një ditë që ndryshoi përgjithmonë Amerikën dhe la një plagë të thellë në kujtesën e botës. Më 11 shtator 2001, Shtetet e Bashkuara u përballën me një prej sulmeve terroriste më tronditëse në historinë moderne, që i mori jetën 2.977 njerëzve.
Katër avionë të rrëmbyer u kthyen atë mëngjes në mjete të një tragjedie që do të ndryshonte rrjedhën e historisë. Dy prej tyre u përplasën me kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, një tjetër goditi Pentagonin në Uashington, ndërsa i katërti, United Airlines Flight 93, u rrëzua në një fushë në Pensilvani pasi pasagjerët tentuan të marrin kontrollin e avionit.
Mes mijëra historive të asaj dite, disa prej tyre kanë mbetur të gjalla jo për shkak të pamjeve të tragjedisë, por fjalët e fundit që njerëzit arritën t'u linin atyre që donin.
Një prej tyre është historia e Brian Sweeney. Ai ndodhej në bordin e Flight 175 të United Airlines, avionit që u përplas me Kullën Jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë.
Në momentet e para të rrëmbimit, ai arriti të telefononte bashkëshorten e tij, Julie. Ajo nuk mundi t'i përgjigjej telefonit. Në vend të një bisede, Brian la një mesazh zanor.
Në mesazh, Brian nuk foli gjatë për atë që po ndodhte, por i tregoi asaj se sa shumë e donte dhe që nëse nuk arrinte të mbijetonte atëhere i la asaj “amanet” që të kishte një jetë të lumtur dhe të jetonte mirë.
"Jules, jam Brian. Dëgjo, avioni im është rrëmbyer. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, dhe nuk duket mirë, thjesht dua të të them se të dua shumë. Shpresoj të të thërras sërish, por nëse jo, jeto një jetë të mirë. Dua të argëtohesh sa më shumë, të njëjtën gjë edhe për prindërit e mi dhe të gjithë të tjerët. Unë thjesht të dua shumë... shihemi kur të vish këtu. Paç ditë të bukura, foshnjë. Shpresoj të të thërras. Mirupafshim.", ishte ky mesazhi që i la ai dashurisë së tij të jetës.
Fjalët e Brian Sweeney-t kanë mbetur ndër dëshmitë më prekëse të 11 Shtatorit, sepse përtej frikës dhe kaosit të atij mëngjesi, ato tregojnë diçka dhe më njerëzore, ku në çastin kur gjithçka tjetër po humbiste kuptimin, ai zgjodhi të sigurohej që gruaja e tij ta dinte se ai e kishte dashur shumë. Julie Sweeney Roth më vonë e ndau mesazhin me publikun. Sot, kujtimi i tij ruhet edhe në Muzeun dhe Memorialin Kombëtar të 11 Shtatorit në Nju Jork.

