Mesdheu po shkon drejt një transformimi të madh energjetik, me investime që arrijnë në rreth 682 miliardë euro për projekte të energjisë diellore dhe asaj të erës. Një analizë e re, e bazuar në të dhënat e Global Integrated Power Tracker, tregon se në rajon janë shpallur ose janë në zhvillim projekte me kapacitet të përgjithshëm prej 552 gigavatësh (GW), një shifër që tejkalon edhe kapacitetin total të planifikuar të të gjitha formave të prodhimit të energjisë në SHBA, i cili aktualisht llogaritet në 548.3 GW. Investimet e planifikuara arrijnë në rreth 792 miliardë dollarë, ose afërsisht 682.8 miliardë euro, duke i dhënë rajonit një pozicion të fortë në prag të samitit të OKB-së për klimën COP31, që do të zhvillohet në Antalia të Turqisë. LEXO edhe...Artisti shqiptaro-amerikan Mirud triumfon në 'Premios Juventud' me albumin 'Desnudo' Sipas analizës, pothuajse dy të tretat e projekteve të energjisë diellore dhe të erës në Mesdhe, me një kapacitet prej 361.3 GW, synojnë të hyjnë në funksion deri në vitin 2030. Nëse këto objektiva realizohen, kapaciteti aktual i energjisë diellore dhe të erës në rajon do të rritet me 43%, duke përbërë rreth një të tretën e përzierjes aktuale të prodhimit të energjisë. Një raport i organizatës Global Energy Monitor vlerëson se, edhe pse kapacitetet në zhvillim nuk janë ende të mjaftueshme për të përmbushur objektivat rajonale për energjinë e pastër, ato tregojnë se qeveritë kanë miratuar politika, programe dhe strategji ambicioze për tranzicionin energjetik. Spanja është vendi që udhëheq këtë transformim në Evropë. Ajo renditet e para për projektet e planifikuara të energjisë diellore me 108.8 GW dhe e treta për energjinë e erës me 56.6 GW. Vitin e kaluar, 75% e energjisë elektrike në Spanjë u prodhua nga burime të pastra, ndërsa ndikimi i lëndëve djegëse fosile në çmimin e energjisë është ulur me 75% krahasuar me vitin 2019. Sipas raportit, investimet në energjinë diellore dhe të erës u kursejnë familjeve spanjolle mesatarisht rreth 10 euro në muaj në faturën e energjisë elektrike. Analisti i institutit Ember, Chris Rosslowe, thotë se Spanja ka arritur të shkëpusë lidhjen mes çmimeve të energjisë dhe luhatjeve të karburanteve fosile, ndërsa investimet në rrjetin elektrik dhe bateritë do ta ndihmojnë vendin të zvogëlojë edhe më tej varësinë nga gazi. Megjithatë, ai paralajmëron se pas ndërprerjeve të energjisë ekziston rreziku i rikthimit të varësisë nga gazi, edhe pse projektet e reja tregojnë se vendi mbetet i përkushtuar ndaj energjisë së pastër. Pas Spanjës, Egjipti po shfaqet si lider në Afrikën e Veriut, me afro 100 GW projekte të energjisë diellore dhe të erës në zhvillim. Raporti thekson se 37.7 GW e këtij kapaciteti lidhet drejtpërdrejt me projektet për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër. Më pas renditen Greqia, Italia, Maroku, Franca dhe Sahara Perëndimore. Studiuesja e Global Energy Monitor, Hailey Deres, vlerëson se vendet e Mesdheut nuk po e nisin nga zero tranzicionin energjetik dhe se samiti COP31 do të jetë një mundësi për të treguar progresin e arritur deri tani. Sipas saj, sfida kryesore mbetet modernizimi i rrjetit energjetik evropian, i cili do të përcaktojë se sa nga kapacitetet e planifikuara do të realizohen në praktikë. Ora 17:53 Franca futet në projektin energjetik Greqi-Qipro, Mitsotakis dhe Macron koordinojnë lëvizjet e radhës Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti francez Emmanuel Macron zhvilluan një takim në Paris, ku në qendër të bisedimeve ishte projekti i interkonjeksionit elektrik mes Greqisë dhe Qipros, një nga projektet më të mëdha energjetike në Mesdheun Lindor. Takimi u zhvillua në kuadër të Samitit Ndërkombëtar të Hapësirës, përpara një darke zyrtare të organizuar nga presidenti francez.Dy liderët diskutuan hapat e ardhshëm për zbatimin e projektit, pasi grupi francez i investimeve Meridiam mori kontrollin e kompanisë Great Sea Interconnector (GSI), e cila do të ndërtojë lidhjen elektrike mes Greqisë dhe Qipros. Projekti financohet edhe nga Komisioni Evropian me 657 milionë euro.Bisedimet u zhvilluan në një moment delikat, pasi projekti përballet me kundërshtimet e Turqisë lidhur me të drejtën për kryerjen e studimeve dhe dhënien e lejeve në zonën detare mes ishujve grekë dhe Qipros. Me hyrjen e kompanisë franceze Meridiam në projekt, Franca bëhet një aktor i drejtpërdrejtë në këtë nismë strategjike.Mitsotakis dhe Macron diskutuan gjithashtu zhvillimet në Mesdheun Lindor, Iran dhe Lindjen e Mesme. Kryeministri grek ngriti shqetësimin për ndikimin që kriza në Ngushticën e Hormuzit mund të ketë mbi çmimet e energjisë dhe kërkoi iniciativa në nivel të Bashkimit Evropian për të përballuar kostot në rritje.Gjatë vizitës në Paris, Mitsotakis mori pjesë edhe në prezantimin e misionit PAM-6 drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, ku do të udhëtojë astronauti i parë grek, Adrianos Golemis. Ai tha se Greqia ka tashmë 18 satelitë në orbitë dhe po zhvillon industrinë e saj të teknologjisë hapësinore. Share U.D/ReportTv.al egjipt spanje energjia e eres energjia diellore Mesdhe Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 77.6% Magjistratëve 16.4% Nuk e di 6% Vota total: 4966 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

