Enver Hoxha e sulmoi në kulmin e famës, ndërsa sot islami politik përpiqet t’ia rrëzojë simbolikën. Nënë Tereza mbetet më e fortë se propaganda e tyre, sepse historinë e fitoi duke u shërbyer njerëzve... Nënë Tereza u sulmua egërsisht nga Enver Hoxha, pikërisht kur ndodhej në kulmin e famës së saj si veprimtare humanitare në Kalkutë.
Ajo mori Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979, në një kohë kur bota përjetonte një krizë modelesh njerëzore, si sot, apo si gjithmonë, xhanëm.
Shqiptarja e lindur në Shkup me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u ngrit në majën e vlerësimit perëndimor në një periudhë kur raketat dhe armët bërthamore mbizotëronin rendin e ditës dhe kryeartikujt e shtypit botëror.
Nënë Tereza nuk kishte as raketa dhe as municione. Ajo kishte butësinë dhe shpirtmadhësinë për të ndihmuar më të vobektët, ose siç shprehej vetë: më të varfrit e të varfërve.
Bamirësia e Nënë Terezës nuk përbënte një zgjidhje politike apo një urdhër klerikal. Ajo nuk ushtronte atë lloj bamirësie burokratike që bëjnë sot filantropët miliarderë, të cilët i zgjedhin kauzat edhe për imazh, edhe për fiksim, edhe për koncept.
Zgjedhja e bamirëses shqiptare ishte e përcaktuar qartë: “Më të varfrit e të varfërve”. Ajo dhe misionet e saj u morën vetëm me këtë kategori njerëzish, me personat që shoqëritë, qeveritë dhe njerëzimi i kishin harruar dhe braktisur.
Kujdesi i Nënë Terezës ndaj këtyre njerëzve dha rezultate dhe zgjoi pak nga pak qelizat që përbëjnë këtë botë të komplikuar dhe telasheshumë. Ajo u kthye në një pasqyrë, në një model ndoshta të vogël, por konkret, në luftën kundër së keqes.
Perëndimi i egër i fundit të viteve ’70 pa te shqiptarja shtatvogël ndoshta pendesën, ndjenjën e fajit ose një dritë në fund të tunelit të dhunës. Ndoshta, siç ndodh shpesh, kërkoi edhe ta përdorte si simbol, si flamur, si një heraldikë ideologjike. Edhe mundet.
Çfarë problemi kishte kjo me ne, shqiptarët, të cilëve fati u erdhi te dera dhe i “ndërkombëtarizoi” falë punës së një gruaje të mbuluar, në fund të fundit? Po, të mbuluar me shami.
Enver Hoxha, në atë kohë i zhytur pas Plenumit IV në spastrimet e parafundit të njerëzve të tij, jo vetëm i vrau ata, por u shkatërroi edhe familjet, të afërmit, kushërinjtë, miqtë dhe shoqërinë. I gjendur në një fazë të sëmundjes kur ndihej më i pafuqishëm se kurrë, megjithëse zotëronte më shumë pushtet se kurrë, ai pa se në fund të historisë së vet kishte përballë një kundërshtare.
Një alter ego, një rivale shqiptare që do të bëhej më e madhe se ai. Enver Hoxha mendonte se kishte çliruar Shqipërinë, kishte ndërtuar dhe shkolluar vendin, e kishte çuar përpara dhe kishte ngritur të varfrit në krye, siç nuk kishin qenë më parë.
Një grua që kishte ndihmuar të varfrit në një vend të largët si India po ia merrte lavdinë. Pikërisht këtu Enver Hoxha nuk u përmbajt dhe përdori gjithë municionin e pasur të shtetit të tij propagandistik kundër një gruaje me shami në kokë.
Natyrisht, ai zhvilloi një luftë me mullinjtë e erës, sepse Nënë Tereza e kishte arritur zenitin. Ajo kishte marrë Çmimin Nobel për Paqen, vlerësimin më të rëndësishëm në botë.
Gonxhe Bojaxhiu nuk iu përgjigj Enver Hoxhës. E la ta përdorte baltën kundër saj si karburant politik për të mbajtur ngrohtë militantët e tij.
Në fund të regjimit, kur Enver Hoxha kishte vdekur, Nënë Tereza shkoi dhe takoi të venë e tij, Nexhmije Hoxhën. Rreth bisedës mes tyre kanë qarkulluar teori konspirative dhe versione të ndryshme, të cilat nuk kanë ndonjë rëndësi. Peshën e mbante vetë akti, mesazhi dhe simboli. Pasi e mbylli betejën si armike e Enver Hoxhës, mbi të cilin fitoi, Nënë Tereza u vu sërish në shënjestër, këtë herë nga islami radikal. Qendrat që financonin në Shqipëri ndërtimin e xhamive dhe medreseve, si dhe botimin e librave fetarë, përgatitën një kryqëzatë kundër një gruaje të mbuluar.
Një gruaje që, ashtu siç pretendojnë se duhet të paraqiten edhe gratë myslimane, doli përpara botës së bashku me motrat e misionit të saj bamirës. Me shami.
Si ka mundësi që këta “puritanë” iu vërsulën një gruaje që kishte bërë gjithçka që predikon feja e tyre, me përjashtimin se nuk kishte shkuar në xhami apo në Mekë, sepse ishte katolike, një murgeshë katolike?
Çfarë rëndësie ka kjo për një klerik që predikon mirësinë? Edhe një besimtare e një feje tjetër duhet respektuar, sepse kështu predikojnë vetë ata. Madje thonë se islami i ka respektuar dhe mbrojtur gjithmonë fetë e tjera. Përse atëherë e kanë sulmuar dhe fyer Nënë Terezën, sidomos pas vdekjes së saj?
Të gjithë këta hoxhallarë karikatura, me të cilët tallen edhe besimtarët që u shkojnë në ligjërata dhe ua shpërndajnë videot me simbole të qeshurash, e dinë se nuk u leverdis ta shajnë Nënë Terezën. Nuk kanë rrugë tjetër, sepse urdhri u ka ardhur bashkë me tekstin dhe kohën e përcaktuar. Synimi kërkon të dëmtojë sa të mundet simbolikën e së vetmes nobeliste të paqes me gjak shqiptar.
Ky është një sulm politik i pastër kundër një gruaje, imazhi i fytyrës së vuajtur të së cilës mund të rrëzojë perandori. Kjo është e vërteta, pavarësisht se ata e mohojnë.
Perandori të ngritura me zjarr, hekur, flori pa fund dhe telenovela, por që nuk kanë asnjë simbol njerëzor për të ofruar.
Shikoni imamët leshatorë. Argumenti i vetëm që përdorin për të lavdëruar Perandorinë e tyre të dashur Osmane janë pashallarët dhe guvernatorët e shumtë që vinin nga nahijet shqiptare.
Përveçse ishin garipë, një pjesë e tyre hyri në histori falë mjeshtërisë në lojërat e pushtetit. Ata ishin edhe katilë e xhahilë, siç thonë turqit. Në fund të fundit, askush nuk i zgjodhi për burra të mirë, por për burra të fortë.
Të tillë ishin dhe askush nuk ua mohon këtë. Asnjëri prej tyre, megjithatë, nuk u bë simbol për botën, për atdheun e vet apo një figurë që hyri në përjetësi.
Në fakt, as nuk e kërkuan këtë, as Ali Pashë Tepelena, as Mehmet Aliu i Egjiptit dhe as Kara Mahmud Pashë Bushatliu. Ata ishin aventurierë të kohës së tyre, që e shijuan jetën dhe sidomos favoret e pushtetit.
Imamët leshatorë i përdorin këta xhagajdurë si dëshmi të mirësisë së një perandorie që vërtet ka mbetur në histori dhe ka qenë ndër më të mëdhatë e kohës së saj.
Ajo pati sulltanë pa fund, të bukur dhe të shëmtuar, të zotë dhe injorantë, asketë dhe pijanecë të thekur. Pati edhe gra të panumërta në haremet erëmira të Topkapisë, të sjella nga të gjitha cepat e botës.
Ato llastoheshin dhe pastroheshin, josheshin dhe dhunoheshin vetëm për një qëllim: t’i jepnin sulltanit të radhës një djalë, edhe kur ai nuk ishte i zoti ta mbillte.
Në gjithë këtë Sodomë e Gomorrë perandorake, të cilën leshatorët e mbajnë mbi supe si peshë faji, qëndron një grua shqiptare e mbuluar, e lindur në Shkup. Ajo nuk ishte myslimane, por punoi pjesën më të madhe të jetës në një qytet me një komunitet të madh mysliman.
Nënë Tereza u shërbeu miliona myslimanëve në Kalkutë dhe në vende të tjera të botës, sepse i shikonte si njerëz, njësoj si veten.
Kjo është fuqia reale e Nënë Terezës, të cilën kundërshtarët e saj nuk mund ta ndërtojnë as me armë, as me hareme, as me imamë dhe as me eunukë.
Jeta dhe natyra kanë misteret e tyre. Ne shqiptarët kemi një nobeliste si Nënë Tereza. Vatikani e shpalli shenjtore, ndërsa historia do ta kujtojë mbi të gjitha si njeri./Pamfletinënë tereza enver hoxha islami radikal Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Rama paralajmëron Evropën: Titaniku po shkon drejt ajsbergut 5 Shtator 2026, 12:2212:22Politike Jared Kushner nuk mund ta pushtojë Ballkanin 5 Shtator 2026, 12:0512:05Politike Zjarret në Himarë e Fier, Rama urdhëron Bashkitë: Vlerësoni dëmet, dëmshpërblim për të prekurit 5 Shtator 2026, 11:4411:44Politike Zjarret në Himarë, Zhupa akuza Bashkisë: Mbi 130 mln euro tendera, por shërbimi zjarrfikës katastrofë 5 Shtator 2026, 11:3311:33Politike “Mbërrita në SHBA”, Berisha publikon pamjet nga aeroporti (Video) 5 Shtator 2026, 09:2809:28Politike Presidenti Begaj në Përmet: Të ruajmë traditën dhe markën e produkteve vendase 4 Shtator 2026, 21:5321:53Politike

