Volodymyr Zelenskyy / Korrupsioni, përçarjet në kupolën e pushtetit, dhe një luftë që nuk duket se ka fund po e zbehin figurën e presidentit ukrainas. Njeriu që dikur bashkonte vendin dhe mishëronte rezistencën rrezikon sot të gjendet gjithnjë e më i vetmuar... A është shuar vallë magjepsja që dikur e rrethonte? Deri dje, Volodymyr Zelensky vlerësohej edhe për të metat e tij, ndërsa sot shumëkush është gati ta kritikojë edhe për cilësitë që dikur e bënë të admiruar.
Njeriu që u kthye në simbol të një epopeje të dhimbshme, por njëkohësisht bashkuese për Ukrainën, rrezikon tani të mbetet i vetëm. Ai vazhdon të jetë në krye të shtetit, por mënyra si shihet nuk është më e njëjta.
Njerëzit që Zelensky i konsideronte më të besuarit pranë tij, janë përfshirë në hetime për atë që, në një vend të zhytur në luftë, është ndoshta mëkati më i rëndë: vjedhjen. Kur një komb lufton për mbijetesën e tij, kur ushtarët vdesin në front dhe familjet jetojnë nën hijen e bombardimeve, përfitimi personal merr përmasa të një tradhtie.
Në korridoret e pushtetit në Kiev, është krijuar një shtresë njerëzish që e kanë kthyer shërbimin publik në karrierë dhe sakrificën e atyre që luftojnë në mundësi për pasurim.
Zelensky ka gabuar në zgjedhjen e njerëzve që e rrethuan.
Të tjerët, deri dje bashkëpunëtorë të pazëvendësueshëm, është detyruar t’i largojë dhe t’i flakë nga anija e pushtetit. Por kur një udhëheqës fillon të shkarkojë njëri pas tjetrit njerëzit e tij në një kohë kur armiku është te porta, kjo është rrallëherë një shenjë e mirë.
Njerëzit përreth presidentit bien, ndërsa ai vetë mbetet në këmbë. Hetuesit theksojnë se Zelensky, për shkak të imunitetit që i garanton posti, nuk është objekt hetimi. Por edhe kjo lloj sigurie mund të tingëllojë si një goditje politike.
Nëse të gjithë rreth tij janë nën dyshim, për sa kohë mund të mbetet jashtë çdo përgjegjësie njeriu që i zgjodhi dhe u besoi? Pastaj janë kritikat, ndoshta një rrezik edhe më i madh. Ato që deri dje shpreheshin me zë të ulët, tani po artikulohen gjithnjë e më hapur.
Politikanë të dehur nga ambiciet dhe gjeneralë të bindur se e dinë më mirë se të tjerët formulën e fitores, po fillojnë që t’i largohen. Pas mburojës së ligjit ushtarak po krijohen grupe, rryma dhe aleanca. Po shfaqet një botë politike që deri dje dukej e zhdukur përballë figurës së presidentit.
Tashmë po flitet hapur për zgjedhjet e reja, edhe pse vendi është në luftë. Po projektohet një e ardhme në të cilën Zelensky nuk do të jetë domosdoshmërisht në qendër. Disa thonë: dikur na ndihmonte, tani po na pengon!
Të tjerë shkojnë edhe më tej: dikur ishte zgjidhja, sot është problemi. Ka edhe nga ata që janë gati t’ia ngarkojnë atij përgjegjësinë për çdo humbje të mundshme në front. Në rrugët e qyteteve ukrainase po shfaqen protestues që kërkojnë ndryshime në udhëheqje dhe që shohin tek figura të reja politike alternativën ndaj presidentit aktual.
Për Zelensky-n, ky nuk është më thjesht një debat normal demokratik. Është një shenjë se autoriteti i tij po gërryhet dhe se pakënaqësia po depërton në shtresa gjithnjë e më të gjera të shoqërisë. Ndërkohë, lufta vazhdon të përshkallëzohet.
Linjat mbrojtëse në lindje, të konsideruara dikur të forta dhe të vështira për t’u thyer, po i nënshtrohen presionit të pandërprerë të ushtrisë ruse. Ukraina kundërpërgjigjet me sulme me dronë në thellësi të territorit rus, duke goditur objektiva qindra apo mijëra kilometra larg frontit.
Por spektakli i sulmeve nga larg nuk arrin të fshehë vështirësitë në terren. Dhe pastaj është vetë lufta. Një luftë që ka përmbysur gjithçka ka ndeshur në rrugën e saj: qytete, ekonomi, qeveri, pasuri dhe jetë njerëzore. Ajo ka shteruar buxhete, ka zhvendosur popullsi dhe ka ndryshuar fytyrën politike të një kontinenti të tërë.
Së shpejti, balta e fushëbetejave do t’ia lërë vendin akullit. Do të vijë sërish dimri, me lodhjen dhe dëshpërimin që ai sjell në një luftë pa fund. Dhe bashkë me të rikthehet një ndjesi e zymtë: sikur shekulli XX, me luftërat dhe barbarinë e tij, të mos ketë vdekur kurrë.
Përballë këtij përfshirjeje të përgjithshme, Zelensky ka qenë deri tani figura dominuese e dramës ukrainase. Për një Perëndim shpesh të lodhur, të pasigurt dhe pa vizion, ai përfaqësonte një kujtim të largët të vlerave që dikur kishin peshë: njeriun më të dobët që i reziston më të fortit, vendin e vogël që nuk pranon të nënshtrohet.
Por që të mbijetojë, çdo magjepsje ka nevojë për besim. Krijuesi i Piter Pan-it e shprehte këtë me metaforën e Zanës së Vogël. Zanat jetojnë vetëm për aq kohë sa fëmijët besojnë tek ato. Në skenën e famshme teatrale, kur Zilja e Vogël rrezikonte të vdiste, Piter Pani i drejtohej publikut dhe u kërkonte fëmijëve të duartrokisnin nëse besonin ende te zanat.
Dhe duartrokitjet e shpëtonin. Diçka e ngjashme ndodh edhe me udhëheqësit politikë. Fuqia e tyre nuk mbështetet vetëm te institucionet, ligjet apo aparati shtetëror. Ajo ushqehet edhe nga besimi që arrijnë të frymëzojnë.
Dobësia e Zelenskyt sot qëndron pikërisht këtu. Pas 4 vitesh bombardimesh, vdekjesh dhe sakrificash, gjithnjë e më pak njerëz duken të gatshëm të duartrokasin. Jo domosdoshmërisht sepse kanë pushuar së besuari te Ukraina apo te nevoja për ta mbrojtur atë.
Por sepse kanë filluar të mos besojnë më se vazhdimi i pafund i së njëjtës rrugë është përgjigjja e vetme. Pas viteve të luftës, mungesa e një perspektive tjetër po prodhon lodhje. Dhe kur lodhja kthehet në zhgënjim, udhëheqësi që dikur mishëronte shpresën mund të nisë të shihet si pengesë.
Rreziku për Zelensky-n është që të mbetet i rrethuar vetëm nga më të vendosurit për vazhdimin e luftës, nga ata që nuk pranojnë asnjë mundësi tjetër përveç rezistencës deri në fund, deri te njeriu i fundit.
Në një konferencë të fundit për shtyp në Mynih, pas një dite të mbushur me takime të gjata dhe deklarata ceremoniale, një gazetar vuri re pamjen e lodhur të presidentit ukrainas. Zelensky iu përgjigj me një nga batutat që dikur e bëri një nga figurat më të dashura të ekranit në vendin e tij: “Atëherë mos më shikoni!”.
Por problemi nuk është thjesht lodhja që i lexohet në fytyrë apo thinjat që po i shtohen.
Zelensky mbetet një nga figurat më të pranishme në skenën ndërkombëtare. Ai shfaqet në çdo samit të rëndësishëm, takon vazhdimisht liderë, udhëton nga një kryeqytet në tjetrin dhe vazhdon të kërkojë armë, para dhe mbështetje politike.
Megjithatë, energjia e fillimit është shndërruar dalëngadalë në një përpjekje të mundimshme për të ruajtur ekuilibrin. Katër vjet më parë, ai ishte simboli i një vendi që i kishte befasuar të gjithë me qëndresën e tij. Sot është udhëheqësi i një vendi të lodhur, të përgjakur dhe të ndarë mes nevojës për të vazhduar luftën dhe dëshirës për të parë një fund.
Sistemi i tij politik vazhdon të qëndrojë në këmbë, por gjithnjë e më shumë sepse lufta nuk lejon që ai të shembet. Rreziku më i madh për Zelensky-n, është që në fund të mbetet vetëm me fjalët e zakonshme të mbështetjes nga Evropa dhe me buzëqeshjet protokollare të liderëve perëndimorë.
Katër vitet e fundit kanë qenë të pamëshirshme edhe për vetë Evropën. Nëse do të ndërtohej një muze për këtë periudhë, ai mund të mbushej me portretet e liderëve evropianë që janë zhdukur nga skena politike, të rrëzuar nga sondazhet ose nga vota e qytetarëve të pakënaqur.
Ata janë zëvendësuar shpesh nga figura të tjera jo më pak të dobëta, të cilat vazhdojnë të prodhojnë paketa sanksionesh, premtime për armatime të reja dhe deklarata të mëdha strategjike.
Për Zelensky-n, do të ishte një kurth i rrezikshëm nëse do të përfnte duke u kthyer në simbolin e një Evrope që nuk di më çfarë kërkon nga kjo luftë. Më e keqja do të ishte që figura e tij të shërbente si mbulesë për një militarizëm të ri, ku bankat, industria e armëve dhe interesat ekonomike gjejnë te lufta jo vetëm një tragjedi, por edhe një burim të madh përfitimi.
Sepse një gjë është të armatosësh një vend që po mbrohet nga pushtimi, dhe krejt tjetër që lufta të shndërrohet në një sistem të përhershëm interesash, ku paqja fillon të shihet si pengesë për biznesin. Dikur, Zelensky ishte njeriu që bashkonte Ukrainën.
Ishte presidenti, që në momentin e pushtimit rus, vendosi të mos largohej nga Kievi dhe u kthye në simbolin e qëndresës së një kombi. Sot ai mbetet ende presidenti i Ukrainës dhe figura kryesore e luftës së saj. Por aura që e shoqëronte dikur nuk është më e njëjta.
Besimi i pakushtëzuar, është zëvendësuar nga pyetjet, admirimi nga dyshimi dhe uniteti nga përçarjet. Magjepsja ndaj tij po shuhet. Dhe pyetja më e vështirë për Zelenskyn nuk është më vetëm se si ta fitojë luftën, por nëse do të arrijë të ruajë vendin e tij në zemër të një kombi që dikur e pa si shpëtimtar, ndërsa sot ka filluar gjithnjë e më shumë ta shohë si një udhëheqës të zakonshëm, me gabimet, përgjegjësitë dhe kufizimet e tij.
Sepse heronjtë politikë jetojnë për aq kohë sa njerëzit besojnë tek historia që ata përfaqësojnë. Dhe kur besimi fillon që të zbehet, as pushteti, as fama dhe as duartrokitjet e dikurshme nuk mjaftojnë më për ta rikthyer magjepsjen e humbur./Pamfleti nga “La Stampa”fundi i magjepsjes ukraina zelensky Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Lufta me Iranin: Pse zgjedhjet e mesmandatit në SHBA mund të jenë vendimtare 5 Shtator 2026, 13:3213:32Rajoni dhe Bota Pse Trump po e provokon Britaninë me këtë luftë gati të harruar? 5 Shtator 2026, 13:2913:29Rajoni dhe Bota “Riviera” e Mariupolit: djali i oligarkut të Putinit ndërton apartamente në qytetin e pushtuar 5 Shtator 2026, 13:0413:04Rajoni dhe Bota Të dërguarit e Trump në Moskë, në tryezë marrëveshja për Ukrainën 5 Shtator 2026, 12:4812:48Rajoni dhe Bota Kryeministri kroat: Kujdes me anëtarësimin e Serbisë në BE 5 Shtator 2026, 12:2612:26Rajoni dhe Bota Trumpi tabu, Shqipëria problem: çfarë fshihet pas fjalimit triumfal të Melonit 5 Shtator 2026, 11:5511:55Rajoni dhe Bota

