Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj ka komentuar përplasjet e fundit brenda Partisë Socialiste mes kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe Elisa Spiropalit. Në një intervistë për “News24”, Alibeaj deklaroi se brenda Partisë Socialiste ka nisur një luftë e hapur politike, ndërsa shprehu bindjen se nuk ka një figurë që mund të ndërhyjë për të qetësuar situatën dhe për të ruajtur unitetin e partisë. Sipas tij, Rama nuk ka më nevojë për socialistët e vjetër apo për ideologjinë, ndërsa ngriti pikëpyetje nëse Erion Veliaj është i gatshëm të shfaqet hapur si kundërshtar politik i kryeministrit. Alibeaj vlerësoi se Veliaj ka ende forcë elektorale, pavarësisht procedimit penal ndaj tij, ndërsa theksoi se retorika e kryebashkiakut mund të sinjalizojë një ndryshim të qëndrimit politik. “Një gjë është e sigurt, kanë nxjerrë thikat. Tashmë lufta ka plasur, dhe më interesante është se nuk shoh dhe nuk besoj që do të ketë një zë të arsyeshëm brenda asaj partia që të mund të ulë gjakrat apo të mbajë të bashkuar partinë. Thikat nga Erion Veliajt dhe Spiropali janë nxjerrë. Por shoh që Rama ka nxjerrë shpatën dhe shpatën drejt thikës fiton. Edi Ramës nuk i duhen më socialistët e vjetër, apo ideologjia. Por a është i gatshëm Erion Veliaj të shfaqet si kundërshtar politik i Edi Ramës. Sepse në retorikën e Veliaj ka një ndryshim, por ai ndodhet në një procedim penal dhe sinjalet që jep mund të jenë të tilla dhe ndoshta dikush mund të mendojë se do të viktimizohet. Megjithatë besoj se Erion Veliaj ka ende forcë elektorale”, tha ai. Duke folur për raportet mes Ramës, Veliajt dhe Belinda Ballukut, Alibeaj pretendoi se situata brenda mazhorancës ka ndryshuar dhe se përplasja mes Veliajt dhe Ballukut ka ndikuar në qëndrimin e kryeministrit.
Sipas tij, Balluku ka arritur të krijojë një bazë të konsiderueshme mbështetjeje politike përmes deputetëve dhe emërimeve në administratë.
Ai shtoi se Rama, sipas vlerësimit të tij, ka zgjedhur të ndjekë një strategji për të dobësuar politikisht Erion Veliajn.
“Deri para ca kohësh, raporti mes tyre ishte i tillë ku Rama mendonte që Veliaj i duhej për llogaritë elektorale të Tiranës. Edi Rama tashmë kupton një gjë, ka një konflikt të hapur midis Erion Veliaj dhe Ballukut. Mesa duket Balluku ka pasur aftësinë politike të kuptojë pikën e dobët të Ramës, duhet të ketë bërë rreth vetes një numër të caktuar deputetësh por dhe shumë emërime që janë njerëz që janë zgjatime të saj. Në optikën time, zonja Balluku është më e fort sot sepse ka pushtet dhe nuk jep përgjegjësi. I fortë është ai që ka pushtet dhe nuk jep llogari si zonja Balluku në këtë mes. Dhe në këtë pikë Rama ka zgjedhur të ecë me idenë për të asgjësuar politikisht Veliajn”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Belinda Balluku erion alibeaj
