Prej dy ditësh disa video intime, pjesë e të cilave janë personazhe të njohur të estradës shqiptare, po qarkullojnë në rrjetet sociale. Pjesë e secilës video dyshohet se është kompozitori Adrian Hila, madje në disa prej tyre dyshohet se ka edhe emra të njohur të botës së artit. Materialet janë shpërndarë me shpejtësi në rrjete sociale dhe aplikacione komunikimi, duke krijuar zhurme dhe një valë reagimesh. Por përtej përmbajtjes së videove dhe jetës private të personave që mendohet se shfaqen në to, në rrjetet sociale ka patur zëra nëse ky rast po përdoret për të zhvendosur vëmendjen e publikut nga zhvillime të tjera shumë më të rëndësishme politike dhe të bujshme. Kjo për faktin se pamjet u shfaqën papritur në kulmin e skandalit ku përfshihet ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni dhe biznesmeni Ergys Agasi , ndersa hetimet e Prokurorisë së Posaçme janë fokusuar mbi funksionimin e institucioneve të sigurisë dhe trajtimin e informacionit të klasifikuar. Në këtë klimë, një pjesë e reagimeve online e kanë parë shpërthimin e videove si një histori që ka marrë një vëmendje disproporcionale në raport me çështjet që prekin drejtpërdrejt institucionet dhe qeverinë Rama.
Në pak orë, historia e videove ka zënë një pjesë të madhe të diskutimeve online, ndërkohë, skandalet politike janë shtyrë në plan të dytë në një pjesë të hapësirës mediatike.
Kjo është edhe arsyeja pse në rrjet janë shfaqur komente që e shohin këtë histori jo vetëm si një çështje privatësie, por edhe si një shembull të mënyrës se si publiku mund të tërhiqet shumë shpejt drejt një skandali seksual, ndërsa çështjet e pushtetit, korrupsionit apo institucioneve marrin më pak vëmendje.
Një reagim i publikuar sot nga ish-deputetja Ori Nebiaj ngre pikërisht këtë shqetësim . Sipas saj, shpërndarja e materialeve është abuzim pasi vëmendja po zhvendoset te jeta intime e personave, ndërsa çështje të tjera që lidhen me pushtetin dhe paratë publike mbeten në hije. Por a ka një skenar pas kësaj?
Në rrjetet sociale qarkullon ideja se publikimi dhe përhapja masive e videove mund të ketë ardhur në një moment kur vëmendja publike ishte e përqendruar te çështje të tjera, përfshirë zhvillimet që lidhen me qeverinë, SPAK-un dhe ish-drejtoren e SHISH.
Deri tani, kjo mbetet vetëm një hipotezë e diskutuar në rrjet, megjithatë, rasti i kompozitorit të njohur po kthehet në një vorbull debati që shkon përtej personave të përfshirë në video. Në njërën anë është çështja e privatësisë dhe e shpërndarjes së materialeve intime pa pëlqim dhe në anën tjetër është mënyra se si një shoqëri zgjedh se çfarë të konsumojë dhe çfarë të harrojë./S.GJ-Politiko.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

